Kasi, “hiena e monumenteve”, drejtori i ri i Monumenteve në Gjirokastër

    441
    Sigal

    Letër e hapur zotit Edi RAMA, Kryeministër i Shqipërisë

     Zoti Kryeministër Edi Rama, qysh në fillim ju bëj të ditur se jam një studente e Programit Master në Trashëgiminë Kulturore pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës dhe arsyeja për të cilën ju drejtohem Juve është se këto ditët e fundit mësova që në krye të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve në Gjirokastër është emëruar në mënyrë të pamerituar, por  natyrisht sipas “procedurës rilindëse, me konkurs”, një skulptor i dështuar me emrin Robert Kasi. Paraprakisht ju vë në dijeni se vetëm në sistemin e universiteteve publike janë të hapura 4 programe studimi në nivelin Master për studimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore, për historinë dhe arkeologjinë, përkatësisht në Universitetet e Tiranës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Elbasanit, ku janë diplomuar dhe vijojnë studimet me pasion dhjetëra djem e vajza që i duan me shpirt monumentet. Pyes: Pse duhej të “zgjidhej me konkurs” një person që nuk ka asnjë formim shkencor në këtë fushë dhe në një zonë si Gjirokastra në të cilën, mesa kam studiuar unë, ka numrin më të madh të listës së monumenteve të kulturës në mbrojtje të shtetit dhe akoma më tej me status ndërkombëtar në mbrojtje të UNESCO-s? Gjatë studimeve të kryera jashtë dhe brenda shtetit në fushën e trashëgimisë kulturore, nuk kam mundur të gjej asnjë referencë shkencore tek ky person, nuk kam lexuar asnjë artikull në shtypin e përditshëm dhe në periodikët shkencorë për trashëgiminë dhe monumentet nga ky “drejtor”, ai nuk ka asnjë kumtesë shkencore apo thjesht një prononcim publik për rrënimin e monumenteve të Gjirokastrës, por sikurse më tregon një koleg bashkëstudent në Master nga Gjirokastra, “Berti njihet në Gjirokastër për dy gjëra: për një bust të vendosur në një vend publik në qytet, që nuk i ngjan aspak Çajupit dhe një fjalim me 2 fjali që mbajti para Edi Ramës në mitingun përmbyllës elektoral të  socialistëve 2-3 ditë para votimit të 23 Qershorit”. Kësisoj, me këtë “zgjedhje” neve na keni fyer dhe zhgënjyer.

    Duke qenë pjesë e disa ekspeditave, kampeve të restaurimit dhe programe ndërkombëtare të studimit në Gjirokastër, kam parë me sytë e mi rrënimin e këtij qyteti, betonimin e tij të përditshëm para syve të këtyre “të zgjedhurve me konkurs” dhe jam ndjerë jashtëzakonisht keq. Aty kam mësuar se disa persona të “shoqërisë civile dhe disa fondacione, pjesë e të cilave fatkeqësisht ka qenë edhe zoti Kasi (vazhdimisht i shoqëruar nga një gjerman që quhet Stefan), u janë turrur vlerave të mbetura ende në këtë qytet në rrënim dhe me fondet dhe projekte” që kapin shifra marramendëse, si hienat përpiqen të përfitojnë çfarë të mundin nga kufoma e qytetit në rrënim të plotë. Gjithashtu, mësova  gjatë qëndrimit në Gjirokastër se në këto 20 vjetët e fundit kur investimet e shtetit kanë qenë ZERO, pehlivanët e këtyre shoqatave, projekteve dhe fondacionet ndërkombëtare vetëm në 2 banesa me status “monument kulture”, Zekatët dhe Babameto 1 dhe 2, këto “hiena të monumenteve”, (po e përsëris, prej vitesh bën pjesë edhe dyshja Kasi-Stefan) kanë groposur miliona euro dhe dollarë. Këto mund të verifikohen lehtë sepse të gjitha janë të miratuara në Institutin e Monumenteve dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në ministri. Vetë zoti Kasi qysh prej largimit nga bashkia e deri në momentin që “me konkurs” u zgjodh drejtor rajonal i monumenteve është paguar me rroga dhe shpërblime të tjera të majme nga fondet me destinacion ruajtjen dhe ringritjen e trashëgimisë në Gjirokastër.

    Përfundimisht zoti Kryemninistër, unë ju ftoj të vlerësoni dhe kontaktoni, pa “konkurse” e “zgjedhje”, specialistët e vërtetë dhe strukturat shkencore – akademike të fushës së trashëgimisë dhe ju siguroj që prej tyre do të merrni mendime të vlefshme për gjetjen e “çelësit”,  do të gjeni persona të aftë dhe të përkushtuar për të shpëtuar  vlerat e rrezikuara të historisë dhe kulturës  kombëtare.

    “Epoka e betonimit” të qytetit muze të Gjirokastrës, meritë e Bimes dhe e Kasit

     Zoti Kryeministër, sinqerisht kishim shpresa të pafundme tek program i “Rilindjes”, por qysh tani personalisht, (por jo vetëm), ndihem vërtet e zhgënjyer. Të zhgënjyer dhe mashtruar njëkohësisht, kur mësojmë se në krye të punëve zgjidhen njerëz të dështuar dhe të korruptuar si Robert Kasi, ish nënkryetar i bashkisë dhe përgjegjës i drejtpërdrejt për trashëgiminë në Gjirokastër, drejtues në një mandat, kur sipas statistikave dhe shkresave zyrtare të Drejtorisë së Monumenteve aty, është shënuar numri më i lartë i ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur historike të Gjirokastrës, periudhë që bashkë me 4 mandatet e Bimes, kryetarit aktual të bashkisë, shënojnë “epokën e betonimit” të qytetit muze, periudhë në të cilën që në vend të gurit të kalldrëmit, mureve dhe çative, u injektuan tonelata me beton në mes të ditës duke  shpërfytyruan qytetin dhe monumentet e tij.