Kaos në ISSH, rikthehen radhët e komunizmit

    353
    Pranë qendrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në kryeqytet, prej shumë ditësh vazhdon gjendja kaotike e njerëzve që presin në radhë për orë të tëra për të plotësuar dokumentacione përkatëse, të cilat lëshon kjo zyrë sigurimesh. Fluksi i madh i personave që i drejtohen këtij institucioni dhe numri i pakët i sporteleve çon në krijimin e situatave të cilat nuk janë aspak të këndshme dhe që për më tepër janë të lodhshme për personat që i drejtohen këtij institucioni. Tërheqja apo dorëzimi i dokumenteve që vërtetojnë shlyerjen e sigurimeve shoqërore pranë kësaj qendre bëhen shumë të vështira. Pjesë e këtyre radhëve të gjata janë dhe pensionistët, të cilët i janë drejtuar kësaj qendre për tërheqjen e dokumenteve të pensionit apo KEMP-it, të cilët janë të detyruar të presin në radhë me një biletë në dore, e cila tregon numrin e radhës, të cilat këta pensionistë dhe këta invalidë janë të detyruar të presin pavarësisht gjendjes së tyre shëndetësore. 

    Të pyetur nga Gazeta “Telegraf” në lidhje me këtë situatë, të cilën këta të moshuar, por jo vetëm kanë ditë që e vuajnë, ata shprehen të indinjuar se: “Kjo situatë është e tillë prej disa ditësh dhe se asnjë njeri nuk na jep një shpjegim në lidhje zgjidhjen e kësaj situate, shprehen personat që kanë orë dhe ditë të tëra pranë kësaj qendre. Një i moshuar, i cili priste në radhë që në orët e para të mëngjesit shprehet: “Kam ditë të tëra që paraqitem pranë kësaj qendre për tërheqjen e dokumenteve për pension dhe KEMP, dhe ende nuk e kam marrë, sepse numri që kam marrë për të pritur në radhë ka qenë i 89-ti, dhe derisa më erdhi radha për të marrë dokumentet, mbaroi orari i përcaktuar nga kjo qendër për shërbim, në këtë mënyrë jam i detyruar të rikthehem përsëri ditën e nesërme për të mbaruar punë, pavarësisht problemeve që kam me shëndetin”, shprehet i indinjuar i moshuari. kjo situatë e rënduar dita ditës është e tillë për të gjithë. Lidhur me këtë problem, punonjësit e kësaj qendre shprehen se fluksi është tepër i madh dhe kërkohet urgjentisht shtimi i sportele për të evituar radhët e gjata të pritjes, kjo sepse situatë paraqitet e rënduar dhe për vetë punonjësit e sporteleve, të cilët punojnë nën presionin radhëve dhe të kohës. Në hyrje të këtij institucioni është vendosur dhe një letër ku thuhet se, nga e hëna në të enjte shërbimi kryhet me orar të plotë, ndërsa ditën e premte, të shtunë dhe të diel, ky orar reduktohet, duke ofruar shërbim vetëm brenda orarit 07:00-13:00 ditën e premte dhe 07:00-15:00 ditën e shtunë dhe të diele. Ky shkurtim oraresh bën që dhe ngarkesa të jetë më e madhe.

     Ditën e premte në orën 13:00, dera kryesore mbyllet, duke lënë jashtë të gjithë personat që paraqiten pranë kësaj qendre qofte dhe për të marrë një shpjegim nga ana e punonjësve. I tillë është rasti i një zonje, e cila ka pritur për më shumë se 15 minuta jashtë derës për të marrë një informacion, por dera kryesore nuk u hap edhe pas shumë lutjesh nga ana e zonjës së moshuar. Për të evituar konfliktet me personat që presin në radhë jashtë derës kryesore, pasi orari i përcaktuar përfundon, roja i këtij institucioni i nxjerr nga dera tjetër personat që mbarojnë punë, kjo sipas tij bëhet për të mos lejuar hyrjen e personave të tjera nga dera kryesore, pavarësisht se numri i tyre është i madh. Kjo situatë pranë ISSH-së, vazhdon të jetë e tillë për disa ditë me radhë, edhe pse punonjësit kanë kërkuar shtimin e sporteleve, gjë e cila nuk ka ndodhur, duke çuar në krijimin e radhëve të gjata pa orar dhe pse fluksi i personave është tepër i madh.
    Sigal