Kaos me faturat e energjisë, qytetarët: Vijmë çdo ditë tek zyrat, se s’kemi marrë faturat

    100

    Vëzhgim/Prej disa ditësh del jashtë funksionit faqja e internetit të CEZ-it

     Problemet e qytetarëve shqiptarë s’kanë të sosur me energjinë elektrike. Një herë s’kanë energji, një herë u vijnë faturat e larta, një herë nuk u vijnë faturat fare. Qytetarët s’dinë as ku të kërkojnë zgjidhje, sepse nuk i dëgjon njeri për ankesat e tyre. Këtë herë qytetarët nuk po arrijnë që të marrin fare faturat e energjisë elektrike dhe sërish kjo ndodh për faj të administruesve të energjisë elektrike. Por edhe pse dy ditë më parë u tha që problemi i faqes on-linë nga ku merren informacion për faturat do të rregullohet, ditën e djeshme situata ka qenë po e njëjtë në zyrat ku bëhet pagesa e energjisë. Më dhjetëra qytetarë prisnin në radhë për të marrë informacion se çfarë po bëhet me faturat e energjisë elektrike që nuk i kanë marrë. Qytetarët shprehen për “Telegraf” të irrituar për shërbimin që u ofrohet nga kompania. Ashtu siç bëjnë të ditur edhe qytetarët  shërbimi E-Bill i CEZ-it, nga ku qytetarët mund të shikojnë sa lekë kanë për të paguar, nuk funksionon prej disa ditësh. Madje qytetarët aludojnë që kjo mund të jetë edhe një strategji e ndjekur nga administratorët e  CEZ-it, që qytetarët të mos keni mundësi transparence, informimi për të paguar faturat dhe CEZ-i të përfitojë  mbifaturimet dhe me kamatëvonesat, që u rëndon shqiptarëve.

    Edhe administratori i ri Dollapi, sjell probleme

    Problemet me ardhjen e administratorit të ri të energjisë Sahit Dollapi, sipas qytetarëve janë shtuar më shumë, në vend që të merrnin zgjidhje. “Me ardhjen e Sahit Dollapin, si administrator i CEZ-i asgjë nuk ka ndryshuar në shërbimin ndaj shqiptarëve. Madje do të thoja që janë shtuar vjedhjet, mashtrimet ndaj konsumatorëve shqiptarë të energjisë elektrike”shprehet për “Telegraf” Arta. M.  Por CEZ-i, nuk del më humbje nga kjo situatë, sepse për faturat që u vijnë me vonesë qytetarëve do të ketë edhe kamatvonesa, që këta të fundit duhet ti paguajnë. Sepse në të kundërt qytetarëve u ndërpritet kontrata nëse nuk paguajnë kamatvonesat.  Dhe si rezultat i këtyre vonesave që janë krijuar me bllokimin e faqes së internetit, CEZ-i arkëton më shumë para. Por ndërkohë që ankesa nuk kanë ku bëjnë qytetarët. Madje sipas tyre edhe nëse bën ankesa, sërish nuk merr përgjigje. Sepse punonjësit e shërbimit të CEZ-it nuk i japin asnjë dëshmi me shkrim, që faturat e pagimit të CEZ-it janë vonuar e nuk mund të paguhen, edhe pse ka kaluar më shumë  se gjysma e muajit. Ndërsa për çdo orë vonesë pagimi, CEZ-i penalizon qytetarët me përqindje kamate.

    Lezhë, 18 orë pa drita. CEZ njofton ndërprerje në Velipojë

    Kanë kaluar 18 orë që nga momenti kur banorët e komunës Zejmen dhe Lozh në Lezhë kanë mbetur në errësirë të plotë për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Dyshohet se shkak për ndërprerjen e rrymës elektrik  është bërë  një defekt në linjën e tensionit të lartë. Sipas banorëve ende nuk është marrë asnjë masë  për  normalizimin e situatës dhe ata  vazhdojnë të jenë të shqetësuar për këtë fakt. Nga vetë banorët bëhet me dije se në mungesë të plotë të energjisë elekrike  ndodhen edhe 9 fshatra të tjerë përreth. Mungesa e dritave do të vijë për pasojë të një defekti në linjë 35 Kv. Ndërkaq, mësohet se po punohet për riparimin e defektit dhe stabilizimin e situatës.