Kalivaç Green Energy: “Ne nuk jemi si kompanitë e tjera fantazmë”

    452
    Sigal

    Kompania “Kalivaç Green Energy Sh.p.k.” përgënjeshtron artikullin me titull: “Sistemi Cerroni në Shqipëri…” të “Il Messagero”

    Kompania “Kalivaç Green Energy Sh.p.k.” përgënjeshtron artikullin me titull: “Sistemi Cerroni në Shqipëri, vonesa dhe mbrojtje” të gazetës italiane “Il Messagero”, publikuar në datën 31 janar 2014. Në kërkesën për përgënjeshtrim të lajmit, kompania “Kalivaç Green Energy Sh.p.k”, duke iu referuar artikullit dhe citimit të gazetës italiane “Il Messagero” ndër të tjera kërkon që të bëhet korrigjimi përsa i përket: “Autoritetet shqiptare, në fund të vitit 2011, kërkuan llogari mbi ecurinë e ndërtimit të hidrocentralit. “BEG” iu përgjigj duke paraqitur gjendjen e ecurisë së veprës – për të cilën Shoqëria ka investuar deri në këtë pikë, shumën prej 80.000.000,00 Euro – dhe duke parë që, në vitet 2009 – 2010, ndodhën përmbytje dhe shembje, ngjarje që, në bazë të neneve 12 dhe 29 të koncesionit, kanë përcaktuar një zgjatje të afatit për realizimin e hidrocentralit. Për të mos folur pastaj për krizën botërore që shkaktoi gjithandej bllokimin e financimeve për sektorin e infrastrukturës. Pra, nuk është e vërtetë që “qeveria nuk i ka kërkuar llogari Shoqërisë për shtyrjet” e aq më pak që bëhet fjalë për “një hidrocentral fantazmë të pa ndërtuar kurrë në Tiranë”.

    Gjithashtu, Kompania “Kalivaç Green Energy Sh.p.k.” kërkon nga “Il Messagero” që të pëgënjeshtrojë arsyet se pse qeveria shqiptare nuk penalizon këtë kompani. “Ndërkohë, iniciativa të tjera të programuara në Shqipëri në sektorin hidroenergjetik, për prodhime të shumëfishta në krahasim me ato që priteshin nga Kalivaçi, as nuk janë nisur ende (tenderi për realizimin e një impianti në Skavicë mbeti i shkretë; ata për gjashtë impiante mbi lumin Vjosë as nuk janë shpallur; projekti i Enel për centralin me karbon në Porto Romano nuk u nis kurrë; koncensionari i të vetmit tender të dhënë, operatori i parë europian i energjisë së rinovueshme, për impiantin mbi lumin Devoll, pas dhjetë vjetësh, ende nuk ka nisur punimet), vetëm “BEG”, pavarësisht dy luftërave dhe tërheqjes së një partneri të kalibrit të Enel-it, që sipas mendimit të Shoqërisë shkruese, është e paligjshme, ka realizuar deri në këtë pikë 50% të veprës. Kjo është e vetmja arsye pse “Shteti shqiptar nuk ka ndërmend të penalizojë Beçketti-n, domethënë, sepse nuk kishte dhe nuk ka asnjë arsye për ta bërë” shprehet Kompania “Kalivaç Green Energy Sh.p.k.” në kërkesën e tij drejtuar gazetës italiane “Il Messagero”.

    Shteti të zbardhë kontratën me “Kalivaç Green Energy” sh.p.k!

     Është detyrim ligjor i shtetit shqiptar që të zbardhë kontratën me kompaninë “Kalivaç Green Energy” Sh.p.k. si dhe të verifikojë shtyrjet e afatit për përfundimin e projektit. Gjithashtu, është detyrim ligjor i shtetit shqiptar të shohë situatën nga afër dhe ecurinë e mbarëvajtjes së veprës energjetike. Është fakt që, vetë deputeti i zonës z.Fatmir Toçi, kohë më parë, ka denoncuar faktin se asnjë lëvizje nuk ka ndodhur për realizimin e kësaj vepre madhore energjetike. Sipas z.Toçi, premtimet dhe projektet e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit, sollën dhe një realitet të dhimbshëm, për vetë jetesën e fshatarëve, të cilët kanë 10 vjet që iu është prishur ura e vetme që lidh dy brigjet e lumit, në vendin që do të ndërtohej hidrocentrali dhe tani janë të izoluar. Bëhet fjalë për urën mbi Vjosë që do të lidhte Shkozën me Kalivaçin. “Me fillimin e punimeve të hidrocentralit të Kalivaçit, firma ndërtuese mori përsipër edhe ndërtimin e një ure mbi lumin Vjosë, që do të lidhte fshatrat e Sevasterit, por edhe të zonave të tjera të rrethit të Vlorës me Kalivaçin, Ballshin dhe fshatrat e tjerë të Mallakastrës, Memaliajn e më tej me Tepelenën, Gjirokastrën e drejt kufijve jugor. Po kjo urë ende nuk është bërë”, është shprehur deputeti Toçi. Është shteti shqiptar që do të përcaktojë nëse janë cenuar interesat kombëtare në këtë koncesion dhe të zbardhë njëherë e mirë të vërtetën.