Këshilli Europian i Sindikatave Policore, ultimatum Saimir Tahirit

    362
    Sigal

    Gerard  Greneron: Respektoni kontratën kolektive, ndryshe s’ka BE!

     Problemet e ngritura nga Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë Shqiptare, Sadetin Fishta, për situatën e krijuar në polici së fundmi, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Këshillit Europian të Sindikatave Policore (CESP). Për Sekretarin e Përgjithshëm të CESP, Gerard Greneron, është e dyta herë, brenda 3 muajsh (16 Prill 2014 dhe 11 korrik 2014) që i drejtohet me një letër autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për zbatimin e ligjit për policinë dhe Kontratën Kolektive të lidhur mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Kryetarit të Sindikatës. Ndërsa në letrën, dërguar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në datë 11 korrik 2014, i bëjnë të ditur atij se “Këshilli Europian i Sindikatave Policore, që është prezent në Këshillin e Europës – nëse do të duhet – do të komunikojë gjerësisht rreth shqetësimit që po vuajnë kolegët tanë, të shkaktuar nga përfaqësuesit tuaj policor”.

     Bllokimi i marrëdhënieve të sindikatës me Drejtorinë e Policisë

    “Sindikata e punonjësve të policisë është përpjekur me kohë të komunikojë në rrugë institucionale me drejtuesit e policisë për përmbushjen e detyrimeve të veta në bazë të Statutit dhe Kontratës Kolektive të Punës. Për të realizuar këto detyrime të punëdhënësit, Sindikata i është drejtuar në të gjitha rastet me kërkesa Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministrit të Brendshëm, por deri më sot, të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër” thotë për “Telegraf” Sadetin Fishta, kreu i sindikatës së punonjësve të policisë. Kjo ka qenë dhe arsyeja, sipas Fishtës, që këto probleme janë ngritur deri në nivel të strukturave sindikaliste evropiane.

    Problemet e ngritura nga sindikata

    Përveç rasteve të mosinformimit nga punëdhënësi për të gjitha problemet e marrëdhënieve të punës së punonjësve, siç janë largimet, transferimet dhe pranimet në polici, dhënia e masave disiplinore etj, për të cilat sindikata i është drejtuar edhe gjykatës, veprimi i fundit më flagrant i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që shkëput totalisht marrëdhëniet me Sindikatën e Policisë, është nxjerrja e një urdhri të paligjshëm për heqjen e zyrave në përdorim të Sindikatës, pa negociuar për ambiente të tjera pune, siç parashikohet në urdhrin e mëparshëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë prej më shumë se katër vitesh. “Në këto kushte, punonjësi i policisë “mbrohet” vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili mban përgjegjësi për të gjithë veprimet e lartpërmendura. Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, duke qenë pjesë e Sindikatës Europiane të Policisë, ka kërkuar nga të gjitha sindikatat simotra dhe përfaqësuesit e tjerë në Këshillin Europian mbështetje për të ndryshuar situatën në favor të punonjësve të policisë”, shprehet Fishta. Gjithashtu “fakti që ne si Sindikatë nuk na është dhënë e drejta të marrim pjesë me përfaqësuesit tanë në grupet për hartimin e draftit të ligjit për Policinë e Shtetit si dhe largimin dhe transferimin nga detyra të disa drejtuesve të sindikatës, tregon se këto veprime nuk janë të rastësishme. Vetë ndryshimet që i janë bërë ligjit të Policisë së Shtetit, në kapitullin për marrëdhëniet e punëdhënësit me sindikatat, bie ndesh me të drejtat që kanë qenë të fituara me ligjin e mëparshëm dhe në këto kushte kemi të bëjmë me një hap prapa për të drejtat e punonjësve të policisë dhe organizimit sindikal”, sqaron kryesindikalisti i punonjësve të policisë.

    Sindikata kërkon reagimin e PAMECA IV, ICITAP dhe OSBE-së

    Sindikata kërkon të tërheqë vëmendjen e dy strukturave ndërkombëtare, që janë të atashuara pranë Policisë së Shtetit, PAMECA IV dhe ICITAP, të cilat nuk duhet të kishin dhënë pëlqimin e tyre për ligjin e ri të policisë, pa u konsultuar me Sindikatën, ndërkohë që kanë qenë në dijeni për marrëdhëniet e ngrira ndërmjet nesh dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. “Këtyre dy strukturave u lutemi gjithashtu që të këshillojnë drejtuesit e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme për t’i rikthyer ambientet e punës Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, me ato kushte siç kanë ambientet e veta (PAMECA IV, ICITAP dhe OSBE), pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë” kërkon Fishta. Kryesindikalisti tregon për reagimin e Nënkryetarit të OJF-ve pranë Këshillit të Europës, Gerard GRENERON, i cili njëkohësisht është Sekretar i Përgjithshëm i Sindikatës Europiane të Policisë (CESP), me anë të një letre, dërguar z. Tahiri dhe z. Didi, prej të cilëve kërkon zgjidhje për situatën e krijuar me sindikatën e policisë.

    Letra për ministrin Tahiri nga Këshilli Europian i Sindikatave Policore

    Z. Saimir TAHIRI, Ministër i Brendshëm

    Organizata jonë, Këshilli Europian i Sindikatave Policore, ka kontaktuar me autoritetet Shqiptare ne 16 Prill 2014. Shqetësimi ynë ishte mënyra se si po trajtohej policia Shqiptare si dhe respektimi i Kontratës Kolektive dhe ligjit në lidhje me marrëdhëniet midis autoriteteve Shqiptare dhe atyre që janë në detyrë për sigurinë e qytetarëve.

    Kolegët tanë nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, na njoftojnë ne, se zyrat ku ata punonin, brenda ambienteve të Komisariatit Nr. 1, në Tiranë, për misionin e tyre demokratik, pra, për sindikalizmin u janë hequr.

    Edhe një herë, Z. Ministër i Brendshëm, unë do të doja, si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Europian të Sindikatave Policore, t’ju drejtohesha juve personalisht:

    – Si është e mundur që në vendin tuaj, i cili fitoi Qershorin e kaluar statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian, t’i hiqni mjetet bazë atyre që kanë bërë shumë për vendin e tyre?

    – Si është e mundur të përgëzoni ata të cilët mundësuan shkatërrimin e trafikimit të qenieve njerëzore, atyre që mundësuan luftën më të rëndësishme kundër kanabisit dhe në të njëjtën kohë t’i trajtoni ata si qytetarë të dorës së dytë?

    – Si mund Ju, të pretendoni të merrni nëpër këmbë marrëveshjet e mëparshme, të cilat kanë patur një impakt pozitiv në rrogat e oficerëve të policisë, ndërkohë që duhet të riforconi njohjen e ndjenjave të tyre, duke marrë në konsideratë rreziqet që ata marrin për popullatën.

    Në këtë fazë të procesit të hyrjes së vendit tuaj në komunitetin Europian, si do ta kuptonit juve faktin, se ju nuk respektoni deklaratat që vendi juaj ka nënshkruar, siç është Karta Sociale Europiane? A mendoni juve se bashkëbiseduesit do të qëndrojnë të heshtur përpara negociatave që për vendin tuaj efektivisht do të fillojnë në 2015? Vlera kryesore e Bashkimit Europian është sundimi i ligjit.

    Z. Ministër i Brendshëm, ju lutemi, respektoni vlerat shoqërore Europiane, duke filluar nga ata që mbajnë rregull për shoqërinë dhe që kontribuojnë në imazhin që ju i tregoni Bashkimit Europian.

    Këshilli Europian i Sindikatave Policore, që është prezent në Këshillin e Europes – nëse do të duhet – do të komunikojë gjerësisht rreth shqetësimit që po vuajnë kolegët tanë, të shkaktuar nga përfaqësuesit tuaj policor.

    Ju lutem pranoni, Z. Ministër i Brendshëm, përshëndetjet tona!

    Gérard GRENERON

    Sekretar i Përgjithshëm

    INFO

    350 punonjës të policisë janë larguar pa negociuar me sindikatën

    “Ndryshime strukture” ka qenë arsyeja e urdhrave të largimit

    Asnjë punonjës policie nuk është riintegruar në pozicionin e tij, edhe pse gjykatat janë shprehur në favor të tyre në shumicën e rasteve

    Largimi i përfaqësuesve të Sindikatës nga ambientet e Komisariatit Nr. 1

     Ledjana Saliu