KEMP-i diskriminon të lindurit me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike

    407
    Sigal

     Sarandë, abuzimet me pagesën e paftësisë. PAK sorollaten, përfitojnë emigrantët

    SARANDË: Fillimviti ka sjellë edhe andralla përtej kufijve të skandalit në institucionin e KEMP-it për rajonin Sarandë-Delvinë. Rishikimi i dosjeve dhe rifreskimi i daljeve në Komisionin e Caktimit të Aftësive për Punë ka përjashtuar nga trajtimi dhjetëra qytetarë të këtij rajoni jugor, të lindur me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike. Ndërkohë që janë favorizuar me trajtim financiar, sipas denoncimeve qytetare, dhjetëra qytetarë, pjesëtarë apo me lidhje familjare e shoqërore të komisionerëve, por edhe qytetarë që nuk janë paraqitur fare në komision dhe ndodhen në kurbet. Kjo, vijojnë denoncuesit, mund të verifikohet lehtë nga hyrje –daljet e këtyre shtetasve në pikat e kalimit kufitar dhe institucionet shtetërore duhet t’i rikalojnë në krehër të “artë” përsëri vendimet e këtij komisioni. Midis dhjetëra rasteve denoncuese, si në fshatrat SMT, Shkallë-Konispol, Metoq, Dhivër, Livadhja, Lukovë, qytete Konispol e Delvinë së bashku me Sarandën, na bëri përshtypje denoncimi i vëllait të një të sëmuri mendor që nga lindja, Aleksandër Prifti. Por çfarë thotë Prifti për “Telegraf”?

    “Vëllai im, Dhimitraq Prifti, që prej 52 vitesh, qëkur ka lindur, trajtohej me ndihmë nga shteti si i sëmurë mendor, sepse kështu ka lindur dhe kjo është e vërtetuar, edhe me dokumente që nga shteti monist, i cili, sado që e quajtën diktatorial, nuk i kurseu trajtimin me ndihmë ekonomike kësaj shtrese të shoqërisë sonë. Dhe neve na dhemb shpirti për vëllain në këtë gjendje, por i nënshtrohemi fatit. Vëllain e mbaj unë, se prindërit na kanë lënë. Edhe vetë mundësitë ekonomike i kam shumë të pakta deri në mekje. Ja shikoni, (tregon dorën), jam edhe vet sakat me gishta të prerë e, megjithatë, punoja në ndërtim për të mbajtur familjen, por edhe vëllai trajtohej disi për nevojat e tij. Papritur, na i ndërprenë.(?!) Fillimisht, na thanë se vëllai duhej të shtrohej në Spitalin Psikiatrik të Vlorës për të pasur një ekspertizë ligjore. E shpumë dhe e shtruam. Na dhanë ekspertizën (tregon dokumentet). Ja sollëm shefit të KEMP-it në Sarandë. Na thotë se duhet të paraqitemi tek një inspektore e Vlorës, Diana Brahimmuço. Shkuam përsëri në Vlorë dhe zonja na priti e na dha dokumentin. Erdhëm në Sarandë e u paraqitëm me dokumentin e kërkuar në komision. Na thanë që pas një jave do të marrim dokumentin dhe ta çojmë në njësinë vendore për të vijuar pagesa. Kaloi java dhe u paraqitëm tek shefi. Nuk na i dha. Na tha se ka ndryshuar ligji dhe do vonojë deri nga muaji qershor. Kërkuam përsëri dhe na thotë se dokumentet tona kanë shkuar në Tiranë dhe duhet të paraqitemi atje. I thamë të na japë një autorizim apo rekomandim se ku duhet të paraqitemi, megjithëse po çuditeshim, se pse u anulua vendimi i komisionit, me përfaqësues edhe nga Vlora. Nuk na dha përgjigje, por përdridhej. I kërkuam llogari dhe e pyetëm se kush e anuloi vendimin. Më në fund, na tha se ai me nënkryetaren, por, përsëri, edhe mund të mos shkohet në Tiranë, po të prisni deri nga qershori…”. Dhe ky denoncim i dhimbshëm e skandaloz, ndaj KEMP-it Sarandë-Delvinë, vijon me dhjetëra denoncime, sa qytetarët e Sarandës kanë filluar të tregojnë edhe barsoleta “Zonjë në bahçen e madhe…”.

    Agron MEMA