Kiço Kutali/ Himara, djepi i bukurisë natyrore dhe trimërisë labe

    452
    Sigal

     Reportazh/ Një ekspeditë në bregdetin Jonian, aty ku harmonizohet ashpërsia e maleve e detit me butësinë e natyrës lirike dhe epike

    E vendosëm, do pushonim në Borsh! Deti i mrekullueshëm, jeshillëku të kënaq shpirtin; ambientet komode me qetësi gati absolute. Gatimet janë të shijshme, me fruta të zgjedhura deti. Furnizimi çdo ditë; perime e zarzavate te bollshme; mbi të gjitha, ujin të pastër si kristal e atë për të pirë, të bollshëm dhe kurativ. Kemi qenë disa herë dhe përsëri do të vemi.

    U nisëm nga Tirana. Drekuam te lokalet në Qafë të Llogarasë. Pamja që shumë herë më ka dalë para, më ka kënaqur, më ka mahnitur dhe gjithmonë më ka bërë e më bën përshtypje, por nuk kam shkruar. Ndryshon nga relievi tjetër bregdetar. Në atë pjesë, që quhet Bregu i Detit, harmonizohen të gjitha vetitë dhe virtytet e ambientit ose kapriçot e natyrës. Të duket sikur e ka skalitur një dorë mjeshtri e përkryer. Mbizotëron bukuria dhe çiltërsia, butësia dhe ashpërsia, vendet e veshura dhe të zhveshura, deti i pastër, i kthjellët dhe blu i thellë, ndërsa bregdeti i bardhë;  parcela plot ullinj e agrume dhe malet e larta hijerëndë, por krenarë. Një terren i ndërtuar mbi një buzëdeti fantastik dhe i gjithi mbi strall, shkëmb dhe gurë. Interesante, kur harmonizohet ashpërsia me butësinë edhe natyra bëhet tërheqëse, e ëmbël, burrërore, lirike, epike dhe mbi të gjitha, heroike. Të gjithë objektet, fshatrat, luginat, deti, mali, infrastruktura detare e rrugore konvertohen me njëra- tjetrën, ndaj Bregu duket një mrekulli, kopsht i bukur, një mozaik e ansambël i vërtetë muzikor. Ky ambient piktoresk, së bashku me njerëzit e bëjnë një perlë të vërtetë, që të tërheq si magnet. Zemra e këtij magneti është Himara e Petro Markos, i cili ka shpjeguar rrënjët, origjinën dhe lavdinë e saj. Në atë trevë ka jetuar, jeton dhe do të jetojë një popull autokton, sa i mençur aq edhe atdhetar; sa trim edhe fisnik. Me aktivitetin e tij e ka kthyer Bregun dhe zemrën e tij Himarën, djepin e trimërisë labe dhe Kaone. Është po ky popull që demaskon propagandën mashtruese, hipokrite, hileqare, të pabesë dhe turpi të shovinistëve modernë. Mirëpo, brenda natyrës mbresëlënëse dhe të veçantë, ekziston një pamje akoma më mbresëlënëse, më e veçantë, më piktoreske, më domethënëse; shumë e ndryshme nga modeli, pozicioni dhe perlë mbi perlat, që me vendvendosjen, jo vetëm të habit, por kur del në atë vend, të shpalos një pamje të rrallë, spektakolare, sepse mbizotëron të gjithë ambientin. Është thesar i ardhur nga lashtësia dhe quhet, Fshati Qeparo.

    U akomoduam në ambientet buzë detit, të ndërtuara me gusto nga pronari, Dalan Jaupi, i cili është i motivuar dhe i përkushtuar për më të mirën. Ramë të flinim. Mëndja më rinte te fshati. Nuk më rrihej pa e parë. Me të në mëndje më zuri gjumi. Në ëndërr shoh një fshat që fluturonte, nga Llogaraja deri në Sarandë. Ish fshati Qeparo! Të nesërmen ju qepa malit, për ta parë nga afër. Ish vendosur mbi shkëmb, që kish dalë 500 – 800 m. nga mali si vazhdim kurrizi e përfundonte si kokë kafshe dhe po kaq metra mbi rrugën automobilistike; ndaluar midis detit e qiellit dhe mbizotëronte tokën, qiellin dhe detin. E shihja me kureshtje, me kujdes, me kënaqësi dhe meditoja. Më dukej fantastik, i hijshëm, simpatik, i veçantë, i bukur, shkëmb fisnik dhe kreshnik, mit, legjendë e ardhur nga thellësia e shekujve dhe mbi të gjitha krenar e stoik. Aq i mirë më dukej, sa më ngelën sytë dhe mëndja. Nuk shqitesha prej tij. Është fshati që kërkon vëmendje studimore dhe sidomos historike. Mbase është edhe vendosja në atë vend të ashpër, rrethuar plot male që me zi u ngjitesh dhe gryka që me zi kalohen. Atje alternohen të gjitha mrekullitë e natyrës. Në vende të tilla vendosin foletë vetëm dhe vetëm shqiponjat. Nuk do jetë zogu, por janë këto vendvendosje të veçanta, që i gjen në të gjithë atdheun; të cilat kanë detyruar të parët, të na krahasonin me shqiponjën. Mendoj se, kjo do jetë arsyeja që na e vunë emrin Shqipëri, e cila është sinonimi ose do të thotë shqiponjë. Është mendimi im, ndërkohë edhe personifikim që puqet me realitetin.

    E shihja dhe më dukej si një lule e bukur e mbjellë me kujdes në atë shkëmb gjigant. Ushqyer me gur, ujitur me dashuri, respekt, kulturën; me pjalmin, polenin dhe aromën e popullit të Qeparoit, që me aparencë të çudit! Është lule Shqipërie. Dhuratë nga populli i mençur, atdhedashës, trim dhe përparimtar bregdetas. Sikur kish rënë prej qielli, qëndronte në ajër dhe mbi kokat e kalimtarëve, që po të binte, i zinte nënvete. Në fakt më dukej si meteor, asteroid, kometë ulur ngadalë dhe ndaluar në atë shkëmb interesant, i cili ka fiksuar kohën e ndërtimit, kulturën, traditën shqiptare, për tu vendosur në vende të larta të mbrojtura. Sidomos përcakton autoktoninë dhe sinonimin e emrit të vendit tonë. Më e veçantë është pamja dhe ajo çfarë të ofron është magjia bregdetare, e cila hapet dhe shpaloset nënë këmbët e tua. E mrekullueshme! E rrallë! Vend përrallor! Male të larta, të thepisura, tërë gurë e strall; hone – hone; gërxhe – gërxhe; kone – kone; nyja – nyja; kombe – kombe nga më të ndryshmet e më të çuditshmet. Të duket sikur një tufë devesh duke kullotur sipas qejfit të vet e në mënyrë të çrregullt, me kurrizet e gungat e tyre, përbëjnë kështjellën madhështore të Labërisë. Në këto maja, kepa dhe gryka; në këto kurrize devesh; në këto të ulura e të ngritura, që më ngjajnë si bedenat e kalave, ka zënë vend historia dhe e kthyer Labërinë në një vend të pakapërcyeshëm, të pa nënshtruar dhe me shumë humbje, të shkelur nga pushtuesit. Kjo natyrë e ashpër por e bukur e ka bërë Bregun të pamposhtur, i ka zbukuruar ambientin dhe forcuar Himarën, djepin e trimërisë Kaone. E  kanë mbushur, plot me fole shqiponjash dhe bërë sa më kreshnike e legjendare.

    Jam në fshatin shkëmb ose mbi shkëmbin fshat, që nën mua merr një prerje harkore dhe formon kokën e një kafshë gjigante. Duket edhe si dorë dalë nga trupi i fortë shkëmb i Labërisë, si degë e pemës së madhe gjenealogjike Kaone dhe Shqiptare. Poshtë meje lugina e Kudhësit e mbushur plot gjelbërim dhe si një tren i madh jeshil zbret drejt detit, për ta parë e takuar. Fshatrat, njeri më i bukur se tjetri dhe njeri më strall se tjetri, majë maleve, grykave të rrethuar nga ullinjtë e agrumet dhe ata si fole shqiponjash. Ngjyrat të qetësojnë sytë të kënaqin shpirtin, bedenat e natyrës si të ngritura nga dora e njeriut. Poshtë në breg të detit, plazhe të shumtë, me çadra nga më të ndryshmet, të vendosura njeri pas tjetrit, si kuadratet ne paradat ushtarake dhe, i mrekullueshmi det, i pastër, i thellë, i kaltër dhe pa fund; herë i qetë, shumë herë i trazuar të duket sikur flet. Bizedon me natyrën e bukur Himarjote, me bregun, shkëmbinjtë, plazhet, fshatrat, njerëzit, ullinjtë, agrumet dhe mjetet lundruese. Është si ne njerëzit i gjallë, pjesë integrale e natyrës dhe e kështjellës Labe, Kaone dhe Shqiptare. Zemra e tij rreh, pulson dhe bashkë me grykat dhe malet Himarjote, do vazhdojnë në përjetësi.

    Fshati ka shtëpi të llojeve të ndryshme, deri tre katëshe. Rrugët e rrugicat i ka të shtruara me kalldrëm. Shkëmbi, fshati dhe ambienti ishte i shkëlqyer, i jashtëzakonshëm, i veçantë; ku ashpërsia e shkrirë me butësinë më duket se i jepnin nurin e bukur. Aty është fiksuar tradita e lashtë nga dora arkitekturore e njeriut bregdetas. Ishin këto arsyet, që fshati më dukej edhe si: Kafaz pëllumbash ose kapedanësh trima legjendarë, varur jo në muret e shtëpisë, por në ajër, në natyrë. Yll shkëputur nga qielli dhe vendosur as në det, as në fushë por në atë shkëmb të çuditshëm. Kokë kafshë prehistorike ose dreri me trup malet e Labërisë, shtratin në Himarë, kryeneshën e lavdisë; krifa e ngritur, mali i Gjivlashit. Herë-herë më dukej si dritë lavdi, që orienton udhëtarët, u ndriçon rrugën për tu future në zemër të Labërisë ose për të dalë nga thellësia e krahinës në bregdet. Fanar ndriçues për të orientuar detarët e njerëzit e mashtruar nga propaganda bajate, për tu orientuar drejt, hedhur spirancën dhe pushuar në tokën lavdi të të parëve. Edhe si hënë e si diell për të ndriçuar historinë, traditat, kulturën, autoktoninë dhe sidomos, kujtesë për tu ndriçuar mendjen historianëve, studiuesve dhe shkrimtarëve, që, të mos udhëhiqen  nga shkrimet e të tjerëve, të cilat janë të qëllimshme, me domethënie dhe të politizuara për interesat e tyre; por, ti futemi vetë dhe të trajtojmë problemet tona. Më mirë se ne, nuk e njeh Shqipërinë edhe albanologu më i mirë. Disa prej tyre, për të mos thënë shumica e sidomos fqinjët e kanë tjetërsuar realitetin dhe nëpërmjet shkrimeve, kanë përvetësuar historinë tonë. Edhe sot, kur vendi i jonë është anëtar i NATO –s, vazhdojnë të mashtrojnë për të përfituar. Si ushtarak, më duket një vend i shkëlqyer për karakoll, pikë vrojtimi  e drejtimi. Pozicion më të mirë, nuk do kish zgjedhur një kapedan trim ose strateg ushtarak, për të lëshuar kushtrimin dhe komanduar forcat në luftime.

    Më në fund e gjeta. Të gjitha çfarë trajtova më lart qëndrojnë, por ajo që e personifikon atë vend të bukur dhe të ashpër nga natyra, atë të dalë ose kreshtë shkëmbi dominues, në atë vend që mezi ngjitesh; të mbrojtur, të qetë e të sigurtë nga natyra ndaj dyndjeve të ndryshme: vendosen, ndërtojnë foletë dhe kalojnë jetën vetëm dhe vetëm shqiponjat. Ato zgjedhin ato vende dhe jetojnë të qeta e të pashqetësuara nga çdo grabitqar dhe kundërshtar. I zgjedhin këto vende jo vetëm të sigurta e mbizotëruese, jo vetëm pushojnë, por, vrojtojnë, sulmojnë e kanë të sigurtë fitoren; ndërkohë vazhdojnë jetën dhe sigurojnë vazhdimësinë. Mbi të gjitha, zgjedhin ato vende se shpirti i tyre fisnik dhe i pavarur, ka nevojë dhe dashuron lirinë. Atë kanë të parën. Liria ekziston në shpirtin e tyre e ndihmuar edhe nga natyra e qetë e mbizotëruese. Janë të lira dhe zot në vendin, territorin, folenë e tyre. Interesant! Fshati Qeparo, Himara, dhe i gjithë vendi e kombi i jonë, ngjan me shqiponjat. Sepse edhe ne, si shqiponjat dhe kjo ka ndodhur në lashtësi kur na vendosën edhe emri. Ndërtimet i kemi bërë nëpër maja, gryka, gërxhe, shkëmbinj për të qenë të mbrojtur, të sigurtë dhe ashtu si shqiponjat e duam më shumë se këdo lirinë dhe folenë e madhe, atdheun.

    Në qendër të fshatit takuam zotin, Orlando Dhramin. Burrë zakoni, me tipare kreshnike; i gatshëm për të na ofruar çfarë kërkonim. Kish qenë emigrant dhe, meqenëse ish futbollist, luajti me “Livdhjakosin” në Janinë, por u sëmur dhe ëndrra e sportit u thye, U kthye në Qeparo. Është mjek popullor dhe mjaft rezultativ. Po përpiqet të nxjerrë licencën dhe ëndërron se një ditë do ta ketë. Në se janë të sakta dhe pa u future në hollësi, Orlando, tregon: Fshati Qeparo, është ndërtuar rreth 600 vjet para, nga një çoban. Ngiti stanin dhe shtëpinë te Rrapi, tani sheshi i “Shën Kozmait”. Ka mbi 100 shtëpi. Jeton me emigracion, Shifeni, ka pak njerës. Disa pleq, plaka dhe ne të sëmurët. Ajo kisha atje, është e “Shën Thanasit”, ndërsa tjetra e “Shën Spiridhonit”. Mali në lindje i “Gjivlashit”; ky si kon, i “Karosit”, pas tij dhe më në veri, fshati Kudhës; në perëndim mali i “Pihoit” ndërsa kodrat që zbresin në jugë dhe drejt detit, janë të “Sugait”. Është i mbushur me ullinj dhe agrume, ndërkohë rriten edhe fiq, shegë, bajame, xinxife, rrushi etj. Me pak ujë por, ka kaçka, eukalipte, qepariza dhe rrape. Në mal ka shkurre dhe dushk por i rrallë. Nga ky fshat kanë dalë historianë, poetë, shkrimtarë, biznesmenë dhe nga më të dëgjuarit janë: Pirro Polo, Petraq Pali, Aleks Qesari, Vasil Guma etj. Ndërpremë bisedën se ra celulari. Na kërkonin. U ndamë me Orlandon, për tu takuar në Tiranë.

    Duke qenë me të gjitha të mirat, i bukur dhe nga veçoritë që ka, me një pozicion interesant, fshati Qeparo, është edhe një nga pikat më tërheqëse, nga më të veçantat turistike dhe nga më të lakmueshmet nga njerëzit e sidomos nga të huajt. Por, ajo që na ra në sy, mungonte dora e ngrohtë e shtetit. Fshati, nuk ka fuqi ekonomike për ta mbajtur dhe rregulluar si pikë turistike. Edhe rrugën prej 2,5 km. E kish shtruar me çimento një biznesmen fshati, por ishte me një kalim. Mirëpo, pikat turistike dhe sidomos ato si fshati Qeparo, duan investime dhe patjetër ndërhyrjen e shtetit. Nuk ka nevojë shumë por, ujin, zgjerimin e rrugës, infrastrukturën brenda fshatit dhe tu japin kredi për të bërë lokale e hotele luksoze. Kaq do, dhe pika turistike Qeparo, do jetë vendi më i preferuar i Bregut.

    U larguam nga lulja e bukur flamur; nga kafazi i pëllumbave e i trimave bregdetarë; nga ylli i rrëzuar nga qielli; nga koka e kafshës gjigante; nga dritlavdia e fanari ndriçues; nga hëna e dielli që u ndriçon kujtesën historianëve; nga vend qëndrimi i kapedanëve dhe pikdrejtimi i strategëve ushtarakë dhe së fundi u ndamë nga foleja e shqiponjave për tu takuar përsëri.