Kaos dhe mungesë shërbimesh në spitalin e Elbasanit

    387
    Kalvari i mundimeve nuk ka fund për të sëmurët të cilët drejtohen për në spitalin rajonal të qytetit të Elbasanit. Në një investigim të kryer nga gazeta “Telegraf”, janë konstatuar një mori problemesh dhe mungesash në shërbimet me minimale që duhet të ofrojë një spital. Kushtet higjeno-sanitare janë shumë larg nivelit të duhur për një spital, ndërsa mjediset spitalore paraqiten në gjendje të mjerueshme. Siç mund të njiheni edhe përmes fotove, gjendja e mjerueshme paraqitet duke filluar nga shtretërit e pacientëve, të cilët vështirë të quhen të tillë dhe deri tek mbipopullimi i dhomave me pacientë. Një nga pacientët shprehet për “Telegraf” se spitali i Elbasanit nuk ofron as shërbimet me minimale duke akuzuar edhe ministrin e Shëndetësisë për premtime të rreme. “ Ne nuk marrim dot as shërbimet më minimale në spitalin e qytetit tonë, pasi ka mungesë të theksuar medikamentesh dhe aparaturash. Mjekët gjithmonë na orientojnë për të kryer analizat dhe ekografitë në klinika private, duke u justifikuar me faktin se nuk mund të kryhen në spital për shkak të vjetërsisë së aparaturave. Na u premtua se do ketë shëndetësi falas, por as medikamentet me elementare nuk gjinden në spital, ndaj detyrohemi ti drejtohemi farmacive më të afërt në qytet”. Ndërkohë përpos mungesës së ilaçeve dhe aparaturave, në spital mungon edhe recepsioni i orientimit dhe informimit të pacientëve, çka sjell një amulli në korridoret dhe dhomat e spitaleve. I vetmi person që mund ti orientojë është roja i cili gjinde tek dera kryesore e spitalit. Pak metra më tutje disa familjarë të pacientëve deklarojnë se orari i vizitave nuk respektohet asnjëherë, madje sipas tyre duhet mik dhe lek edhe për të lejuar që të futesh në ambientet e spitalit për të shoqëruar pacientet. 

    Farsa e “shëndetësisë falas”
    Përveç peripecive të mungesës së medikamenteve, aparaturave dhe shërbimeve në spitalin e qytetit të Elbasanit vijon të përflitet se është prezent edhe fenomeni i mitmarrjes nga infermieret dhe mjekët. Një nga familjarët e një prej pacientëve të shumtë të shtruar në spital shprehet se asnjë nga bluzat e bardha nuk të përkushtohet edhe pse e ka për detyre e paguhet nga shteti për të ushtruar profesionin, nëse ti nuk u jep nën dorë minimalisht me 2000 lekë të vjetra. Ai thotë : “Jemi të detyruar kundra ligjit tu ngrohim xhepin me para, përndryshe është shumë e vështir që mjekët dhe infermierët të kujdesen ashtu siç duhet për pacientët. Më mirë i paguajmë diçka se sa të rrezikojmë jetën e familjarit nga pakujdesia e mjekëve, sepse nuk kanë qenë të pakta rastet kur edhe harrohen, duke mos u dukur për orë me radhë, ndërsa ne detyrohemi vetë ti heqim serumet të sëmurit”. Problematikat me të cilat përballen pacientët dhe familjarët në spitalin e qytetit të Elbasanit dhe jo vetëm, janë nga më të ndryshme, prandaj ata i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të marrin masa në përmirësimin e situatës dhe ofrimin e shërbimeve për të sëmurët. Por aktualisht jo vetëm spitali i qytetarët e Elbasanit ka probleme të tilla, situatë e njëjtë paraqitet edhe në spitale të shumicës së qyteteve të vendit, për shkak të mungesës së investimeve në aparatura dhe medikamente. Qytetarëve ndryshe nga se u është premtuar për “shëndetësi falas” nga ministri Ilir Beqaj, detyrohen të mbulojnë të gjitha shpenzimet vetë. Siç duket shëndetësia në vendin tonë po vuan ditët më të vështira dhe haraçi në kurriz të qytetarëve nuk ka të sosur. 
    Sigal