Kaos në kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit

    396
    Përfundon nesër afati i regjistrimit paraprak të fëmijëve në kopshte dhe në klasën e parë në Tiranë. Kjo fazë ka nxjerr në pah gjendjen në të cilën janë shkollat dhe kopshtet si dhe dukurinë e mbipopullimit dhe mungesës së kapaciteteve për të përballuar numrin e lartë të aplikuesve. Ndërkohë kur ka edhe një afat tjetër në shator për këto regjistrime, shifrat e regjistrimit të deri tanishme janë të papërballueshme sa i përket kapacitetit të çerdheve dhe shkollave në kryeqytet. Të dhëna nga Drejtoria Rajonale Arsimore e Tiranës flasin për shifra të papërballueshme nga kopshtet dhe shkollat nga regjistrimet e realizuara deri tani, sidomos në qendër të kryeqytetit, problematikë kjo e konstatuar edhe vitet e kaluara. Fluksi i këtyre kërkesave të mëdha flet për domosdoshmëri e hapjes së çerdheve dhe shkollave të reja, pasi mungesa e tyre sjell fenomenin e mbipopullimit dhe numër të madh të fëmijëve nëpër grupe, në një kohë kur edhe kërkesat e prindërve përqendrohen më shumë tek kopshtet dhe shkollat publike. Regjistrimet paraprake u hapën më 25 qershor dhe do të vazhdojnë deri nesër me 7 korrik 2015, por prindërit mund të regjistrojnë fëmijët edhe në shtator, kohë kur fillon edhe procesi mësimor. Regjistrimi paraprak bëhet për të mësuar nevojën për edukatore dhe mësuese si dhe ndarja në grupe të fëmijëve. Në këtë rast fluksi i lartë i kërkesave për regjistrim dhe rreziku i përballjes me mungesë të ambienteve edukative, vënë në dukje nevojën e ndërhyrjes emergjente dhe marrjen e masave të menjëhershme nga organet kompetente dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS). Ky problem është konstatuar dhe raportuar edhe nga vetë Drejtoria Rajonale Arsimore e Tiranës, ndërsa deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga institucionet përgjegjëse për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë fluksit të papërballueshëm të fëmijëve që janë regjistruar për të vazhduar klasat e para dhe kopshtin. 
    Problemet e mbingarkesës në grupe dhe klasa
    Mbipopullimi i grupeve në kopshte dhe klasave, shoqërohet me vështirësitë që hasin mësuesit, edukatorët dhe fëmijët për mbarëvajtjen e procesit mësimorë dhe edukativ. Ngarkesë në grupe dhe klasa ka pasur edhe vitet e kaluara, ky mesatarja shkonte nga 30 deri 40 fëmijë, numër i cili e bën edhe më të vështirë punën e edukatorëve dhe mësuesve, por përveç kësaj edhe fëmijët kanë më pak hapësira për të mësuar më shumë. Ndryshe nga vitet e kaluara, një numër i lartë prindërish i janë drejtuar DAR Tiranë, në fazën paraprake me qëllim për t’i regjistruar fëmijët e tyre që tani, duke evituar fazën përfundimtare të regjistrimeve. Ky fluks i lartë sjell në vëmendje edhe njëherë nevojën për hapjen e më shumë çerdheve dhe shkollave në kryeqytet. Në fazën përfundimtare pritet që të ketë një numër të madh aplikuesish të cilët do të vënë në dukje edhe më shumë nevojën për zgjerimin kapaciteteve në kopshte dhe shkolla. Ndërkohë dokumentet të cilat nevojiten për të regjistruar fëmijët në shkolla dhe kopshte janë, certifikatë lindje, raporti mjekësor për vaksinat dhe vërtetimin lagjeje që je banor.
    Sigal