Kalabrezët e Ndrangheta, biznes dhe pastrim parash me mafian shqiptare. Kanë trafikuar miliona euro drogë

1739
Sigal

Antimafia italiane: Ndrangheta në biznes me trafikantë shqiptarë

Në dy vitet e fundit është trafikuar rreth 3 ton drogë nga Amerika Latine në Itali dhe Evropë

Lidhjet mes mafias italiane e grupeve kriminale shqiptare janë rikthyer përsëri në vëmendje të mediave italiane pas arrestimit të një prej bosëve mafioz të mafias kalabreze Ndrangheta. Pak ditë më parë Antimafia italiane ka arrestuar bosin mafioz Luigi Abbruzzese, i renditur në listën e personave me të rrezikshëm në Italia dhe i shpallur në kërkim që prej vitit 2015. Luigi Abbruzzese, kapo i klanit mafioz me të njëjtin emër “Abbruzzese” është dënuar nga Gjykata e Apelit me 20 vite burg për trafik droge. Ai u arrestua, ndërsa po përgatitej të arratisej drejt Gjermanisë, ku sipas investiguesve italianë është fshehur dhe gjatë këtyre 3 viteve në kërkim. Në zbardhjen e detajeve të operacionit për arrrestimin e mafiozit, por dhe të aktivitetit të tij kriminal, kreu i Drejtorisë së Antimafias Italiane Nicola Grateri është shprehur se “mafiozi Luigi Abbruzzese nuk është një kriminel i zakonshëm , ai mbante lidhje me trafikantët kolumbianë, afganë e shqiptarë. Si të gjithë trafikantët e mëdhenj ndërkombëtar, ka shëtitur në të gjithë Evropën e në Amerikën e Jugut e nganjëherë kthehej në Itali për të shfaqur fuqinë e tij. Bosi mafioz mundi t’i shpëtojë 3 vite më parë operacionit të anitimafias italiane, i koduar “Gentleman” e i ekzekutuar në shkurt të 2015. Operacioni “Gentleman” çoi në shkatërrimin e kanalit të një trafiku droge nga Amerika e Jugut, Holanda e Shqipëria drejt Italisë.

Në 2 vite është trafikuar kokainë dhe heroinë mbi 45 milionë euro

Në dy vite investigim antimafia italiane zbardhi së është trafikuar rreth 3 tonë drogë. Kokainë e heroinë e cilësisë mjaft të pastër në vlerë mbi 45 milionë euro. Nga operacioni “Gentleman” u sekuestruan gjithashtu 10 kallashnikov, 2 mitraloza Scorpion. 9 pistoleta Parabellum, si dhe ranë në pranga 33 persona mes të cilëve shqiptarët Gazmend Alliu 37 vjeç, Ledio Hajdini 24 vjeç, Dilaver Hajdini 33 vjeç, Zigur Hametaj 27 vjeç, Zamir Oruçi 36 vjeç, Klodja Paza 36 vjeç, Fisnik Smajlaj 41 vjeç, Ilir Ulqinaku 39 vjeç, e Arben Zela 32 vjeç.

Lidhjet mafioze të shqiptarëve me kalabrezët

“Mafia kalabreze në bashkëpunimin e saj me trafikantët shqiptarë ka mundur të mënjanojë dhe grupe kriminale brindizine historikisht në “biznes” me narkotrafikantët e Vendit të Shqiponjave, – deklaron Antimafia Italiane. Sipas investigatorëve italianë fillimisht klaneve mafioze të Ndranghetas shfrytëzonin raportet e vendosura mes trafikantëve brindizinë dhe prodhuesve shqiptarë të marijuanës dhe sapo merrnin kontaktet e kishin fituar besimin e organizatave kriminale shqiptare ia dilnin të mënjanonin ndërmjetësit puliezë e negocionin drejtpërdrejtë me furnizuesit shqiptarë të drogës. Investiguesit italianë kanë identifikuar disa herë mbërritjen në territorin italian të emisarëve të narkotrafikantëve shqiptarë si dhe të personave të ngarkuar për t’u kujdesur për mbërritjen e tyre, për monitorimin e anijeve të rojës bregdetare të Financës, për ndërmjetësimin, përkthimin, financimin, magazinimin, shpërndarjen e deri në shitjen e drogës.