Ki-moon: Masa të menjëhershme për uljen e tensioneve ruso-turke

    45
    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon kërkoi masa të menjëhershme për të qetësuar situatën e tensionuar, pas incidentit të ndodhur mes aviacionit turk dhe atij rus, bëri sot të ditur zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric. “Ban Ki-moon shprehet se një hetim i besueshëm dhe gjithëpërfshirës rreth këtij incidenti do të mundësonte qartësimin e ngjarjeve dhe parandalimin e akteve të tilla për të mos u përsëritur më”, shtoi ai.

    Sekretari i Përgjithshëm shprehet mjaft i shqetësuar duke inkurajuar të dyja palët të marrin në mënyrë urgjente të gjitha masat e nevojshme për të zbutur situatën e tensionuar. Ban Ki-moon vuri theksin gjithashtu te fakti se të gjithë ata që janë përfshirë në veprimtari ushtarake në Siri dhe në veçanti në sulmet ajrore duhet të parandalojnë incidente të këtij lloji dhe të shmangin viktimat civile.  “Ky incident ruso-turk lind domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngjarjeve tragjike në Siri”, përfundoi zëdhënësi i tij.