Kërcënohet me jetë ish-polici i plagosur në masakrën e ‘97-s në Urë-Vajgurore

676
Sigal

Flet për “Telegraf”, Shkëlqim Selfaj:“Do të më therin fëmijët nëse nuk mohoj të vërtetën që kam thënë në gjyq”

Ish- polici i masakrës së Urës-Vajgurore, i cili mbeti i plagosur po kërcënohet me jetë dhe me therjen e dy fëmijëve të tij. Ish-polici i plagosur në masakrën 17 qershorit 1997, Shkëlqim Selfaj, 54-vjeç, babai i dy fëmijëve, në atë kohë ka qenë me shërbim së bashku me kolegët e tij, ku dhe është dëshmitarë okular i kësaj ngjarje të rëndë, ku humbën jetë disa punonjës të rendit dhe u plagosën disa të tjerë. Sipas familjarëve, por edhe të ish-policit, Shkëlqim Selfaj bëhet e ditur ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” se, ai është kërcënuar disa herë në telefon. Personat që e merrnin i kanë kërkuar të mohojë ato që ka parë në këtë masakër. Ai duhet të mohojë emrat e disa personave që luftuan kundër policisë për të ruajtur vilën e Protoduarëve. Burime nga familjarët bëjnë të ditur se në kërcënimin e fundit me telefon i është kërkuar që të mohojë atë që ka shprehur në gjykatë. Në atë kohë nga përleshja me armë, me grupin që mbronte vilën dhe policinë mbetën të plagosur 5 policë dhe humbën jetën 4 punonjës të tjerë policie. Për këto kërcënime familja Selfo, ka bërë edhe denoncimin, në polici. “Telegraf” u interesua në polici për të marrë një informacion të detajuar, por për arsye hetimesh nuk na u bënë të ditur detajet e këtyre kërcënimeve.

Shqetësimi i familjarëve

Jemi tej mase të shqetësuar shprehen familjarët, prandaj kërkojnë nga policia dhe ministri i Brendshëm që t’i marrë në mbrojtje. Ish-polici shprehet: “Unë mendoj se kërcënimet më vijnë nga personat, të cilët gjatë gjykimeve, u dënuan me burgim të përjetshëm. Tashmë ata më bëjnë presion, që unë të mohojë atë që kam shprehur. Jemi në siklet të madh si familje, por dhe si fis, se nuk dimë se çdo të bëhet me ne e fëmijët e mi”, -tha i tensionuar ish-polici.

Ngjarja

Përplasja e armatosur ka filluar në orën 11:55 të paradites, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike. Atë ditë, në këtë qytezë ishin Fatos Nano, asokohe Kryetar i PS-së, i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në Komunën Poshnje përfaqësonin PD-në në miting i ndjeri Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së është larguar dhe pas saj ka ardhur ajo Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Atë kohë, qytetin e kontrollonin bandat, që pas hapjes së depove të ushtrisë. Krerët e PS-së pas mitingut në Berat ishin larguar nga qyteti për të vijuar rrugën drejt Fierit. Eskorta që shoqëroi drejtuesit e PS-së, mbërriti në Urën Vajgurore, kur një i ri qëlloi drejt rojeve të vilës së Protoduarëve, që thuhej se, ishin mbështetës të Partisë Demokratike. Të vendosur mbi tarracën e vilës, rojet e Protoduarëve vranë një 17-vjeçar. Pjesa e eskortës, që mundi të kalojë vilën shkoi në Berat dhe mori përforcime të mëdha armësh municioni dhe njerëzish. Kurse pjesa tjetër që mbeti pas, u mblodh në sheshin përpara karburantit të Urës. Disa persona rrëmbyen një autoblindë policie, duke kërcënuar uniformat blu dhe nën urdhrat e civilëve blindi i policisë u nis për tek vila e Protoduarëve. Rojet e vilës u detyruan të qëllojnë mbi tankun me predhë antitanku, pa e ditur se brenda tij kishte ende policë. Dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut, dy të tjerët Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindit. Nga ana tjetër, rojet e vilës, të ndodhur midis dy zjarreve, mundën të tërhiqen, por jo të gjithë. Njëri prej tyre u kap rob nga kundërshtarët dhe u ekzekutua. Trupi i tij u lidh pas një autoveture, me të cilën e zvarritën deri në Berat, ku e dogjën. Dëshmitarët kanë treguar se protagonistët e kësaj masakre, por edhe ngjarjeve të tjera të rënda, ishin simpatizantë të dy partive kryesore në vend, PS-së dhe PD-së.