Kadri MUKA:Pensioni i parakohshëm i ushtarakut, vendimi 2 i Kushtetueses dhe qëndrimi antikushtetues i gjykatave

    445
    Sigal

     Pse gjyqtarët dhe trupat gjyqësore ndryshimin drastik të qëndrimit dhe vendimit të tyre i’a dedikojnë vendimit Nr.2

    Që pas hyrjes në fuqi të vendimit nr.2 të 18 shkurtit 2013 të Gjykatës Kushtetuese, në tërësinë e tyre gjyqtarët dhe gjykatat kanë ndryshuar gjykim e vendim për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve. Një pjesë e respektojnë shtetin e së drejtës, Kushtetutën e Republikës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, statusin e veçantë të ushtarakut; një pjesë tjetër  i nënshtrohen arsyes arbitrare pse jo dhe urdhrit që është virtyt i ushtarakut, jo i gjyqtarit apo gjykatave, duke mohuar kështu të drejtën e fituar pas datës 30 qershor 2009 apo edhe më keq duke mohuar tërësisht të drejtën edhe para kësaj date, paçka se nga 18 janari 2005 kur Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin Nr.60 nuk pranoi rekursin e Sigurimeve Shoqërore më për këtë çështje,  kanë bërë të kundërtën.

    Ndryshimin drastik të qëndrimit dhe vendimit të tyre gjyqtarët dhe trupat gjyqësore i’a dedikojnë vendimit Nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese, i cili në emër të interesave të rëndësishme publike nuk pranojë kërkesën e Shoqatës së Xhenierëve Ushtarakë të Shqipërisë. Në fakt dhe për hir të së vërtetës, është pikërisht vendimi Nr.2, ai, që nuk  lejon uljen apo kufizimin e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi  të ushtarakëve prej 50% të pagës referuese për 12 e 15 vjet vjetërsi shërbimi duke i shtuar kësaj 2% për çdo vit tjetër vjetërsi shërbimi deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie. Bile ky vendim uljen apo kufizimin e kësaj mase, nuk e lejon edhe nëse preken apo cenohen interesat e rëndësishme publike. Këtë e shpreh në pikën 26. Kjo pikë, e cila bënë dallimin midis sigurimeve shoqërore suplementare dhe sigurimeve shoqërore bazë, saktëson se për shkak të papunësisë së padëshiruar  shteti ka detyrimin të sigurojë mjetet e përshtatshme  për nevoja jetese dhe se për interesat e rëndësishme publike  mund të preken vetëm përfitimet suplementare  (sigurimet suplementare) e jo përfitimet bazë (sigurimet shoqërore bazë). Madje, për këtë të fundit rekomandon të shihet  vendimi nr.33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese.  Këtë ajo e shpreh kur thotë: “26. Së treti, Gjykata vlerëson se natyra e sigurimit shoqëror suplementar është e ndryshme  nga sigurimi shoqëror bazë. Qëllimi i të parit është shmangia e pasojave negative në ushtrimin e funksionit të një kategorie të caktuar të punonjësve, si dhe garantimi e ruajtja e të ardhurave për sigurimin e nevojave jetike të tyre. Ndërsa sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar (shih vendimet nr. 33/2010 dhe 9/2007 të Gjykatës Kushtetuese). Për këtë arsye, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare  mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, kurse prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim. Nisur nga sa më lart, Gjykata vlerëson se gjendet para interesit publik që e justifikon ndërhyrjen e ligjvënësit në skemën e sigurimeve suplementare. “ (shih Fletore Zyrtare Nr. 23, datë 4 mars 2013 f.899-900).

    Interpretimi

    Ky interpretim i vendimit nr.2,  nuk ka lënë e nuk lë vend për vendime gjykatash që mohojnë të drejtën e fituar për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% të pagës referuese për 12 vjet vjetërsi shërbimi femra dhe 15 vjet mashkulli duke i shtuar kësaj 2% për çdo vit tjetër shërbimi edhe nga data  1 korrik 2009, apo edhe më keq që mohojnë plotësisht të drejtën që nga çasti i lindjes së saj. Përkundrazi, ky vendim  zgjidh përfundimisht çështjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në të gjitha aspektet e tij.

    E para: Ai, detyrimin e shtetit për tu bërë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e papunësisë së padëshiruar, e përfshin në sigurimin shoqëror bazë që përbënë një të drejtë kushtetuese ekonomiko sociale.

    Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk është dhe nuk bënë pjesë në sigurimet shoqërore suplementare pasi; ai i jepet ushtarakut pas nxjerrjes në rezervë a lirim, pra pas mohimit të së drejtës së ushtrimit të mëtejshëm të profesionit për shkak të interesave të  shoqërisë e të shtetit. Për interesa të shoqërisë e të  shtetit edhe pse ushtarakut i ndërpriten marrëdhëniet kur ka 35 vjet vjetërsi shërbimi (pune) dhe duhet të jetë i moshës 60 vjeç femra dhe 65 vjeç mashkulli, kapiteni nxirret në rezervë pas 18 vjet shërbim, majorit pas 22 vjet, nënkolonelit pas 27 vjet dhe kolonelit pas 30 vjet.

    Ndarja e përfitime në të parakohshëm dhe suplementar nga ligji  organik, statusi i ushtarakut (ligji nr.9210, datë 23.03.2004) dhe të gjitha ligjet e sigurimit shoqëror suplementar, përfshi edhe ligjin nr.10142, datë 15.05.2009, ndryshuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, përbënë atë tregues të padiskutueshëm se pensioni parakohshëm nuk është përfitim suplementar.

    Që pensioni i parakohshëm nuk është  sigurim shoqëror suplementar, por një përfitim bazë e vërteton edhe  vendimi nr.33, datë 24.06.2010 , kur thotë: “Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi jepet në konsideratë të natyrës së punës të ushtarakëve ose punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët, pas ndërprerjes së karrierës, me ose pa dëshirën e tyre, e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune të një niveli të krahasueshëm me funksionet që ushtronin.”

    Emërtimi i parakohshëm dhe ai suplementar nuk janë, nuk përbëjnë e nuk përfaqësojnë të njëjtë gjë. I parakohshëm do të thotë tjetër gjë dhe suplementar do të thotë tjetër gjë. Këtë e sqaron Fjalori i Gjuhës Shqipe. Sipas tij :

    Parakohshëm, do të thotë:

           -Që ndodh a që vjen para kohës së zakonshme, që nuk e ka kohën.

           -Që bëhet shumë shpejt para kohësh së përshtatshme a të caktuar, që nuk i ka ardhur afati a nuk e ka ende kohën. Veprim i parakohshëm. Kërkesa (masa) të parakohshme.

           Suplementar, do të thotë:

           -Që jepet a shërben si shtesë për të plotësuar diçka, për ta përmirësuar ose për ta ndihmuar…, plotësues.

           -Që bëhet mbi planin e parashikuar ose të zakonshëm.

    Ligji Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimin shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, përbënë një tregues tjetër të faktit se përfitimi nga papunësia bënë pjesë në sigurimin shoqëror bazë dhe jo suplementar. Neni 2 “Sigurimet shoqërore të detyrueshme”, me përcaktimin “Sigurimi shoqëror i detyrueshëm është jofitimprurës, që mbron me përfitime:

    E dyta: Për sigurimin shoqëror bazë  pjesë e të cilit është edhe pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi , vendimi rekomandon të shihet vendimi nr.33, datë 24.06.2010  i Gjykatës Kushtetuese. Dhe ky vendim thotë: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik.”. Kjo është ajo që rekomandon vendimi Nr.2, datë 18.02.2013 i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet për  pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Ky rekomandim sipas pikës 1 të nenit 132 të Kushtetutës , është detyruese dhe përfundimtare. Masa  50% e pagës referuese për 12 e 15 vjet vjetërsi dhe 2% të kësaj page për çdo vit tjetër mbi 12 e 15 vjet shërbimi e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi edhe nga data 01.07.2009 nuk mund të ulet e kufizohet për interesat e rëndësishme publike.

    E treta: Prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim. Me këtë vendimi nr.2, datë 18.02.2013, për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk lejon e nuk pranon aplikimin dhe zbatimin e uljes së masës së tij në 1.5% të pagës mesatare neto referuese për vit shërbimi të caktuar nga neni 3 i aktit normative Nr.5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave, të shndërruar në ligj me ligjin Nr.10367, datë 23.12.2010.

    Ndryshimi i skemës

    E katërta: Ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare  mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit. Pra, ulja  apo kufizimi i masës së sigurimeve shoqërore suplementare, për interesat e rëndësishme publike pranohet e lejohet nga ligjvënësi vetëm në skemën e sigurimeve suplementare. E thënë shqip, vendimi nr.2 për interesat publike pranon uljen apo kufizimin jo për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, por për pensionin suplementar të pleqërisë; pensionin suplementar të invaliditetit; pensionim suplementar familjar; pensionin suplementar familjar për personat që humbasin jetën  në detyrë apo për shkak të saj dhe pagesën suplementare për shpenzime varrimi. Interpretimi, arsyetimi dhe vendimi në kundërshtim me pikën 26 të vendimit Nr.2, datë 18.02.2013 nga ana e gjyqtarëve  dhe gjykatave  është në kundërshtim me Kushtetutën dhe antikushtetues. Gjyqtarët dhe Gjykatat i detyron Kushtetuta, që  të zbatojnë atë që rekomandon  neni 2, datë 18.02.2013 i Gjykatës Kushtetuese për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, se ulja apo kufizimi i masës maksimale të këtij pensioni nuk mund të përligjet me interesat e rëndësishme publike. Më saktë për këtë i detyron pika 2 e nenit 145 të Kushtetutës që thotë: “ Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.”. Është pikërisht ky përcaktim i Kushtetutës që i ngarkon me detyrën, detyrimin dhe përgjegjësinë, të detyrojnë sigurimet shoqërore, për vazhdimin e trajtimit të ushtarakëve me pension të parakohshëm  pleqërie më masën 50% të pagës referuese për 12 e 15 vjet vjetërsi shërbimi duke i shtuar kësaj edhe 2% për çdo vit tjetër shërbimi deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie.

    Përgjegjësia

    Është në përgjegjësin, nderin dhe dinjitetin profesional e institucional të punonjësve dhe institucioneve  drejtësidhënëse, të ndalin antikushtetueshmërinë për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve; të respektojnë dhe jo të përdhosin  shtetin e së drejtës; të ndalin veprimin e mëtejshëm të antishtetit në emër të shtetit, në emër të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në emër të ligjit;  të respektoj profesionin e profesionalizmin. Gjyqtarët dhe Gjykatat nuk kanë për detyrë t’i nënshtrohen urdhrit dhe eprorit apo t’i nënshtrohen atyre. Bindja ndaj urdhrit, bindja ndaj eprorit është virtyt i ushtarakut dhe aspak i gjyqtarit apo gjykatave. Ushtaraku ka për detyrë e detyrim të perfeksionojë instrumentin e bindjes ndaj urdhrit dhe eprorit. Gjyqtari dhe gjykatat kanë për detyrë e detyrim ti binden Kushtetutës e ligjit, të japin e vendosin drejtësi në emër e në bazë të tyre. Çdo vendim në kundërshtim me përcaktimin e pikës 26 të vendimit nr.2, datë 19.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese dhe përcaktimit të vendimit Nr.33, datë 24.06.20010 të saj se: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik.”, aq sa janë  në kundërshtim me Kushtetutën dhe antikushtetues, po aq i ngarkon me përgjegjësinë kushtetuese, si bashkautorë e bashkëfajtorë në rrënimin dhe poshtërimin e shtetit të së drejtës. Është koha e çlirimit prej frikës së pushtetit e pushtetmbajtësit. Është koha për reflektim e korrigjim. Është koha për respektim të shtetit të së drejtës dhe vendosjes së drejtësisë mbi padrejtësinë.