Karteli i prodhuesve të naftës,OPEK ul prodhimin e arit të zi, rritet çmimi

467
Sigal

OPEK arriti një
marrëveshje paraprake për të reduktuar prodhimin e arit të zi, për herë të parë
pas 8 vitesh dhe kjo ka bërë që çmimi i naftës bruto të nisë të rritet. Vendet
kryesore që eksportojnë naftë ranë dakord për këtë gjatë bisedimeve në Algjeri,
në përpjekje për të qetësuar frikën nga mbifurnizimi i tregut.




Ministri iranian për naftën Bijan tha se OPEK-u mori një
vendim të jashtëzakonshëm. Mjaftoi vetëm lajmi për marrëveshjen paraprake që ka
ende punë për t’u finalizuar e më pas nënshkruar, që çmimi i naftës bruto të
rritej me 6%, duke shkuar në 49% për fuçi. Sipas pjesëmarrësve në takim,
detajet e plota të paktit do të finalizohen në takimin formal të OPEK-ut në
nëntor.
 

Mësohet se prodhimi do të bjerë me 700 000 fuçi në ditë,
megjithëse reduktimi nuk do të shpërndahet njëlloj në të gjitha vendet e
kartelit. Për shembull, Irani do të lejohet që të rrisë prodhimin. Më herët,
një pakt i tillë ishte bërë i pamundur nga mosmarrëveshjet mes dy rivalëve
rajonalë, Iranit dhe Arabisë Saudite. Reduktimi i prodhimit u kërkua nga shumë
anëtarë të vegjël të OPEK-ut për shkak të rënies së çmimit të naftës gjatë dy
viteve të fundit.
 

Por, mungesa e detajeve për paktin ka bërë që shumë vende
dhe tregtarë të arti të zi të jenë skeptikë. Iraku vuri në dyshim llogaritë e
OPEK-ut dhe reduktimin e prodhimit, pasi është e paqartë se si ky kartel mat
prodhimin e secilit prej anëtarëve të tij. Ekspertët ndërkohë thonë se “Djalli”
qëndron tek detajet, prandaj pa u zbuluar pakti i plotë dhe mbi të gjitha pa u
marrë vesh se për çfarë reduktimesh ka rënë dakord secili anëtar i OPEK-ut,
është ende herët për të dalë në përfundime.