Karta e Shëndetit po “sëmur” shqiptarët, Tirana e 1 milionë banorëve me… 1 sportel

    481
    Pajisja me “Kartë Shëndeti”, zbuloi faktin që shërbimet publike në Shqipëri nuk janë të modernizuara as si shpejtësi kohe, as si infrastrukturë, ndaj dhe qytetarët, për çdo dokument që duhet të marrin si detyrim për nxjerrjen e “Kartës së Shëndetit”, po përballen edhe me katrahurën që njëra zyrë është në Kashar, ndërsa tjetra është në Sauk. Njëra zyrë është në Dajt, ndërsa tjetra është në Vorë. Njëra zyrë është në Kombinat, ndërsa tjetra është në Kamzë, apo Farkë
    Këto sportele (zyra) shërbejnë nga ora 8.00 deri në orën 14.00, ndërkohë që ditën e shtunë e të diel e kanë pushim… zyrtar! Bëni llogarinë për rrethin e Tiranës, ku në sportelin e vetëm që është në shërbim jepen vetëm 50 karta shëndeti në ditë dhe mëson se pas kohësh mund të pajisen me karta 1 milionë qytetarë, ndërkohë që Ministrinë e Shëndetësisë nuk japin asnjë sqarim se përse nuk hapen sportele të tjerë për të lehtësuar dhe përshpejtuar pajisjen e qytetarëve me “Kartë Shëndeti”
    Shqiptarët, qenkan të dënuar jo prej fatit, por prej shtetit të tyre, që për çdo shërbim të shpërfillen, vonohen, torturohen e zhvaten prej sekserëve nëpër radhët e shërbimeve publike edhe sot në vitin 2016, kur shteti deklaron gjithë kapardisje e bujë, se ka instaluar sistem të plotë shërbimesh publike të dixhitalizuara. Por qëndrimet skandaloze, me të cilat po përballen shqiptarët edhe në këtë fillim viti, dëshmojnë plotësisht faktin që shërbimet publike në Shqipëri nuk janë të modernizuara as si shpejtësi kohe, as si infrastrukturë e procedura administrative dhe as si praktika, mbasi për t’u pajisur me një dokument që e lëshon shteti, shqiptarët e vitit 2016 detyrohen të shkojnë ende nëpër sportelet e zyrave të shtetit, të “ngarkuar” me një “tufë” dokumentesh e vërtetimesh zyrtare, të cilat që të nxirren nga zyrat e tjera shtetërore duan kohë, stres e shpenzime mbasi kudo ka radhë, vonesa e shpërfillje, ndërkohë që këto mund të bëhen me verifikim elektronik, por nuk janë të dixhitalizuara. Ndaj dhe qytetarët, për çdo dokument që duhet të marrin si detyrim për nxjerrjen e “Kartës së Shëndetit”, po përballen edhe me katrahurën që njëra zyrë është në Kashar, ndërsa tjetra është në Sauk. Njëra zyrë është në Dajt, ndërsa tjetra është në Vorë. Njëra zyrë është në Kombinat, ndërsa tjetra është në Kamzë, apo Farkë! 
    Tmerr/ Edhe Tirana e 1 milionë banorëve, vetëm me 1 sportel dhe 1 punonjëse
    Çfarë rezulton? Për të pajisur qytetarët me “Kartë Shëndeti, në çdo rreth është hapur vetëm nga 1 sportel (zyrë) me nga 1 punonjës që duhet të pajis qytetarët me këtë dokument, pavarësisht nga numri i popullsisë që ka çdo rreth, sidomos rrethet dhe qytetet e mëdha në qendër të 12 qarqeve! Vetëm nga 1 sportel me nga 1 punonjës është hapur në Elbasan, Dibër, Fier, Kavajë, Lezhë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Mirditë, Has, Malësi e Madhe e në çdo rreth tjetër. Skandali kalon edhe caqet e një logjike absurde, kur konstaton se edhe në Tiranën me 1 milionë banorë të regjistruar, ministria “Beqja” ka hapur vetëm një sportel për të pajisur qytetarët me “Kartë Shëndeti”! Këto sportele (zyra) shërbejnë nga ora 8.00 deri në orën 14.00, ndërkohë që ditën e shtunë e të diel të çdo jave e kanë pushim… zyrtar! Bëni llogarinë për rrethin e Tiranës, ku në sportelin e vetëm që është në shërbim jepen vetëm 50 karta shëndeti dhe mëson se pas kohësh mund të pajisen me karta 1 milionë qytetarë! Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk japin asnjë sqarim se përse nuk hapen sportele të tjerë për të lehtësuar dhe përshpejtuar pajisjen e qytetarëve me “Kartë Shëndeti”, paçka se është dhënë ultimatum prej ministrit Beqja, që ky proces të përfundoj sa më shpejt! Si proces, pajisjen me këtë kartë e realizon zyrtarisht Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) në çdo rreth. Gazeta “Telegraf” bisedoi me disa nga drejtorët rajonalë dhe përgjegjësit e zyrave të FSDKSH në rrethe dhe ata deklaruan se nuk mund të hapin dot më tepër sportele, mbasi ky është urdhri që ka dhënë ministri, që ditën e parë më 28 janar 2015, kur prezantoi modelin e “Kartës së Shëndetit” dhe nisjen e pajisjes me to. Drejtuesit e FSDKSH të qarqeve e rretheve, na konfirmuan faktin që shërbimi vetëm me 1 sportel, ka krijuar “torturë” për qytetarët, shumica e të cilëve janë nga fshatrat e largët dhe detyrohen të dergjen në radhët e gjata disa ditore të sporteleve të vetëm, që ka hapur ministria! A mund të mendohet e pranohet logjika, që gjithë Tirana, Korça, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Fieri e Vlora si rrethe të mëdha, të kenë vetëm nga 1 sportel e nga 1 punonjëse që pajisin qytetarët me “Kartë Shëndeti”, ndërkohë quhet që vetëm në paradhomën e ministrit e të drejtorëve të FSDKSH në qarqe, ka nga 3-4 sekretare që shërbejnë si sekretare?! Situata e rëndë dhe shqetësuese është krijuar pas ultimatumit të lëshuar prej ministrit Beqja, që t’u bëhet presion qytetarëve që të pajisen urgjent me këto karta, ndryshe, sipas kërcënimit, pas datës 1 janar 2016, ata që nuk pajisen me “Kartë Shëndeti” nuk do të përfitojnë vizita mjekësore falas dhe rimbursim ilaçesh! Ka mjaftuar ky kërcënim i ministrit Beqja, i përhapur si “model” presioni prej vartësve të tij në qarqe e rrethe deri nga “Mjekët e familjes”, për të krijuar kaosin dhe rrumpallën me radhë të gjata, me ecejake e pagesa vërtetimesh nëpër zyra, me radhë të gjata dite e natë përballë sportelit “Karta”, madje edhe me pagesat tek sekserët, për t’u pajisur me këtë “kartë gogol” që po u… nxin jetën me stres e lodhje! 
    —————————————-
    Ultimatumi kërcënues i Ministrit Beqja/ Pas 1 janarit 2016, nuk ka vizita mjekësore dhe rimbursim ilaçesh pa kartë shëndeti
    Ja ultimatumi kërcënues, lëshuar nga ministri Beqja, për të detyruar qytetarët, që të pajisen urgjent me “Kartë Shëndeti”, proces që sipas skemës, ministria ka vendosur ta realizoj “brenda ditës” me shërbim me 1 sportel dhe 1 punonjësve në çdo rreth! Sipas ultimatumit “Beqja”, duke filluar nga 1 janari 2016, “Karta e Shëndetit” do të jetë dokument i vetëm që vërteton se personi është i siguruar në skemën e sigurimeve shëndetësore. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), vetëm 10 ditë përpara 31 dhjetorit 2015, ka dhënë “alarmin” në çdo qytet, se Libreza e Shëndetit” që është në qarkullim, do të jetë e vlefshme deri më 31 dhjetor 2015 dhe se, duke nisur nga 4 janari 2016, recetat e ilaçeve me rimbursim, do të ekzekutohen vetëm kur qytetari të paraqes “Kartën e Shëndetit”.
    ———————————-
    A vlen karta e shëndetit edhe për shërbimet në spitalet private?
    “Karta e shëndetit” është e vlefshme edhe për shërbimet që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ofron edhe në sektorin privat, duke njohur disa nga paketat e shërbimeve shëndetësore. Bëhet fjalë për 10 paketa, kryesisht të shërbimit të Kardiologjisë dhe Nefrologjisë, të cilat sot përfitohen në spitalet publike dhe ato private, të financuara 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Kështu ndodhtë realisht përfitimi nga kjo kartë, siç thotë ministria dhe (FSDKSH). Sipas deklarimit të ministrisë, “Karta e Shëndetit” do të njoh edhe shërbimin mjekësor për paketën e Dializës si në spitalet publike ashtu edhe ato private, sipas çmimeve të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku përfitues, thuhet (nga Ministria dhe FSDKSH) se deri tani janë 900 pacientë, ashtu siç thuhet se nëpërmjet kartës, do të përfitojnë të gjithë ata pacientë që kanë nevojë. Sipas ministrisë dhe FSDKSH, për t’i përfituar këto shërbime pacientët duhet të ndjekin sistemin e referimit, ku kusht kryesor është “Karta e Shëndetit”.
    —————————- 
    Ja 15 kategoritë, që kanë të drejtë të pajisen me “Kartë Shëndeti”dhe të përfitojnë prej saj
    1. Pensionistët
    2. Invalidët e luftës
    3. Të punësuarit
    4. Jetimët
    5. Të vetë-punësuarit
    6. Të siguruarit vullnetarisht
    7. Fëmijët
    8. Invalidët
    9. Kujdestarët e invalidëve
    10. Nxënësit
    11. Studentët
    12. Gratë shtatzëna
    13. Personat me ndihmë ekonomike
    14. Punëkërkuesit e papunë
    15. Viktimat e trafikimit
    —————————————————-
    Dokumentet që u nevojiten 26 kategorive sociale, për t’u pajisur me “Kartë Shëndeti”
    Për të punësuarit
    Kërkohet libreza e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor. Për këtë kategori do të merren në konsideratë edhe shënimet e bëra nga punëdhënësi, për raportet mjekësore që paguhen nga ISSH. Afati i përdorimit të librezës do të jetë 6 muaj nga data e lëshimit.
    Për të vetë-punësuarit
    Kjo kategori duhet të dorëzojë librezën e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, me një afat përdorimi deri në 3 muaj nga data e lëshimit.
    Për të siguruarit në mënyrë vullnetare
    Kërkohet kontrata e lidhur me Fondin e Sigurimeve, si dhe dokumenti që vërteton derdhjen e kontributit vullnetar pranë drejtorisë rajonale të degës së sigurimeve shoqërore.
    Për fëmijët 0-1 vjeç
    Për këtë kategori kërkohet certifikatë lindje. Afati i përdorimit do të jetë nga data e lëshimit deri në moshën 12 muaj.
    Për fëmijët 1-18 vjeç
    Duhet të dorëzohet certifikatë lindje, ndërsa afati i përdorimit do të jetë nga data e lëshimit deri në moshën 18 vjeç.
    Për studentët 18-25 vjeç
    Kërkohet karta e identitetit, vërtetim nga universiteti përkatës, brenda ose jashtë vendit (i përkthyer dhe noterizuar për universitetet jashtë vendit). Afati i përdorimit do të jetë 1 vjeçar nga data e lëshimit deri në moshën 25 vjeç.
    Për kujdestarët e invalidëve Para dhe Tetraplegjikë
    Në dokumentet që kërkohen duhet të jetë libreza e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe
    shëndetësor. Për këto karta përdorimi do të jetë pa afat.
    Për invalidët e plotë
    Duhet të dorëzojnë vërtetimin e invaliditeti të marrë nga dega e sigurimeve shoqërore, si dhe librezën e invaliditetit. Përdorimi do të jetë pa afat të përcaktuar.
    Për invalidët e pjesshëm
    Vërtetim invaliditeti nga sigurimet shoqërore, si dhe libreza e invaliditetit. Përdorimi do të jetë sipas afateve të përcaktuara në vërtetimin e lëshuar nga këto organe.
    Për invalidët e luftës
    Kjo kategori duhet të dorëzojë vërtetim invaliditeti nga sigurimet shoqërore, të shoqëruar edhe nga libreza e invaliditetit. Përdorimi do të jetë pa afat të përcaktuar.
    Për veteranët
    Dokumentet e kërkuara për këtë kategori janë statusi i veteranit dhe libreza veteranit. Përdorimi i kartës do të jetë pa ndonjë afat të përcaktuar.
    Për pensionistët
    Për pensionistët kërkohet libreza pensionit sipas kategorive të Sigurimeve. Edhe për këtë kategori vlefshmëria e dokumentit të dorëzuar do të jetë pa ndonjë afat të përcaktuar.
    Për pensionistë e parakohshëm, të pjesshëm e të reduktuar
    Në të gjitha këto raste aplikuesit duhet të dorëzojnë librezën e pensionit sipas kategorive të sigurimeve shoqërore ku bëjnë pjesë.
    Për personat pa pension pleqërie
    Për këtë kategori nevojitet dorëzimi i kartës së identitetit, ose certifikata e gjendjes civile që vërteton moshën mbi 65 vjet për burrat dhe mbi 60 vjet për femrat.
    Për të verbrit
    Duhet të dorëzohet libreza përkatëse e lëshuar nga drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, ose Vendim i Komisionit të Verbërisë. Lidhur me përdorimin sqarohet se për këtë kategori dokumenti i pajisjes me kartë do të përdoret sipas fateve të përcaktuara në librezën e lëshuar nga komisioni.
    Për jetimët
    Kërkohet libreza përkatëse e lëshuar nga drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror që vërteton statusin e jetimit. Afati i përdorimit do të jetë sipas përcaktimeve kohore të bëra në librezë, por jo përtej moshës 25 vjeçare.
    Për përfitueset e lejes së lindjes
    Dokumenti që kërkohet në këtë rast konfirmohet sipas shënimit të punëdhënësit në librezën e
    kontributeve dhe përdorimi do të jetë po sipas afateve të librezës.
    Për gratë shtatzëna
    Kërkohet vërtetim i konsultorit shëndetësor për periudhën e shtatzënisë. Përdorimi do të jetë me afat sipas përcaktimeve të bëra në përmbajtjen e vërtetimit të lëshuar nga konsultori.
    Për personat me aftësi të kufizuara
    Kërkohet vendimi i komisionit që ka faktuar aftësinë e kufizuar të aplikuesit, sipas afateve të përcaktuara.
    Për personat me ndihmë ekonomike
    Kërkohet vërtetim nga njësia e pushtetit vendor për personat e familjes që përfiton ndihmën ekonomike. Do të jetë me afat 3 mujor, nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.
    Për të papunët punëkërkues
    Kërkohet kartela personale e punëkërkuesit të papunë, lëshuar nga zyra rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Afati i përdorimit 3-mujor nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.
    Për të sëmurët me CA
    Përgjigja e konsultës së specializuar që vërteton diagnozën. Përdorimi do të jetë 1 vjeçar nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.
    Për të sëmurët me TBC
    Kërkohet përgjigja e konsultës së specializuar që vërteton diagnozën. Afati i përdorimit do të jetë 1 vjeçar nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.
    Për azilkërkuesit
    Kërkohet leje qëndrimi për të huajt, nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin. Afati i përdorimit nga data e lëshimit deri në afatin e qëndrimit sipas përcaktimit në lejen e qëndrimit.
    Për viktimat e trafikimit
    Kërkohet vërtetim nga strukturat e Ministria e Brendshme. Afati i përdorimit do të jetë një vjeçar nga data e lëshimit të vërtetimit.
    Për raste të veçanta
    Në kategorinë e rasteve të veçanta përfshihen: “Skleroza multiple, talasemia major, deficiti i hormonit të rritjes, gjendjet post-transplantit renal, aplazia modulare”. Për këto kategori kërkohet përgjigja e konsultës së specializuar që vërteton diagnozën. Afati i përdorimit do të jetë një vjeçar nga data e lëshimit të kartës së shëndetit.
    Sigal