Kërkohet rihapja e Institutit të Arkeologjisë, mbyllja ish-ministri Pango

    424
    Sigal

    Qysh prej 6 vitesh, Durrësi me një trashëgimi të vyer historike dhe arkeologjike, është pa Institutin e tij të Arkeologjisë, duke mbetur pa frontin kryesor të punës për mjaft ekspedita vendase dhe të huaja dhe historianë të njohur në fushën e tyre. Ka mjaftuar një shkresë me 5 rreshta, e pamotivuar fare profesionalisht që mbante firmën e ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango, që të mbyllej Instituti Arkeologjisë në Durrës. Prej vitesh dhe kur vijnë ekspedita të huaja si nga Italia, Franca, apo ndonjë shtet tjetër, nevoja për Institutin e Arkeologjisë mbetet tepër urgjente, për zgjidhjen e mjaft problemeve që kanë të bëjnë nga arkivat e deri tek zbulimet e reja. Durrësi, duke qenë qyteti ku çdo muaj zbulohen pjesë të kalasë lashtë, monumente dhe varre mijëra vjeçare, me antikitetin më të lashtë në vend, padyshim meriton Institutin e Arkeologjisë. Por, vetëm 6 vjet më parë një firmë e ish-ministrit Kulturës Pango, e ka shkrirë dhe larguar Institutin e Arkeologjisë nga Durrësi, duke e zhvendosur atë në Tiranë, madje, tani ai menaxhohet nga dy institucione të tjera. Me të drejtë historianët dhe arkeologët pyesin, çfarë po ngjet me lashtësinë e Durrësit, përse gjithmonë të cunguar nga inkompetentët e kulturës?

    Instituti dhe Muzeu Arkeologjik

    Institute dhe Muzeu Arkeologjik, prej vitesh kanë qenë një trup, një godinë dhe një bord ku merreshin vendime të rëndësishme nga zbuluesit dhe arkeologët e vendit. Por, kushdo që kalon nga Muzeu Arkeoligjik, dhe e viziton atë, ndjen që është krijuar një tjetër klimë në këtë institucion, unik për nga vlerat që mbart, muzeu tashmë ka mbetur në duart e dy personave, të ciceronit dhe të rojës së objektit. Dikur atje ndodhej edhe Instituti Arkeologjisë dhe rrihej debati shkencor organizoheshin ekspedita si dhe organizoheshin konferenca e simpoziume. Por përse muzeu për nga vlera tepër gjigand si objekt dhe për nga rëndësia është ndarë në këtë mënyrë nga Instituti i tij? Duke hyrë në katin e parë, në të cilin janë ekspozuar antikat, kurse kati i dytë, i cili shërben si atelier mirëmbajtje dhe magazinë varet nga Instituti i Albanologjisë, por prej 6 vitesh i varur nga Tirana. Duke e kaluar muzeun nëpër dy vartësi dhe që të dyja nga Tirana, ai e ka humbur shkëlqimin dhe rëndësinë, madje edhe turistike që pati gjatë viteve të fundit. Vendimi për shkrirjen e Institutit të Arkeologjisë u firmos (nuk dihet ende arsyeja) nga ish-ministri Kulturës Pango, në një kohë kur arkeologët italianë i kishin hyrë një pune për të nxjerrë në dritë të gjithë madhështinë e Amfiteatrit antik të Durrësit. Ata i kanë kërkuar OKB-së që Durrësi të futet në listën e UNESCO-s për trashëgiminë që mbart. Ndërkohë, ata po kërkojnë fonde nga institucionet ndërkombëtare për të mundësuar strehimin në një tjetër vend të familjeve rreth amfiteatrit në mënyrë që të vijojnë gërmimet për pjesën e mbuluar. Që nga koha që Muzeu dhe Instituti Arkeologjisë kaluan në vartësi të Tiranës, puna e historianëve dhe arkeologëve durrsakë ka mbetur e cunguar. Ata apelojnë tek Ministria e Kulturës, të rishikojë edhe njëherë vendimet e ish-ministrit të asaj kohe, duke theksuar se: “Instituti Arkeologjisë i duhet dhe i shërben jo vetëm Durrësit të lashtë, por gjithë historisë tonë mijëravjeçare”.