Kaos nëpër shkolla, mësimi me dy turne, nuk ka ambiente

    426
    Sigal

    Fillon viti i ri shkollor me mbingarkesë në shumicën e shkollave të kryeqytetit

    Me mijëra nxënës janë ulur ditën e djeshme në bankat e shkollës për fillimin e vitit të ri shkollor 2012-2013. Por ashtu si edhe vitet e tjera mungesa e ambienteve për të zhvilluar normalisht mësimin do ti detyrojë edhe këtë vit nxënësit dhe mësuesit e shumë prej shkollave të kryeqytetit që të zhvillojnë mësimin me turne. Në një vëzhgim që ka bërë gazeta “Telegraf” ka vërejtur se, në shumicën e shkollave të kryeqytetit mësimi do të jetë me dy turne dhe me shumë nxënës se normalja në një klasë. Shkolla “Ismail Qemali” në kryeqytet është një ndër shkollat e mesme më të kërkuara, por edhe pse kërkesa është e lartë nuk janë marrë masa për shtimin e ambienteve. Vetëm në këtë gjimnaz janë gati 13 klasa të viteve të para. E normalisht s’ka si të ndodhë tjetër përveçse zhvillimit të mësimit me dy turne. Një mësuese e kësaj shkollë na bën të ditur se: “mësimi do të bëhet me dy turne, kemi ngarkesë të madhe, pasi jemi një ndër shkollat më të kërkuara në kryeqytet. Ngarkesa do të jetë e madhe si për mësuesit, por edhe për nxënësit pasi nuk është e lehtë që të zhvillohet deri në orët e vonë mësimi”. Por “Ismail Qemali” nuk është e vetmja shkollë që haset me këtë vështirësi, pasi janë edhe shkolla të tjera si “Qemal Stafa”, “1 Maji”, “Sabaudin Gabrani”, që kanë po të njëjtën problematikë. Edhe në këto shkolla mësuesit kanë thënë për “Telegraf” se: “Situata është e vështirë dhe sjell lodhje si për nxënësit po ashtu dhe për ne mësuesit. Presim që të ndryshojë situata në ditët në vijim, urojmë që të ketë ndonjë investim dhe të hiqet mësimi me turne”

    Masat

    Edhe pse kjo problematikë nuk ka dalë këtë vit për herë të parë nuk janë marrë masat e duhura nga institucionet përkatëse për rregullimin dhe sistemimin e nxënësve më qëllim zhvillimin e shkollës normalisht. Ashtu siç bën të ditur edhe Drejtoria Arsimore Tiranë për këtë vit janë bërë dy shkolla dhe janë rikonstruktuar dy shkolla të tjera. Këto investime janë të pakta dhe të pamjaftueshme përballë situatës së mbipopullimit të shkollave në kryeqytet edhe për vitin e ri shkollor.

    Nxënësit dhe prindërit të pakënaqur

    Nxënësit duke qenë grupimi i parë që duhet të përballen me mësimin me turne janë të pakënaqur, por shprehen se nuk kanë mundësi tjetër. Të pyetur nga “Telegraf” ata kanë theksuar se: “Nuk na pëlqen mësimi pasdite, sidomos kjo bëhet më e vështirë tani në periudhën e dimrit që do të jetë edhe koha me shi dhe e ftohtë. Jemi regjistruar se nuk kishim mundësi dhe alternativë tjetër për shkollën paradite”. Ndërkohë që, edhe prindërit që shoqëronin fëmijët e tyre në ditën e parë të shkollës kishin po të njëjtin shqetësim në lidhje me këtë problematikë. “Është e vështirë mësimi për fëmijët tanë që ta bëjnë shkollën me orare të pasdites. Më vonë do të jetë edhe më e vështirë sepse do jetë edhe dita më e shkurtër, po ashtu edhe koha do jetë më e keqe”.