Kadri TARELLI/ Rrahje mendimesh me Profesor Artan Fugën

    396
    Sigal

    Para disa ditësh, në një nga gazetat e përditshme botohet shkrimi i profesorit të nderuar Z. Artan Fuga, me titull: “Pse ushtrohet represion kundër dialekteve të shqipes?” Të them të drejtën, pasi e lexova dhe rilexova, mendova se qenka zbehur rreziku që i vjen gjuhës shqipe nga përdorimi me tepri i fjalëve të huaja, shtrembërimi dhe zëvendësimi vend e pa vend i fjalës shqipe me to. Si duket, diskutimet e shumta e paskan bërë efektin, kështu që varfërimi dhe shëmtimi i gjuhës tani na vjen nga brenda, nga dialektet tona që nuk janë njohur zyrtarisht. S` ka si të mendoj ndryshe, kur ky shqetësim ngrihet jo më nga arsimtarë, pedagogë, letrarë, gazetarë, artistë dhe njerëz të thjeshtë, por nga personalitete që përfaqësojnë mendimin shkencor më të kualifikuar. Si fillim e përshëndes profesorin lidhur me trajtimin e bukur të rolit të gjuhës dhe dialekteve në formësimin e kombit, kur shprehet: “Kombi dhe shteti është produkt i komunikimit brenda një ndërgjegjeje kombëtare shprehur me gjuhë dialektesh. Nuk është e kundërta, pra nuk është se shteti dhe kombi u formuan pasi u njësua gjuha në gjuhë standarde nga agjenci apo lëvizje kombëtare unitariste”. S`ka më bukur! Me këto fjalë të arta u mbyllet goja atyre që pretendojnë se, dialekti kosovar duhet zhbërë që të kemi një komb, se ndryshe kemi edhe një komb tjetër shqiptar, por kosovar. Këto fjalë të fundit nuk çudisin njeri, pasi dihen se në cilin mulli e çojnë ujin. Historia ka treguar se dialektet nuk janë pengesë për bashkimin dhe formimin e kombeve, edhe kur ato nëpërkëmben nga elitat dhe sundimtarët e ndryshëm, sepse ato janë pjesë e së tërës, pjesë e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Unë bashkohem me të gjithë ata që përpiqen dhe shprehen, se jemi të vonuar në njësimin e abetares dhe të teksteve shkollor me Kosovën, të cilat krijojnë lehtësi në komunikimin brenda ndërgjegjes dhe kulturës kombëtare edhe me format e gjuhës së njehsuar. Fjalët e tepërta shtojnë ujë e jo bereqet.  Problemet që ngrihen në shkrim ngacmojnë për të bërë shumë diskutime. Unë po ndalem tek disa:

    I. Kush i ka ndaluar dialektet?

     Që në fillim të shkrimit, theksohet me forcë se: “Demokratizimi i gjuhës kalon nëpërmjet njohjes zyrtare të dialekteve”. Më vjen çudi me këtë tezë të hedhur në opinionin intelektual e qytetar. Ndaj pyes: Kush i ka ndaluar dialektet? Pasi juridikisht thuhet se, një gjë që nuk ndalohet është e lejueshme. Kështu që logjika më thotë se, duhet shfuqizuar një ligj që të fitojë të drejtë zbatimi i një ligji tjetër. Edhe unë jam në një mendje me ju, se duhet të bashkëjetojnë të dyja: dialektet dhe gjuha zyrtare, që disa e quajnë gjuha standard, disa gjuhë e njësuar, e të tjerë gjuha letrare. Fjalë që, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, nuk janë njësoj, pra gjuhë e njohur zyrtarisht në Kongresin e Drejtshkrimit. Por ligjërimi i dytë shfuqizon të parin, pra gjuhën e njësuar, gjë që na rikthen aty ku ishim katër dekada më parë. Ka patur qejfmbetje për mosnjohjen e gegërishtes, aq sa diskutohet edhe sot pas dyzet e ca vitesh. Nuk futem në këtë diskutim. Por, me dhunë apo pa dhunë, mirë apo keq, “Kongresi”, e futi gjuhën në një hulli që po i shërben të gjithëve, për një komunikim të shpejt, të saktë e pa bezdisje. Është një temë mjaft e gjerë dhe delikate, që s`besoj se e zgjidhët këtu. Veç një gjë duhet thënë: dialektet mbijetuan, por edhe shteti nuk dështoi, siç shpreheni ju, sepse unë, si të gjithë shqiptarët, dëgjoj pa vështirësi parlamentarët grindavec, pedagogët e ditur, studioj krijimet shkencore, lexoj letërsi, histori dhe natyrshëm edhe gazetari, pa patur nevojë të hap fjalorin e gjuhës shqipe, apo të pyes dikë, se ç`do të thotë kjo fjalë (përjashto fjalët e huaja). Për më tepër, puna më ka dhënë mundësi edhe të lëviz në të gjitha trevat tona, brenda e jashtë kufirit shqiptar. Kudo jam marrë vesh pa as më të voglën vështirësi, njësoj sikur bisedoj me miqtë në Durrës, Korçë apo Tiranë. Thjesht, nuk më ndjek hija e jabanxhiut. Jo se i njoh të gjitha dialektet, se edhe sikur të dua është e pamundur. Mendoj se, kjo vjen falë asaj vlere që krijoi gjuha e njësuar, që flitet, shkruhet e mësohet në shkollë dhe përdoret në emisionet radio-televizive, nëpër libra, revistat e gazeta. Të njëjtën gjë provova edhe kur para tetë vjetësh, shkela për herë të parë në Kosovë. U mrekullova nga pastërtia e artikulimit të gjuhës standarde shqipe, por me theksin e dialektit të tyre. Atëherë, ashtu si edhe sot, i admiroj mësuesit e Kosovës, që me aq përkushtim, durim e fanatizëm punuan dhe u përcollën brezave rregullat e gjuhës shqipe të njehsuar. Ndaj po shtroj një pyetje tjetër për diskutim. Sikur të zbatohet teza juaj: 1. Në ç` dialekt do të transmetojë radio dhe televizori kombëtar, pasi çdo dialekt ndjehet i dhunuar dhe i mohuar nga gjuha zyrtare.

    1. Në ç`dialekt do t`u flitet studentëve në universitetet tona?

    3. Si zgjidhet problem i librave për nxënësit dhe studentët, pasi vetëm për klasën e parë të ciklit fillor duhen disa abetare në dialekte të ndryshëm.

    4. Në ç` dialekt do të shkruhen librat shkencor? Po librat e jurisprudencës? Vazhdojmë më tej me përkthimet dhe pjesët e tyre të vendosura edhe në tekstet shkollor.

    5. Vërtet mendoni se janë venitur dialektet, pasi i dhunon gjuha e njësuar, apo kjo e fundit ka marrë shumë nga pasuria e dialekteve? Nëse më lejoni kam një pyetje konfidenciale:  Në ç` dialekt i shkruani dhe botoni punimet e tua shkencore? Vërtet janë dobësuar cilësisht nga mospërdorimi i dialektit që ju zotëroni? Po studentëve francez, në ç` dialekt u jepni leksione?

    II. Si mund ta frustrosh përjetë një fëmijë në moshë shkollore, i cili deri në klasën e parë është rritur dhe edukuar me edukatën e familjes bazuar në dialekt?

    E pashë me vëmendje një pyetje që është vendosur në fillim të atij shkrimi, ku thuhet: “Si mund ta frustrosh përjetë një fëmijë në moshë shkollore, i cili deri në klasën e parë është rritur dhe edukuar me edukatën e familjes bazuar në dialekt….?”. Pyetje shqetësuese më shumë se interesante, por që nuk i jepni përgjigje. Unë e kam filluar dhe grisur jetën në zanatin e mësuesisë, ndaj po pyes: Kur do të fillojë ky fëmijë të njihet dhe të mësojë gjuhën zyrtare, në shkollën e mesme, apo në universitet? Ju vjen keq për vogëlushët.. Mirë bëni që e ngrini shqetësimin. Është hera e parë që po dëgjoj, se mos komunikimi në dialekt shkakton trauma psikologjike, kur shkruani: “A nuk krijojnë këto rrethana vend për depërtimin dhe frustimin për karaktere psikologjike-skizofrenike?”. Vaj halli po të ishte kështu, sepse, si unë që jam marrë gjithë jetën me nxënësit, ashtu edhe ju që po merreni me studentët, vështirë se do t` i çonit në shkollë, fëmijët jo se jo, por edhe nipërit dhe mbesat. Ndaj pyes: I referoheni studimeve, apo është thjesht një shqetësim rastësor? E bëj këtë pyetje, pasi për dyzet vjet si mësues e drejtues shkollash, nuk më ka zënë veshi ankesë të tillë. Që ka dhe do të ketë fëmijë me probleme të shëndetit mendor, e di. Që ka fëmijë, të cilët në klasën e parë nuk mësohen me jetën kolektive, ndodh rëndom në ditët e para të fillimit të shkollës. Që fëmija nuk e pëlqen mësuesen dhe kërkon pranë nënën e tij, është dukuri që kalon shpejt. Nuk e mohoj se ka edhe raste të veçanta që krijon shqetësim për mësuesen, prindin, rrallë edhe për drejtorin. Vetiu më lind pyetja: Mos përdorimi i dialektit shkakton sëmundjen, apo ngacmon shfaqjen e saj? Ju jeni pedagog, kështu që s` para kini shumë lidhje me problemet që hasen nëpër shkollat tona. Ndaj po ju pyes:

    . A keni marrë mundimin të dini si janë ndjerë në shkollë, nxënës apo ish nxënës, në ditët e para të fillimit, sepse bashkë me familjet e tyre kanë lëvizur nga vendlindja dhe janë vendosur në Durrës, Tiranë e gjetkë? Flas vetëm për në klasë, jo për rrugën dhe mjedisin shoqëror. Kam përshtypjen se nuk keni biseduar me mësues që kanë punuar apo punojnë edhe sot me nxënës të ardhur, që natyrshëm mbartin edhe të folurën në dialektin e tyre? Pyetini dhe do të merrni përgjigje që do t`u tronditin. Nuk e merrni me mend sa andralla u dalin, sepse ndodh që këta fëmijë mbyllen në vetvete, nuk e durojnë shoqërinë e re, aq sa janë gati ta braktisin shkollën. Mbase ju, për këtë keni të drejtë që mos keni njohje, sepse asnjë nxënës, prind, mësues dhe drejtor shkolle nuk i ka bërë problem mediatik të tilla shqetësime, as për të kërkuar ndihmë e as për të shkëmbyer përvojë. Kërkoj ndjesë nëse ka të tilla trajtesa dhe unë nuk e di. Mos të themi në shtypin e përditshëm, por të paktën në gazetën “Mësuesi”, sot “Revista Mësuesi”, e cila kohët e fundit nuk e di pse nuk po botohet, të cilën e kam ndjekur vazhdimisht dhe nuk më kanë zënë sytë, as edhe një shkrim kushtuar këtij problemi kaq të mprehtë social, pedagogjik dhe psikologjik. S` besoj se u është dhënë mundësia të bisedoni me drejtorë shkollash, për problemet që hasen, jo vetëm me nxënësit dhe dialektet, por edhe për rastet e mësuesve të ardhur dhe të emëruar në shkollat e tyre. Ka ndodhur që, hapur të shprehet pakënaqësia, zemërimi deri tek protestat e nxënësve, pasi nuk e kuptojnë mësuesin që flet në dialektin e tij, e më pas ankesa e prindërve, që shqetësohen për mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre. Po ju tregoj një ndodhi, jo muhabet kafeje, por zyrtar e tejet zyrtar. Para disa vitesh, në Durrës organizohet analiza e veprimtarisë së shkollave. I deleguar edhe një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit. Mes të tjerave u përmend shkolla e Spitallës, pasi kishte rezultate të dobëta në klasat e ciklit të ulët. U ngrit drejtori, u mundua të sqarojë gjendjen. Dha e mori, por nuk bindeshin drejtuesit e takimit. Në fund, kur i`u sos durimi, tha: “Ç`rezultat më kërkoni mua, kur mësueset që më kini sjellë nuk flasin dot shqip. Nxënësit nuk e marrin vesh dialektin e tyre”.

    III. Ku do ta gjejë rinia e boshatisur nga format dialektologjike të shqipes mbështetjen te kultura e krahinës, kur këngët, folklori shprehen në dialekte?

    Më pas i nderuar profesor, ngrini një teori që s`më duket e besueshme, kur shkruani: Ku do ta gjejë rinia e boshatisur nga format dialektologjike të shqipes mbështetjen te kultura e krahinës, kur këngët, folklori shprehen në dialekte? Dhe pastaj dëshirojmë që rinia të mos emigrojë dhe braktisë atdheun në mërgimet aventurore!!! Të them të drejtën çuditem, sepse mendoj se, askush, këtu përfshij edhe fëmijët e mi, nuk lëvizin nga vendlindja se u është prekur apo boshatisur dialekti. Këtu nuk them gjë të re, pasi edhe ju ashtu si unë e dini po aq mirë, se irlandezët, anglezët, gjermanët, francezët, italianët që populluan Amerikën, Kanadanë, Australinë, nuk ikën nga sytë këmbët, për shkak të dhunimit të dialektit dhe folklorit të vendit të vet. Ç`merremi me të tjerët që janë larg në kohë e territore, kur kemi historinë tonë të vjetër e të re, të mbushur me ngjarje ngjethëse. Mërgonin korçarët në kohën e Foqion Postolit, mësynë Italinë arbëreshët mbas vdekjes së Skënderbeut, ndërsa në pesëdhjetë vjet diktaturë, u qëlluan për vdekje ata që tentuan të arratisen dhe mbetën të vrarë e pa varr në kufi. Them çuditem, sepse unë s` kam kurajë t` i them vetes dhe të tjerëve se bashkëkombësit e mi, u futën nëpër ambasada e më pas nëpër anije, si në tregimet biblike dhe morën udhët e botës, se i` u boshatis folklori. Të thuash kështu i lëndoni të mërguarit, veçanërisht nënat shamizeza, sepse hapur fare, me apo pa dashje, mohon shkakun kryesor: varfërinë ekonomike, më pas shtypjen, diktaturën, mungesën e lirisë, etj, etj. Shkrimi, për të cilin po përpiqem të shprehem, më le shtegun hapur të them se, në disa gjëra nuk jam i një mendje me autorin. Besoj se e keqja nuk na vjen nga cenimi i dialekteve, por nga një lloj çoroditje që ka kapluar jetën tonë të përditshme. Më së pari, po thërras të dëgjoj akademikët tanë, që s` duken gjëkundi, mos janë në gjumë e s`flasin, apo flasin dhe s` i pyet e s` i vërshëllen njeri. Puna është se në këto hallet tona, nuk di kë të zësh e kë të lësh. Ka njëzet e kusur vjet, që sistemi ynë arsimor nuk po zë vend nga “reformat”, të cilat bëhen pa analizuar mangësitë e të parave dhe përparësitë e të dytave. Mjafton të kujtoj sistemin parauniversitar 4+4+4, që “na u mërzit”, ndaj e kthyem në 5+4+3, edhe ky s`na ngrohu, e tani po vazhdojmë në 6+3+3, dhe nuk di ku do të përfundojë. Përmend altertekstin, për të cilin si fillim, edhe unë isha një ndër mbështetësit e tij, por që degjeneroi keq e mos më keq. Nëse kini durim, shfletoni në tekstet e letërsisë që përdorin shkollarët tanë dhe vlerësoni raportin mes përfaqësimit të letërsisë shqipe dhe të huaj. Ç` të them për veprimtaritë artistike? Na mbytën konkurset e bukurisë, duke filluar që nga fëmijët e kopshteve e deri tek “Miss Globi”. Bëhen konkurse zërash e këngësh për fëmijë e të rinj. Çirren sa u del rryli i fytit, duke kënduar vetëm këngë të huaja e rrallë ndonjë shqip. Po në mediat tona vizive, sa vend zënë emisionet kushtuar kulturës sonë popullore? Ç` të flas, pasi ju i njihni më mirë. Të hedhim një sy në jetën e përditshme, si qytetarë të këtij vendi: Në autobus dhe furgonë, nëpër kafene dhe plazhe, pa harruar diskotekat ku argëtohen të rinjtë, vetëm muzikë të huaj dëgjon. Të merr malli për muzikë shqiptare, a thua se jemi banorë të lagjeve londineze, pariziene, apo ku di unë tjetër. Në fund të shkrimit, më mbetet merak ta bëj edhe një pyetje: Dialektet janë problemi që na ngatërrojnë kaq shumë ne shqiptarët?