Kategoria e Parë/ Sot java e 7-ë, priten ndryshimet në renditjen e skuadrave

420
Sigal

Sot luhen tetë ndeshjet e javë së shtatë të Kategorisë së Parë, me vetëm dy sfida që do të luhen nesër (Bylis-Dinamo dhe Veleçiku-Tërbuni) për shkak të angazhimeve që kanë pasur në Kupën e Shqipërisë. Kategoria e Parë, këto javë ka treguar se janë të shumta skuadrat që pretendojnë për një vend në elitën e futbollit shqiptar, në Superligë. Kujtojmë që në grupin A, janë dy skuadra me pikë të barabarta që në fillim të sezonit si Mamurrasi dhe Besëlidhja, që kanë pasur të njëjtat rezultate që në fillim. Në fakt paraqitja ka qenë sa e mirë aq edhe e papritur pasi mendohej për më shumë nga skuadrat si Kamza apo Besa, por në fakt nuk ja kanë dalë akoma që të jenë faktor në këtë grup, duke u gjendur gjithmonë një hap më larg sesa dy kryesueset. Sot Mamurrasi do të takohet me Ilirinë, skuadër që ka treguar nivel të mirë loje dhe fakti që luan në shtëpi ia vështirëson disi situatën Mamurrasit, që pavarësisht të gjithave ka si synim vetëm fitoren duke shmangur rrëshqitje nga renditja. Besëlidhja nga ana tjetër, ashtu si Mamurrasi ka “zënë” rrënjë në vendin e parë duke mos humbur akoma asnjë ndeshje në 6 javët e kampionatit, rekord ky që është i admirueshëm, pasi janë vetëm 4 skuadrat e tjera që akoma nuk kanë pranuar humbje, ku në grupin A janë vetëm Mamurrasi bashkë kryesues dhe Tërbuni i vendit të tretë që penalizohet vetëm nga barazimet. Tërbuni, ashtu siç u lajmërua do ta luajë ndeshjen e vet ditën e diel, ndaj Veleçikut pritës në shtëpi. Ky takim cilësohet si i barabartë për të dy skuadrat, me koplikasit që janë pesë pikë pas pukianëve dhe fitorja do ju vlente për të ngushtuar distancat në renditje. Tërbuni ka një disavantazh pasi udhëtoi në Korçë për ndeshjen e Kupës, ndërsa Veleçiku nuk u paraqit në ndeshjen e kthimit që e kishte në Vlorë ndaj Flamurtarit. Në grupin B, situata duket më e ndërlikuar, pasi edhe pse kryeson Dinamo, avantazhi është vetëm më një pikë më shumë ndaj Butrintit, duke e bërë luftën për titull më të ngjeshur se në grupin tjetër. Në fakt që në fillim të sezonit, Dinamo shpalosi planet për rikthimin në Superiore, diçka që u vu re edhe tek merkatoja, ndërkohë që deri më tani, është një nga skuadrat që nuk e ka lejuar humbjen si rezultat në asnjë ndeshje, duke fituar tre herë dhe duke barazuar po aq. Të dielën, tiranasit do të ndeshen  me Bylisin që ka 4 pikë më pak, por ka treguar se nuk është skuadër që duhet të nënvlerësohet, sepse në rast të një rezultati negativ, çdo rezultat i arritur deri më tani do të merrte të tatëpjetën. Ndeshje që paraqet interes në ditën e sotme është edhe ajo mes Lushnjës dhe Luftëtarit, pasi vendasit me një fitore do të arrijnë në kuotën e 11 pikëve, duke rivendosur kështu edhe një herë “luftën” për titull ndaj të gjitha kundërshtareve të grupit.

 Luciano Moggi: Kombëtarja shqiptare ka futbollistë cilësor, Seria A duhet t’i mirëpresë!

Ndeshjet miqësore nuk vlejnë vetëm për të fituar përvojë, siç tha trajneri De Biazi, por edhe si një “vitrinë” për të treguar vlerat e futbollistëve si individë. Në fakt ka pasur interesim të menjëhershëm dhe një rritje të pozitës së Shqipërisë në sytë e futbollit ndërkombëtar, ku kujtojmë se barazimi me Francën dhe humbja minimale, por loja shumë e bukur, me Italinë treguan edhe një herë se kjo skuadër është gjithmonë e më në rritje duke arritur në një tjetër nivel si Kombëtare. Vlerësime të mira ka pasur nga të gjitha anët për Kombëtaren tonë, që nga trajneri Deshamps e deri tek trajneri italian Konte. Së fundmi vjen edhe një vlerësim tjetër e edhe këtë radhë nga Italia, ku ish-presidenti i Juventusit Luciano Moggi është shprehur për një intervistë në gazetën “Shqip” se, Shqipëria e ka habitur si skuadër, duke kërkuar madje që shumë nga futbollistët e Kombëtares duhet të shkojnë të luajnë në Serinë A, në kampionatin Italian, duke lavdëruar portierin Berisha dhe duke i bërë “reklamë” në një farë mënyre sulmuesit Cikalleshi: “Mendoj se futbolli në Shqipëri është rritur shumë. Ndaj Italisë ishin disa lojtarë shqiptarë, që bënë diferencën ndaj të tjerëve. Përveç Berishës, që tregoi se është një portier shumë i mirë, nuk e kuptoj përse nuk vjen në Itali një sulmues, që më duket se quhej Çikalleshi, apo një mesfushor si Kukeli. Këta lojtarë kanë cilësi dhe kanë treguar se janë shumë të mirë për të luajtur në kampionatet evropiane, ndoshta edhe në lartësinë e ndonjë skuadre të rëndësishme. Shqipëria është një skuadër, që duhet marrë në konsideratë. Natyrisht, ka lojtarë që duhet të mësojnë ende disa gjëra, por në thelb, mendoj se De Biasi ka bërë një punë të mirë, mbi të gjitha në kokën e lojtarëve, pastaj sa i përket impenjimit, në këtë aspekt nuk janë inferiorë ndaj askujt”, është shprehur Luciano Moggi. Ky i fundit nuk la pa përmendur edhe praninë e shumtë të tifozëve shqiptar në stadiumin “Luigi Ferraris” në Xhenova në ndeshjen Itali-Shqipëri, duke e përshëndetur praninë e tyre dhe qytetarinë e treguar.

Ish-trajneri i Serbisë, Advokad: Fajin e ka Shqipëria

Dik Advokad vazhdon që ta shohë Shqipërinë si “rastin” fatkeq që i solli edhe pushimin nga puna në krye të drejtimit të Serbisë. Në një intervistë që ky dha për mediat holandeze është shprehur se të shtyrën ai dhe skuadra e morën që nga ndeshja me Shqipërinë, duke humbur përqendrimin dhe ndeshjen ndaj Danimarkës, humbje që i la me vetëm 1 pikë në renditje, duke qenë baras me vetëm Armeninë. “Në turne të tillë kualifikues gjithmonë duhet të fitosh ndeshjet brenda në shtëpi që të shkosh në finale. Po luanim ndaj Shqipërisë dhe ja ku del një fluturake me një flamur shqiptar dhe ndryshon gjithçka. Ishte një provokim. Sigurisht që nuk e bënë serbët. Për më tepër që ne donim të luanim. Por në fund na u dhanë dhe u hoqën tre pikë. Gjithsesi kjo histori është jo logjike. Ne apeluam por në fund duhet të luanim me dyer të mbyllura. UEFA na bëri një padrejtësi por Shqipëria më rrënoi mua dhe Serbinë”, ka mbyllur Advokad. Në fakt që në fillim të ngjarjes, por edhe tani që nuk është më trajner i Serbisë, Advokad mban po të njëjtin qëndrim, duke shprehur se Serbia nuk meritonte të dënohej mbi atë ngjarje por se meritonte pikët në tavolinë, pikë që do e kishin lejuar Serbinë të ndodhej në pozita shumë më të favorshme.

 Jurgen Klopp skuadrës së tij: Kujdes Alban Mehën!

 Borussia Dortmund dhe Paderborn do të përballen të shtunën, në kuadër të javës së 12-të të Bundesligës. Kurse, trajneri i Dortmundit, Jurgen Klopp, ka porositur lojtarët që të kenë kujdes nga mesfushori i Paderbornit dhe njëkohësisht i Kombëtares Shqiptare, Alban Meha. Shkak për këtë është bërë saktësia që Meha ka në gjuajtjen e goditjeve standarde. “Do luajmë kundër një ekipi të disiplinuar, me lojtarë gjenial si Vrançiç apo Alban Meha në goditje standarde. Disa prej tyre i kam stërvitur edhe vetë (Vrançiç). “Nuk janë pa meritë në këtë pozicion. Jam i lumtur që do takoj ish-lojtarët e mi, por ne duam të dalim fitues në mënyrën më ideale bashkë me Reus”, theksoi strategu gjerman.