Kanceri, rastësi apo mënyrë jetese?

831
Detina & Argita ZALLI
Kanceri është shndërruar në sëmundjen e shekullit duke marrë rreth 8.8 milion jetë njerëzish në 2015 sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Shifrat tepër alarmante të shpeshtësisë dhe vdekshmërisë së kancerit në popullsinë globale kanë lindur prej disa dekadash nevojën për studime shkencore të thelluara në kërkim të shkaqeve, patogjenezës apo mënyrave të mundshme të trajtimit. Ndër të tjera, të kuptuarit e shkaqeve është shumë e rëndësishme për të hartuar politika për parandalimin e kancerit, pra për të ulur shpeshtësinë e tij në popullatë. 

Mekanizmi kryesor që çon në lindjen e një qelize kanceroze është ndryshimi në materialin gjenetik të saj, ndryshe i njohur si mutacion. Mënyrat se si mund të lindë ky mutacion janë të ndryshme. Fillimisht, ai mund të jetë i trashëguar prej prindërve, dhe kjo shpjegon përse personat që kanë histori familjare me kancer kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar kancer sesa personat që nuk kanë. Megjithatë, trashëgimia mbetet një shkak jo shumë i shpeshtë i lindjes së kancerit. Së dyti, mutacionet mund të vijnë si pasojë e gabimeve gjatë kopjimit të këtij materiali gjenetik gjatë përgatitjes së qelizave për t’u shumuar. Siç e dimë, në organizmin tonë ka qeliza të cilat ndahen apo shumohen vazhdimisht, si p.sh qelizat e lëkurës, zorrës, palcës së kockave etj. Së treti, mutacionet mund të vijnë edhe si pasojë e ekspozimit të qelizave ndaj faktorëve si duhani, rrezatimi, viruset, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik etj. Secili prej këtyre vepron me mekanizma të ndryshëm në materialin gjenetik të qelizave duke shkaktuar apo favorizuar lindjen e mutacioneve. 

Megjithëse këto shkaqe të kancerit njihen dhe pranohen gjerësisht, shkenca ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë përqasje të reja lidhur me to.

Shumica e kërkimeve shkencore e lidhin kancerin kryesisht me faktorë të stilit të jetesës si aktiviteti fizik, konsumimi i duhanit apo alkoolit, obeziteti dhe dieta e pasur me yndyrna, rrezatimet, viruse, çrregullime hormonale etj. dhe më pak me trashëgiminë apo me gabimet që ndodhin gjatë dyfishimit të ADN-së. Madje, sipas OBSH-së 30-50% e kancerëve janë të parandalueshëm nëse hiqet ekspozimi ndaj këtyre faktorëve, pra nëse personat bëjnë një jetë sa më të shëndetshme. 

Një studim i fundit nga shkencëtarë të John Hopkins Kimmel Cancer Center, i publikuar në revistën shkencore Science ka hedhur një këndvështrim të ri në lidhje me shkaqet që çojnë në zhvillimin e kancerit. Sipas tij, rreth 66% e mutacioneve që shkaktojnë kancere të llojeve të ndryshëm janë mutacione rastësore gjatë procesit të dyfishimit të ADN-së, 29% janë mutacione që ndodhin si pasojë e ekspozimit ndaj faktorëve të ndryshëm të riskut dhe 5% mutacione të trashëguara nga prindërit. Më thjesht thënë, fakti nëse dikush do të zhvillojë apo jo kancer varet më tepër nga rastësia sesa nga mënyra e jetesës. 

Kjo mund të jetë edhe arsyeja që shpjegon përse inde të cilat kanë shkallë të lartë të ndarjeve qelizore si p.sh lëkura, zorra e trashë, palca e kockave kanë një shpeshtësi më të lartë të kancerëve sesa inde të tjera, qelizat e të cilave ndahen më pak. Për shembull, qelizat e zorrës së trashë ndahen shpesh dhe 5% e të gjithë kancerëve janë nga ky organ. Në të kundërt qelizat e zorrës së hollë ndahen më rrallë, dhe 0.02% e të gjithë kancerëve e kanë origjinën nga ajo. Kjo lidhet pikërisht me faktin që sipas këtij studimi, shumica e mutacioneve përgjegjëse për zhvillimin e kancerit vijnë pikërisht si pasojë e gabimeve që ndodhin gjatë ndarjeve qelizore. 

Ky studim ndez debatin nëse duhet apo jo të modifikohet mënyra e jetesës si një mjet për të parandaluar kancerin. Pra, a duhet ndërprerë konsumi i duhanit, alkoolit, a duhet rritur aktiviteti fizik, a duhet ruajtur një masë normale trupore, etj. nëse duam që të mbrohemi nga kanceri? Në fakt, sa kohë që këto janë provuar si faktorë që mund të shkaktojnë mutacione në gjenet e qelizave pavarësisht se në ç’masë apo përqindje, atëherë çdo përpjekje për të jetuar shëndetshëm dhe për të ulur ekspozimin ndaj këtyre faktorëve është pa dyshim një përpjekje për t’u mbrojtur nga kanceri.
Referencat:
www.sciencedaily.com/releases/2017/03/170323141403.htm
http://science.sciencemag.org/content/355/6331/1330
http://www.who.int/cancer/prevention/tobacco_monitoring/en/
http://www.mayoclinic.org/diseases-conditions/cancer/basics/risk-factors/con-20032378
https://www.thesun.co.uk/living/3163976/two-thirds-of-cancer-are-caused-by-chance-not-lifestyle-or-genes-experts-say/
https://www.scientificamerican.com/article/most-cancer-cases-arise-from-bad-luck/
http://www.iran-daily.com/News/126315.html
Sigal