Karburantet, rrezik potencial për banorët e kryeqytetit

    442
    Karburantet nëpër rrugët e Tiranës, tashmë jo vetëm që janë shtuar aq shumë, por edhe rreziku ndaj qytetarëve apo banesave përreth tyre është mjaft i madh. Mund të thuhet se në raport me numrin e lagjeve, numri i karburanteve është më i madh. Apo mos vallë duhet të presim që numri i tyre të rritet, dhe se shumë shpejt do të kemi më shumë karburante se makina. Bashkia duhet të ndërmarrë masa urgjente ndaj këtij shqetësimi dhe ashtu siç po mbyllen disa biznese, që nuk plotësojnë kushtet, edhe karburantet që përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve, duhet të mbyllen. Jo vetëm në rrugët kryesore por edhe nëpër lagje t’i shikon syri. Gjithandej karburante! Dhe jo vetëm të ndërtuara enkas, por ato janë hapur dhe funksionojnë edhe nëpër katet e para të pallateve, duke u bërë kështu padyshim edhe një rrezik potencial, jo vetëm për banorët e pallateve ku ndodhen këta karburante por edhe për kalimtarët e tjerë. Mos vallë (larg qoftë) duhet të pritet deri sa të ndizet e të marrë flakë ndonjë karburant, madje të marrë dhe jetë njerëzish, pastaj të ndërhyet?! Theksojmë këtu se në vendet e tjera, karburantet ndërtohen jashtë qendrës apo unazës së qytetit, dhe jo poshtë apo ngjitur me pallatet e banorëve. Edhe këtu në Tiranë, ata pronarë karburantesh që duan të ushtronjë biznesin e tyre, mund të zhvendosen në periferi ose në vende të përshtatëshme, por kurrësesi në katet e para të pallateve ku banojnë me dhjetra apo qindra banorë. Është tepër e domosdoshme që edhe në këtë drejtim të fillojë “operacioni” si nga bashkia ashtu dhe nga institucionet përkatëse. 
    ***
    Vendosja e kutive për sendet e gjetura, e domosdoshme!
    Rritja e popullsisë në kryeqytet dikton padyshim dhe nevojën e vendosjes së disa kutive për hedhjen e sendeve të gjetura. Nëpër rrugët e Tiranës, ndodh shpesh se nga nxitimi i njerëzve për të kapur autobuzin apo për të shkuar gjetkë, ndonjërit, i dalin nga xhepi sendet që ka me vete, përshembull: portofoli, celulari, ora, dukumenta etj. Dihet tashmë se në shumicën e rasteve, ata persona të pa ndërgjegjshëm, çdo send që gjejnë në rrugë, i marrin dhe i fusin në xhepat e tyre. Por duhet thënë, se ka dhe nga ata njerëz të ndërgjegjshëm të cilët nëse i shohin këta sende të rëna në tokë, nuk i marrin, pasi nuk kanë se ku t’i dorëzojnë ato. “Nëse do të kishte një kuti këtu afër, do t’i merrja dhe do t’i hidhja në të”, u shpreh një qytetarë teksa kalonte para pallatit të kulturës në kryeqytet, i cili kishte parë disa fotografi dhe një kartë identiteti të rëna përtokë. Kujtojmë, se para viteve ’90, nëpër rrugët e Tiranës, sigurisht në vende të dukshme, ka patur të instaluara edhe kuti me mbishkrimin ‘këtu hidhen sendet e gjetura”. Bashkia e Tiranës, veç problemeve dhe punëve të shumta që ajo ka, duhet të mendojë edhe për vendosjen e kutive për hedhjen e sendeve të gjetura. Ata mund të vendosen nëpër vende të dukshme, si në rrugët dhe bulevardet kryesore, nëpër stacionet e autobuzëve, para institucioneve të ndryshme etj. Vendosja e këtyre kutive padyshim që do të imponojë edhe ndërgjegjen e atyre qytetarëve që gjejnë në rrugë ndonjë send, me apo pa vlerë, dhe që të mos i shkelin me këmbë apo t’i fusin në xhepat e tyre, por t’i hedhin në vendin e duhur, në kutinë e hedhjes së sendeve të gjetura.
    ***
    Pastrueset e rrugës dhe pluhuri që thithin njerëzit!
    Që Tirana të mbahet e pastër, punonjëset e pastrimit të rrugëve i shohim çdo ditë me fshesa në duar. Në të gjitha rrugët, bulevardet dhe sheshet e kryeqytetit, si rrjedhojë e këtij pastrimi shohim dhe pluhurin që ngrihet përpjetë dhe që duket si tym dhe mjergull. Por nga ana tjetër, ata nuk mendojnë se pluhurin që ngrihet lart nga ky pastrim, shkakton një pasojë të rëndë për shëndetin e njerëzve, pasi i gjithë pluhuri që thithet depërton tek organet e mushkërive të njeriut. Një qytetarë i cili priste autobuzin në stacion, iu drejtua një pastruesje teksa pastronte aty pranë duke i thënë se mire që pastroni ditën por para se të filloni pastrimin, duhet të lagen rrugën me ujë. Kujtojmë këtu se ka qenë një traditë ose praktikë pune që rrugët e qyteve, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Rrugët pastroheshin vetëm natën, dhe as që bëhej fjalë për ditën. Kështu që kur qytetarët fillonin të lëviznin në orët e para të mëngjesit, i gjenin rrugët dhe mjediset e qytetit, të pastra. Prandaj, para se të fillojnë simptomat e para të infeksionit të mushkërive, bashkia e Tiranës do të bënte mirë të ndryshonte organizimin e punës për pastrimin e rrugëve të qytetit, që të rikthehet tradita e dikurshme, që rrugët të mos pastrohen ditën, por natën, pasi kështu mendohet se iu shërbehet më mirë qytetarëve.
    Ferit SHQEFNI 
    Sigal