Kadri UJKAJ/ Njëra nga sfidat më serioze të një Rilindjeje të vërtetë

552
Sigal

Reagimi sistematik grek, në dogana, në dëm të një komunikimi normal për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë: Fëmijë, gra, të moshuar, emigrantë me probleme dhe halle nga më alarmantet ka qenë gjithnjë një reagim aspak burokratik, teknik apo defektesh nga më të ndryshme, por ka qenë dhe do të jetë një strategji e vet shtetit grek për të qenë kurdoherë në raporte superioriteti me shtetin shqiptar, në kuptimin e asaj filozofie skllavëruese, që mjerisht prej kaq vitesh ushqehet nga sjellja mazokiste e vet klasës sonë politike. E theksoj këtë fakt, aspak për herë të parë, sepse cilado force politike, që ka ardhur në pushtet, mjerisht, ka heshtur apo thjesht është shtirur sikur po reagon ndaj akteve antishqiptare të grekëve, lexo të qeverisë së tyre, në kurriz të dinjitetit të shqiptarëve. Kjo frymë ka bërë që, në emër të arritjes së kësaj apo asaj mbështetje nga pala greke, ndryshe të këtij apo atij objektiv në proceset e integrimit, shqiptarët (lexo klasa jonë politike), ka pranuar në heshtje denigrimin e personalitetit të shqiptarit deri në diskriminim: Vrasjet, përçudnimet me emrat, tash së fundi edhe me toponimet, janë faktikisht provat më ekselente të presionit grek për ta ruajtur si rezervat të interesave të veta Shqipërinë, duke njohur etjen për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, pra etjen partitokratike, tek cilido ekzekutiv yni në këto 22 vjet. Reagimi i Kryeministrit të ri,në pritje, z.Rama apo edhe i ministrit të Jashtëm, z.Bushati  ndaj brutalitetit doganor, ditët e fundit, kam bindjen se është prologu i asaj Rilindjeje që pritet edhe në aspektin diplomatik filluar me fqinjin  grek dhe cilindo partner. Larg frymës së kultit të cilësdo fuqie politike, si një idhujtari skllavëruese. Modeli Rama, në këtë vështrim, shpresoj të shpalosë vetveten me dinjitet duke na dhuruar edhe në këtë aspekt një risi diplomatike. E them këtë, sepse megjithëse, investimet greke në Shqipëri gjatë këtyre dekadave kanë rrokur ndër vite edhe shifrën mbi 60%  krahasuar me partnerë të tjerë, ndërkombëtarë,  trajtimi i shqiptarëve ka qenë përherë mizerabël: Shqiptari nuk guxon të flasë publikisht, në gjuhën e vet, me shqiptarin, shqiptari që derdh aq shumë djersë dinjiteti në ndërtimin e Greqisë së Re nuk guxon të artikulojë as emrin e vet, emrin që i vuri nëna apo babai  kur erdhi në jetë, shqiptari (këtu kam parasysh çamët) që po investon djersën dhe mundin e tij në Greqinë e ditëve tona nuk guxon të kujtojë as varret e të parëve, nuk guxon të shkojë as në trojet e veta  nga lloj-lloj cenesh të prodhuara nga vetë strukturat qeverisëse greke.  A ka më kulminacion poshtërues se sa momenti kur një shqiptar nga Filati, djali i një antifashisti të njohur çam, gjak i një kombi që ka dhënë gjak më shumë se asnjë komb, për frymë. Për lirinë kundër nazifashizmit, të kërkojë ndihmë që të shkojë në Filat (Çamëri)?!? Dhe brenda së keqes nga shteti grek, personalisht, shoh dhe besoj të mos e shoh më, ka qenë edhe sjellja poshtëruese e një maxhorance në emër të të ashtuquajturës së një diplomacie të matur, faktikisht përpjekjes në çdo rrethanë për të jetëzgjatur kolltukun qeverisës, klientelist dhe aspak shëndetin e demokracisë shqiptare. Çdo sjellje apo qëndrim politikani apo qeverie që robëron popullin e vet nuk është tjetër vetëm sjellje prej pushtuesi ndaj kombit të saj, ndaj popullit që e ka votuar, ndryshe një tallje cinike dhe nëpërkëmbje e vullnetit të Sovranit që i besoi  votën e tij. Kjo përvojë mjerane, kjo traditë e ligë, e pabesë ndaj popullit të vet, kam bindje që do të jetë hipoteza më serioze për ndërtimin e marrëdhënieve me dinjitet, nga qeveria “Rama”, në thelbin e tyre filozofik, politik, diplomatik dhe aspak si hipokrizi civile nën ethet e mazokizmit që e ka cenuar keqas dinjitetin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje, Interesi kombëtar vazhdon të jetë pika më e dobët e vet Bashkimit Europian, kësaj fuqie të madhe progresuese, krahas SHBA-ve, merret me mend se çfarë statusi karikaturë,skllavërues fiton ardhmëria e një vendi të vogël si yni, në qoftë se qeveritarët tanë, politikanët tanë,klasa jonë politike në tërësi dhe veçanërisht maxhoranca qeverisëse harron këtë ‘Thembër Akili’ brenda vetvetes duke injoruar thelbin e misionit të saj në një shoqëri të hapur: Përmirësimi maksimal i jetës ekonomike, kulturore, shpirtërore e qytetareve të saj, të cilët vendin e tyre kanë të drejtë ta shohin jo në rrugën e një supërkolonie, në shinat e një rrugëtimi skllavërues  është detyra nr.1 e shtetit tonë ligjor. Kujtoni kalvaret prej disa kilometrash masakrues në kufirin me Greqinë, kur qarjet e foshnjave, britmat e të pamundurve nga mosha, nga shëndeti, urgjencat e hallexhinjve të pafund në pritje skëterrosëse në automjetet e tyre shoqëroheshin me cinizmin brutal të autoriteteve greke, edhe pse ekraneve tona dhe të botës, qeveritaret tanë prej 22 vitesh byrleken për marrëdhënie miqësore emblematike, të të nderojë tjetri, duhet më parë të nderosh vetveten-ky është kodi diplomatik i komunikimit në Epokën e Dialogut dhe të Integrimit si vlerë demokratike: Të dua ty, sepse dua veten, respektoj lirinë tënde, sepse e urrej skllavërinë ndaj të tjerëve, po aq sa ndaj vetes, aq më shumë si sjellje e më të fortit ndaj më të dobëtit. “Çështja e integrimit europian nuk mund të trajtohet si marrëdhënie mes gjykatësit, Evropës dhe fajtorëve,vendeve të Lindjes, që i kishin ikur si djem plëngprishës kontinentit mëmë, – theksonte Vaclav Havel – përkundrazi marrëdhëniet mes palëve duhen parë vetëm si barazi dhe përgjegjësi e përbashkët e tyre, si rol barazisht aktiv i  të dy palëve… Mënyra e të parit të gjërave për t’iu bashkangjitur më të fortit të momentit, ndryshe “për t’i zhvatur” diçka në formën e një fëmije që pret të vlerësohet, se sillet mirë dhe me edukatë, është pikërisht burimi i prapambetjes sonë në Integrimin evropian”. Vetëm tek kjo filozofi, si filozofia e një Rilindjeje të vërtetë tek e cila sot besojnë shqiptarët, pa le ç’përrallisin oborrtarët e skemave të modelit të shkundur nga pushteti me votën plebishitare të qershorit 2013-të, personalisht e shoh ardhmërinë tonë normale edhe në aspektin problematik me shtetin grek.