Sigal

Thoma Gëllçi rikthen besimin te publiku

Nga Vepror Hasani

Drithërues çasti final. Juria profesioniste prej 9 vetash shpalli fituese këngën  “Ktheju Tokës” të  këngëtares Jonida Maliqi. Duartrokitje të shumta në sallë. Emocion te publiku, ngazëllim te adhuruesit e këngëtares. Tri netët magjike të spektaklit të madh i dhanë kurorën Festivalit të 57- të të Radio Televizionit Shqiptar. Çaste të mrekullueshme përjetimi. Tashmë do të jetë Jonida ajo që do të prezantojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2019, (Festivali Europian i Këngës), në Tel Aviv, më 14-18 maj 2019. Vargjet e këngës së saj do ta drithërojnë publikun edhe atje:

“Ti këndon edhe qan,

Në duar lotët mbledh,

I mban…”.

Suksese Jonida Maliqi! Thoma Gëllçi, drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, pas një punë të lodhshme që nga dita e parë e punës në këtë televizion, mundi t’i rikthejë besimin publikut. Drejt kësaj arritjeje synoi edhe Drejtorja Artistike e Festivalit, sopranoja Inva Mula. Në konferencën për shtyp në pragnisje të Festivalit, ajo tha: “Objektiv, për mendimin tim, është që ta rikthejmë freskinë dhe entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku, i cili ndoshta për arsye të shumta është shkëputur.  Ne duam që ai ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si dikur, ta ndjekë Festivalin, e pse jo ndoshta dhe të këndojë këngët më të bukura të tij…”. Ndërsa prezantuesi i festivalit, aktori i mirënjohur, Viktor Zhusti, tha: “Ky Festival realizohet nën drejtimin artistik të një artisteje të madhe shqiptare me famë botërore, që na ka bërë krenarë kudo që ka kënduar dhe performuar, si brenda kontinentit ashtu edhe përtej oqeanit, diva jonë, Inva Mula”. Ndaj, edhe kur artistët po bëheshin gati në sallat e grimit, dashamirësit e muzikës, prisnin me padurim daljen e tyre në skenë. Emocionet ishin të forta. Prisnin të shihnin një festival ndryshe.

Ndiq ëndrrën…

Kënga fituese u shpall, ajo i dha dritë Festivalit; lodhja dhe pasioni i këngëtares u shpërblye. Mundet që gjatë gjithë kohës këngëtarja të ketë menduar: “Vallë, a do të jem unë e para”, ashtu siç mund të kenë menduar gjithë këngëtarët e të tjerët, por vetëm njëri fiton. Gjatë tri netëve gjithçka rrodhi bukur dhe këndshëm:  Një ditë jeton/, Në tjetrën vdes/, Sa mall, pak shpresë/,
I vetëm, pa identitet…”.
Prezantimi i këngëve u bë gjatë dy netëve: natën e parë u këndua “live” me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, kurse nata e dytë u quajt “Nata e performancave”, ose  “Nata Eurosong” sepse këngëtari do të prezantohej me të njëjtën paraqitje që do të kishte në Festivalin Evropian. Dhe kështu ndodhi vërtetë. Natën e dytë këngëtarët u paraqitën me elemente shtesë artistike dhe skenike. Nata e tretë ishte e nata e konkurrimit. Realizimi artistik ishte një hap i dukshëm drejt ëndrrave evropiane. Performanca e Festivalit rritej nga njëra natë te tjetra. Një gjë të tillë kishin ëndërruar prej vitesh edhe artistët shqiptarë. Sigurisht, nuk ishte e lehtë. Ndiqni ëndrrën, – tha Ermal Meta, – fituesi i Eurosongut, këngëtari i 124 koncerteve vetëm për vitin 2018. Saktësisht, fjala e tij ishte kjo: “Të ëndërrosh është gjëja më e bukur në botë, por jo të kesh fantazi; ka shumë ndryshim. Ëndrrat janë shumë herë më të forta dhe vrapojnë shumë herë më shumë se fantazitë. Kur ëndërron ke përgjegjësi shumë të madhe, ke ide në mendjen tënde, por kur ato nuk i realizon dhe i lë pas dore, të ndjekin gjithmonë; është mirë t’i ndjekësh ti e jo të të ndjekin ato; ka shumë diferencë”. Dhe Meta ka të drejtë, është tjetër gjë të fantazosh sikur po ngjitesh në skenë dhe tjetër gjë ta bësh realitet duke ndjekur ëndrrën. Në këtë Festival ëndrrën e saj e bëri realitet këngëtarja Jonida Maliqi me këngën e saj mjaft të ndierë.

Nuk është e lehtë

Në festival vihet gjithçka në dispozicion të këngëtarit. Në rastin konkret kontribuan me talentin e tyre kompozitorët, dirigjentët, skenografët, muzikantët, koreografët, balerinët etj, por edhe  dy prezantuesit që i dhanë krahë, hare dhe gëzim Festivalit: Viktor Zhusti, aktor i talentuar dhe me përvojë, fin dhe sigurt, i zgjuar dhe me humor, i këndshëm dhe fisnik, i mirënjohur dhe i dashur nga publiku, si dhe artistja e shumë arteve, Ana Golja, e cila ishte flutura e gëzimit të Festivalit, ishte një prezantuese krejt ndryshe, e lirshme si ajri, e dashur si flladet që fryjnë behareve dhe e trishtueshme kur ajo linte skenën bosh. Edhe prezantimi i saj për vetveten ishte i bukur: Mirëmbrëma! Unë jam Ana Golja, kisha dy arsye të forta për ta filluar Festivalin me këngën “Ma”; e para sepse kënga “Ma” është fituesja e festivalit të vitit të kaluar; e dyta si vajzë emigrantësh shqiptarë në Kanada është malli për Shqipërinë që na  mban fort  lidhur me origjinën. Është shumë kënaqësi që jam këtu përpara jush, publikut më të mirë në botë! Dhe të gjitha këto ndodhën edhe në saj të drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, i cili me pasionin e tij synon më të mirën. Por sa lodhje ka në anën tjetër, që nuk sheh syri i publikut, këtë e rrëfen Elton Deda: “Është një punë vërtetë shumë e madhe, me shumë stres, me shumë lodhje, me shumë batuta, surpriza dhe situata të këndshme dhe të pakëndshme, por për njerëzit të gjitha këto pak rëndësi kanë; ata vijnë të shohin një festival me kualitet. Unë mendoj se Festivali është serioz, Festivali gjithmonë ka qenë serioz. Nga viti në vit po i rikthehen artistë, po i rikthehen emra; të rinjtë janë gjithmonë avangardë me materiale të freskëta dhe të bukura”.