Kadri UJKAJ/“Kali shqiptar i Trojës” si kumti i një referendumi

    519
    Sigal

    Koha që jetojmë, në të gjitha drejtimet, vjen si ironi me historinë, por ta servirësh konsensusin si nocion kushtetues, kur konsensusi si teori dhe praktikë njihet vetëm si nocion politik, aq më tepër kur pretendimin e shqiptarëve prej dy dekadash: “Tuzi-Komunë e plotë” e njeh Kushtetuta e Malit të Zi, në kontekstin e të ashtuquajturit Referendum “konsensual” në Malësi (Tuz), është një lojë tinëzare që, të tillë, nuk arrin ta lexosh në asnjë kushtetutë demokratike, do të thotë të pranosh të nëpërkëmbësh dinjitetin tënd, siç po veprojnë shqiptarët “institucionalë” me heshtjen përballë shumicës “së pambrojtur”, madje të tejet politizuar dhe të përçarë nga dredhi të tilla, edhe pas dy dekadash. Kështu statusi i tyre në demokraci i ngjan fatit të kurdëve në Azi: Një ironi therëse, tragjikomike, publike apo tallje mjeshtërore, nën ethet kolltukofage që neglizhojnë iniciativën civile, të përfaqësuesve të tij, përpara këtij “konsensualiteti”- “Kalë shqiptar Troje”. E kam ndjekur prej dy dekadash, shumë nga afër, fatin e malësorëve në Malësi, përmes “TV-Boin”, po ashtu edhe  përmes veprimtarive, serioze, kushtuar historisë sonë kombëtare, të përbashkët, qoftë si analist, apo si kritik letrar, i ftuar pranë këtij televizioni nga miku im Tom Boini, djalë malësie, vërtet inteligjent dhe atdhetar, në rast problematikash sociale, si kjo e fundit, që u rishfaq kësaj radhe në Dinoshë dhe në gjimnazin e Tuzit. Përsëri, edhe sot, kam të njëjtin apel për shqiptarët e Tuzit: Duajeni vetveten, duajeni njëri- tjetrin, lëreni dallimet fetare dhe politike, dallime, thjesht, ideologjike, që kurrë nuk do t’u lënë të jeni vetvetja, aq më pak të dilni nga gracka e një statusi, mjeran, brenda vetes, që vazhdon t’u mbajë peng në atë shkallë, saqë për ata që u ndjekin “së jashtmi”, pra për joshqiptarët të lini përshtypjen më mjerane të shekullit: Ende nuk keni mësuar asgjë nga historia jonë, më tragjikja në kontinent. Me këtë qëndrim brenda vetes ju jo Komunë të Plotë mund të fitoni, por edhe statusin “Urbane” vijoni vetëm ta vini në dyshim. Mos harroni që, falë përçarjes mes vedi, shqiptarëve në Maqedoni iu deshën 70 vjet që të fitojnë Kërçovën shqiptare! A nuk e dini, vëllezër, se akuza që nuk na është ndarë kurrë si komb prej armiqve tanë ka qenë më primitivja: “Shqiptarët janë popull i egër, që nuk dinë të vetëqeverisen. Do të pyesni, po ku e lexuan armiqtë tanë këtë sindromë shqiptar?!? Përgjigja vjen krejt e thjeshtë: Tek paaftësia jonë për të kapërcyer vetveten, për të ruajtur ekuilibrin brenda vetes, aq më shumë për t’u manipuluar lehtë nga armiku ynë. Përpara se turqit të pushtonin Shqipërinë, a dini çfarë arme zgjodhën për të mposhtur shqiptarët ?!? Njohjen e saktë psikologjike, ndryshe përçarjen dhe nxitjen e urrejtjes mes shqiptarëve. Dhe si do të pyesni? Aspak me përralla folklorike, apo me moral shterp, por duke evidentuar mburrjen dhe krenarinë mjerane, deri në dhimbje, tek shqiptarët, si ushqimi bazë psikologjik i urrejtjes si sfidë ndaj vetvetes. Për këtë pushtuesit otomanë hapën 10.000 dosje. Konkluzioni: Shqiptarët përçaji me njëri-tjetrin, atëherë sundimin mbi ta mund ta kesh të përjetshëm. Koha e vërtetoi plotësisht, edhe pse ligji ynë, e drejta jonë zakonore, qe mbizotëruese përballë ligjit otoman, çka nuk e arritën fqinjët tanë. Kuptohet sa lehtë mund të arrihet shpërfillja, diskriminimi si komb, si popull, aq më pak si pakicë, kur je i përçarë mes vedi, në rastin e të të ashtuquajturit: Referendum “konsensual”, në funksion të plotë të hartimit të listave të reja të përndjekjeve të njohura ndaj shqiptarëve, ndryshe vetëm si kurthi i zgjidhjes së objektivit tuaj prej dy dekadash: Komunë e Plotë. Duke përjashtuar Epokën e Artë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut që, si arriti të fitojë plotësisht mbi veten,  kushti kryesor për të fituar mbi të tjerët, princërit shqiptarë të ndarë e të kacafytur me njëri-tjetrin, arriti të nënshkruajë atë lavdi-progres, shans të jashtëzakonshëm, jo vetëm për ne si komb, por edhe për Evropën mbarë duke garantuar të Ardhmen e saj. Prandaj, vëllezër, flakni përçarjen mes vedi, deri dje si ideologjike, politike: me spiunime dhe denoncime kundër njëri –tjetrit nën ethet e “vëllazërim-bashkimit” farsë, mashtrues, sot si ndarje partiake, aq më keq fetare. Jemi në Epokën e Dialogut dhe të Integrimit të Madh me të tjerët, kurse ne, nuk po arrijmë kurrsesi të dialogojmë apo integrohemi brenda vetes. Në epokën postmoderne, e kam thënë edhe një rast tjetër, të pyesësh tjetrin për tri gjëra, ndryshe të armiqësohesh me tjetrin për këto tri gjëra, të shenjta në Epokën e Individiumit: “Ke beson, ke voton dhe me cilin(cilën) ke marrëdhënie intime” është antiligjore, anakronike, idiote, antinjeri, Shkelje e të Drejtave të Njeriut. Kurse të pyesësh vetveten: kush më lumturon, kush më bashkon, kush më afirmon si njeri, si individ i lumtur, si familje, pastaj si  komb, ndryshe të shpallësh: Rroftë vetvetja, pra rrofsha unë, je njeriu i kohës. Mos pranoni, vëllezër të Dinoshës, ju të rinj, në gjimnazin e Tuzit dhe kudo jeni në atë pjesë të tokës shqiptare, të harroni  masakrën e shtatorit 2006 në Malësi, kur ju votuat masivisht për shkëputjen nga Serbia dhe po kaq masivisht u masakruat nga Operacioni malazez, famëzi, ”Fluturimi i Shqiponjës”. Mua nga ai Operacion i Zi, thjesht mesjetar, një Kryqëzatë Antishqiptare, më ka mbetur ndër mend thënia e atij malësorit të besimit katolik, ndërsa hordhitë malazeze, në atë Shtator të Zi, po i thyenin në shtëpinë e tij, në sytë e tij dhe të familjes portretin e Legjendës së Qëndresës Shqiptare Antiserbe për liri, dinjitet dhe komb shqiptar, të bashkuar, portretin në allçi të kosovarit dhe shqiptarit të madh, Adem Jasharit: “Mos bre se ky është Krishti im”. Kush e harron këtë gjak të derdhur të Jasharëve në Drenicë, po aq sa gjenocidin makabër mbi shqiptarët e Kosovës,  pranverën e 1999-ës, shkel mbi dinjitetin e vet dhe të kombit të tij. Kush vazhdon të ushqejë përçarjen, urrejtjen dhe përjashtimin mes nesh nuk meriton të respektohet më si shqiptar i vërtetë. “Kali shqiptar i Trojës”, si kumti i një referendumi, ndryshe referendumi “konsensual” si kurthi i një aspirate është mes jush sfida më e madhe, vetëm e juaja: Ta humbni me dhimbje, apo ta fitoni me dinjitet!