Kaos me kolaudimin e makinave, qytetarët: Marrim gjoba pa shkak nga gabimet e punonjësve

    585
    Sigal

    Ankesa në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar për probleme te kolaudimi i makinave

     Kolaudimi i makinave është kthyer në një “tmerr” për drejtuesit mjeteve për shkak të problemeve që krijohen dhe për shkak të rregullave që janë. Një problem më vete sipas drejtuesve të mjeteve është edhe lënia në fuqi e ligjit për taksën e regjistrimit. Sipas ligjit, një makinë që blihet më kilometrazh zero nuk paguan taksë regjistrimi për tre vjet, pavarësisht se ajo mund të bëjë shumë shpejt mijëra kilometra. Ndërsa nga ana tjetër një makinë tjetër që mund të ketë bërë 16 mijë kilometra duhet të paguajë deri në 500 mijë lekë të vjetra. Kjo sipas drejtuesve të automjeteve nuk është e drejtë. Duke qenë se taksa e regjistrimit është vendosur në mënyrë të padrejtë sipas drejtuesve të mjeteve ato kërkojnë që kjo taksë të hiqet për të tërë dhe të shtohet tek karburantet, pasi kjo do të ishte një mënyrë më e drejtë. Po ashtu taksa e shtuar tek karburantet është dhe një praktikë që përdoret edhe në vende të tjera si në Gjermani.

    Problematika me gjobat e padrejta

    Qytetarët që disponojnë një automjet e kanë pasur të detyrueshme të paraqiten në zyrën e kolaudimit të makinave dhe ata e dinë më mirë se çdo të thotë të sorollatesh nëpër zyra dhe të paguash gjoba për shkak të gabimeve të punonjësve të këtyre zyrave. Për këto arsye ato mendojnë se shërbimi që u ofrohet në këto zyra nuk është aspak i mirë Për gabime të tilla të punonjësve qytetarëve u është dashur të harxhojnë kohë pafund dhe po ashtu të paguajnë edhe gjoba. Pranë zyrës së Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, paraqiten me dhjetëra raste të cilat ankohen për padrejtësitë dhe vonesat që u shkaktohen. Perikli Came është një ndër qytetarët, i cili ka vuajtur për një gabim që i është bërë nga punonjësja e Zyrës së Kolaudimit. Për këtë gabim ai ka humbur kohë dhe po ashtu ka paguar edhe para më shumë se sa duhet të paguante realisht. Perikliu është ankuar për një shërbim të vonuar që ka marrë nga Qendra e Kolaudimit në NSHRAK Tiranë për mjetin e tij “Motorr” madje dhe me gjobën prej 10.000 lekësh për mungesë të kohës së kolaudimit, kur mangësitë ishin të Qendrës së kësaj zyre ne dokumentacion e jo koha e paraqitjes se dokumenteve pranë tyre. Ndonëse  vetë personi është paraqitur në kohën e duhur dhe me dokumentet e duhura në vendin e Kolaudimit të mjetit, ku përfshihen një sërë numrash e dokumente të motorit që vërtetojnë mjetin lejen, gjendjen funksionale, etj  të cilat ishin të shënuara në dokumentet që ai dispononte. Duke folur për “Telegraf” vetë zoti Perikli tregon se: “Gjatë shërbimit të kryer po në këtë qendër janë fshirë disa numra të serisë dhe unë porsa i kuptova dhe i ballafaqova i vura në dijeni, për këtë mangësi që kishte në dokumentet e mia. Dhe kur ju drejtova atyre ata më thanë se janë bërë disa gabime në seri nga ana administratës, të cilat janë gabime teknike, nëse ju do të keni problem të tilla ne përgjigjemi”.

    Pasojat e gabimeve të punonjësve i vuajnë qytetarët

    Ai vijon duke treguar më tej se: “Kontrolli dhe inspektorët më ndaluan me mjetin që unë kisha dhe më thanë që nuk ju përputhen dokumentet me numrin e serisë,  prandaj unë u detyrova të kthehem në vendin e kryerjes së shërbimit për qartësimin e dokumenteve dhe të serisë së tyre. Ata më thanë se korrigjimi i gabimit tonë do të realizohet në Zyrat e kësaj qendre në Kashar sepse atje ishte regjistrimi”. Nga një gabim i bërë nga ana e punonjësve të administratës së zyrës së Kolaudimit të makinave zotit Perikli ju desh që të sorollatej disa ditë. “Mirëpo u desh një kohë që të bëhej korrigjimi, gjë kjo që nuk ishte për fajin tim, sepse unë isha brenda kohës së duhur për kolaudimin kur dorëzova dokumentet dhe mora shërbimin me gabime dhe shërbimi i keq i kësaj qendre”, shprehet Perikliu. Po ashtu ai tregon së në bazë të Ligjit  Nr. 9902.dt. 17.04.2008 “Për Mbrojtjen e Konsumatorit “neni 4 Për të Drejtat e Konsumatorëve, dhe neni nr. 31 Dëmshpërblimi i  Konsumatorit si dhe neni 41 për detyrimet dhe garancinë ndaj konsumatorit. Ditët që ndodhen në korrigjimin e shërbimit të munguar ju shtyhet afati. Dhe ai është ligjit dhe brenda kohës së duhur. Ai shton se “vonesat ishit të zyrës së shërbimit ndaj qytetareve, që cenoi kështu te drejtat e mia.  Kontrolli më penalizoi me 10.000 lekë gjobë për mungese të kryerjes së Kolaudimit të mjetit në kohën e duhur  kur unë kundërshtova ndëshkimin e pa merituar; Qendra e Kolaudimit me tha: Ouuuu kush na pyet ne. Për shërbime të vonuara të tilla janë mbi 15.000 raste (që zënë shkak dhe ju vendoset gjoba )”. Sipas zotit Perikli, ky është një shërbim i vonuar dhe nuk është  ai fajtor. “Prandaj them se jam ndëshkuar padrejtësisht. Qendra e pranon fajin dhe gabimin në letra në lidhje me serinë, por ato nuk ndërhyjnë që të shtyhej afati i letrave, por unë të paguaj gjobën. Kërkoj të zbatohen ligjet përgjegjësit të vihen para ligjit. Por nuk është rasti i vetëm ai i zotit Perikli. Një tjetër qytetar ka bërë publik padrejtësinë që i është bërë në zyrat e kolaudimit të makinave. Në emisionin e mëngjesit Forum në televizionin Shijak, një qytetar është shprehur se: “Shkova për kolaudimin e makinës dhe zonja ngatërroi datën e pagesës. Ndërkohë që në letra dhe në faturën e bankës unë i kisha në rregull datat, ndërsa në pagesë i kisha gabim për shkak të punonjëses. Dhe kjo më hapi një mal me probleme”. Por raste të tilla ka pafund, pasi për shkak të gabimeve të punonjësve, pasojat i heqin qytetarët.