Këndvështrim i ri për teorinë e Evolucionit

558
Sipas Teorisë së Evolucionit të Çarls Darvinit, njeriu evoluoi si një specie më vete, por sipas shkencës moderne, bashkë me krijesa të tjera, qenia njerëzore ka jetuar gjithmonë në simbiozë me një numër të madh mikrobesh, çka përbën atë që njihet si holobiont. Fakti që kemi mbijetuar së bashku na shtyn të vëmë në pikëpyetje teorinë e Darvinit.
Teoria e hologjenomit është një pikëpamje e re për evolucionin, që lë pas teoritë darviniste. Kjo teori u bë për herë të parë e njohur në fillim të shekullit të 20-të, kur shkencëtarët vërtetuan se në një trup të shëndetshëm ka triliona bakterie, të cilat formojnë të ashtuquajturën mikrobiota.
Mikrobet u shfaqën në tokë shumë më herët se njerëzit dhe sipas teorive më të fundit, njeriu evoloi në simbiozë me këto mikrobe.
“Nuk ka qenë thjesht përzgjedhja natyrore ajo që na ka bërë këta që jemi sot, por aftësia për të jetuar në harmoni me mikrobet. Bëhet fjalë për qelizat që formojnë organizmin tonë,” – thotë biologu William Miller.
William Miller, me profesion mjek i cili ka klinikën e tij prej 30 vjetësh dhe autor i librit “Mikrobota brenda nesh”, thotë se shkencëtarët kanë zbuluar së fundmi se qelizat e njeriut dhe mikrobet janë shumë inteligjente.
“Mikrobet dhe qelizat janë si agjenci që zgjidhin probleme, pikërisht këtu qëndron thelbi. Brenda dhe mbi trupin tonë, ne kemi jetë që ngjajnë me ato të jashtëtokësorëve. Një botë e pasur mikroorganizmash me të cilët jemi ngushtësisht të lidhur, që na bëjnë këta që jemi sot, por nga ana tjetër, një mikrobiotë kaq ndryshe nga ne, sa nuk dimë si të flasim me të”.
Miller thotë se shkenca është pranë zbulimit të mënyrës se si mikrobiota ndikon në sistemin imunitar, por deri edhe te gjendja emocionale e njeriut.
“Kur ta kuptojmë dhe zbulojmë plotësisht si funksionon kjo botë mikrobesh, shumë nga sëmundjet kronike do përmirësohen ndjeshëm, ose do zhduken krejtësisht. Jeta do të zgjatet dhe cilësia e saj do përmirësohet kur të arrijmë të komunikojmë më mirë me mikroorganizmat që kemi në trup”.
Mikrobet lëshojnë mesazhe përmes shkëmbimit të molekulave komplekse, por edhe përmes dritës, tingujve madje edhe përmes një fenomeni fizik të quajtur ndërthurje kuantike, ku struktura e një grimce nuk mund të kuptohet pa atë të një grimce tjetër plotësuese, edhe atëherë kur janë shumë larg njëra-tjetrës.
“Eksperimentet tregojnë se mikrobet kanë mësuar ta përdorin këtë proces në komunikimin mes tyre, por ne ende nuk e dimë se si”.
Miller thotë se komunikimi me mikrobet do na ndihmojë edhe në kërkimet tona për jetën jashtëtokësore, pasi ka gjasa që edhe krijesat jashtëtokësore të jenë në nivel mikroskopik.
Sigal