Kadri Muka: Ulja e pensionit të parakohshëm të ushtarakut nuk mund të përligjet me interesin e rëndësinë publike

    401
    Sigal

     

     Çfarë thotë ligji për përfitimin e pensionit të parakohshëm të ushtarakut në vendin tonë

    Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik. Për këtë arsye gjykata çmon se dispozitat e nenit 14/2 të ligjit objekt gjykimi janë në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe të shtetit të së drejtës. Vendimi nr.2, datë 18 shkurt 2013 i Gjykatës Kushtetuese mbi të cilin Gjykatat vendosin  uljen e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve nga data 01.07.2009, nuk e lejon atë as për interesat e rëndësishme publike. Specifikisht këtë e shpreh pika 26 e këtij vendimi të Kushtetueses. Në këtë pikë  sillet në vëmendje se, midis sigurimeve shoqërore suplementare dhe sigurimeve shoqërore bazë ka dallime në koncept e në qëllim; se në skemën e sigurimeve suplementare lejohen ndryshime në përputhje me politikat dhe mundësitë, ndërsa në skemën e sigurimeve shoqërore nuk duhet kurrsesi të bëhen ndryshime që përkeqësojnë masën e përfitimit. Po këtu, kjo pikë e këtij vendimi rekomandon që të shihet vendimi Nr.33/2010 dhe nr.9/2007, dhe konfirmon se para interesit publik lejohet ndërhyrja në skemën e sigurimeve suplementare, por jo atë bazë.

    Dallimi, sigurim shoqëror suplementar dhe sigurim shoqëror bazë

    Këto dy përfitime kanë të përbashkëtën dhe të veçantën e tyre. E përbashkëta është se janë sigurime shoqërore dhe e veçanta është se njëra është sigurim shoqëror suplementar dhe tjetra sigurim shoqëror bazë (i detyruar). Se ç’është dhe kush përfshihet në njërën apo në tjetrën e përcakton ligji “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Sipas Ligjit  nr.7703 date 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” , neni 2, sigurimi i detyrueshëm është jofitimprurës, që mbron me të ardhura:

    a)  Personat e punësuar në lidhje me: – paaftësinë e përkohshme në punë për shkak të sëmundjes; – barrëlindjen; – pleqërinë, invaliditetin dhe humbjen e mbajtësit të familjes; – aksidentin në punë dhe sëmundjet profesionale; – papunësinë; “ Pra, sigurimi i “detyrueshëm”, që Gjykata Kushtetuese e emërton  “bazë”, mbron me të ardhura edhe personat e punësuar në lidhje me papunësinë (papunësinë e padëshiruar sipas GJK).  Në  këto përfitime  nga  sigurimi shoqëror i detyrueshëm, ky ligj përfshinë; të ardhurat për sëmundje; të ardhurat për kompensim për sëmundje, kur ndryshon vendi i punës,të ardhurat për barrëlindje; të ardhurat për kompensimin për barrëlindje, kur ndryshohet vendi i punës; shpërblimi për lindje fëmije; e drejta për pension pleqërie; pension pleqërie i pjesshëm; pension pleqërie i reduktuar, pension invaliditeti, pension invaliditeti i pjesshëm, pensionet familjare; pagesë për vdekje dhe të ardhurat e papunësisë. Në të ardhurat e papunësisë për ushtarakët ligji organik “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH, i cili përcakton pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës  dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre, në këto të ardhura që janë pjesë integrale e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, u njeh dy të drejta. Këto përfitime janë shpërblimin e menjëhershëm në aq paga sa vjetërsi shërbimi ka ushtaraku që nuk plotëson kushtet  për pension të parakohshëm (neni 46/1) dhe pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi për ushtarakun që del në rezervë/lirim dhe ka vjetërsi shërbimi 12 vjet femra dhe 15 vjet mashkulli (neni 35), si dhe paga kalimtare me të cilën janë trajtuar realisht ushtarakët pas daljes në rezervë apo lirim derisa kanë mbushur moshën 44 vjeç femra dhe 47 mashkulli. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi që i jepet ushtarakut nuk është tjetër veçse mbrojtje e detyruar që shteti i bënë ushtarakut pas nxjerrjes në rezervë/lirim. Ushtaraku i nxjerrë në rezervë apo në lirim me gradë nëntoger pas 8 vjet, toger pas 10 vjet, kapiten pas 18 vjet, major pas 22 vjet, nënkolonel pas 27 vjet, kolonel pas 30 vjet dhe gjeneral pas 33 vjet shërbim ushtarak aktiv i përfundon  në papunësi, dhe jo vetëm kaq , por edhe në privim të së drejtës së ushtrimit të mëtejshëm të profesionit. Kushtetuta e Republikës në pikën 2 të nenit 52 që bënë fjalë për mbetjen pa punë  në mënyrë të pavullnetshme sanksionon se: “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj”. Ligji në rastin konkret është statusi i ushtarakut i 23 marsit 2004. Ky ligj ushtarakut që del në rezervë nëpërmjet  nenit  35 garanton i garanton të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% të pagës mujore për 12 vjet vjetërsi shërbimi femra dhe 15 vjet mashkulli deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie duke i shtuar kësaj 2% të pagës mujore për çdo vit tjetër shërbimi. Vendimi Nr.33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese saktësisht shpreh se:“Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi jepet në konsideratë të natyrës së punës të ushtarakëve ose punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët, pas ndërprerjes së karrierës, me ose pa dëshirën e tyre, e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune të një niveli të krahasueshëm me funksionet që ushtronin.”. Po sipas ligjit  Nr.7703 datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, garantohen edhe sigurimet shoqërore suplementare. Këtë e shpreh neni 4 që   sanksionon se: “Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një skemë suplementare sigurimi. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të autorizojë çdo subjekt legal për të dhënë pension suplementar në kushtet e përcaktuara me ligj”.  Bazuar në këtë dispozitë  të këtij ligji, me ligje të veçanta të sigurimeve shoqërore suplementare, u janë përcaktuar përfitimet suplementare konkrete personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe shtetërore, të institucioneve arsimore dhe akademike si dhe të ushtarakëve e të punonjësve të Policisë së Shtetit, Burgjeve, Zjarrfikëse, punonjësve të Gardës së republikës, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme. Të gjitha ligjet e sigurimit shoqëror suplementar që nga status i ushtarakut 1991, ligji i sigurimit shoqëror suplementar i 13 marsit 1996, i ndryshuar; i 20 majit 2005 për ushtarakët dhe ai i 18 shtatorit 2000 të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe së fundi ligji i 15 majit 2009 u njohin atyre të drejtën e sigurime shoqërore suplementare. Në këto përfitime përfshihen pensioni suplementar i pleqërisë; pensioni suplementar i invaliditetit; pensioni suplementar familjar, pensioni suplementar familjar për personat që humbasin jetën  në detyrë apo për shkak të saj; si dhe përfitimi për paaftësi të përkohshme në punë; parandalimi për sëmundje; rehabilitimi shëndetësor; shpërblimi i menjëhershëm dhe; pagesa për shpenzime varrimi. Dallimin midis sigurimeve shoqërore të detyrueshme (bazë) dhe atij suplementar e bënë saktësisht Fjalori i Gjuhës Shqipe, dokumenti i vetëm zyrtar që saktëson kuptimin e fjalëve të gjuhës shqipe. Sipas këtij fjalori, fjala “detyrueshëm”, do të thotë: Që duhet bërë ose që duhet zbatuar patjetër, pa marrë parasysh dëshirën ose vullnetin e dikujt; që është një detyrim ose shpreh një detyrim; që bëhet me detyrim a me force; ndërsa fjala “bazë”  do të thotë: Mbështetja kryesore e diçkaje, parimi themelor mbi të cilin ndërtohet diçka, themeli; arsyeja që shpjegon a që përligj diçka.

    Qëllimi  sigurimeve shoqërore të detyrueshme

    Duke qenë nocione të ndryshme që vijnë nga kuptimi që Fjalori  Gjuhës Shqipe i jep  fjalës “bazë” , “suplementar” dhe “parakohshëm”, vendimi 2 i Gjykatës Kushtetuese ka arritur në interpretimin detyrues e përfundimtar se: Sigurimeve shoqërore të detyruara (bazë) një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar. Vendimi nuk mjaftohet me kaq. Ai  saktëson se prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim. Përveç këtyre  vendimi rekomandon (Shih vendimet nr.33/2010 dhe 9/2007 të Gjykatës Kushtetuese). Po ti shohim do të konstatojmë se këto dy vendime veçse pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi e interpretojnë si një të drejtë bazë kushtetuese që mbrohet nga parimi i sigurisë juridike, arrijnë edhe në përfundimin e mos uljes dhe mos kufizimit të masës së këtij pensioni i masës maksimale të tij 50% e pagës mujore për 12 vjet femra e 15 vjet mashkulli  deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie duke I shtuar për çdo vit tjetër shërbimi 2% të pagës mujore, përcaktuar nga pika 1 e nenit 35 të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH” dhe nenit 13 e 14/1 të ligjit Nr.10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”., pas shfuqizimit antikushtetues të pikës 2 të këtij neni. Këtë veçanërisht vendimi Nr.33 e shpreh kur thotë: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik. Për këtë arsye Gjykata çmon se dispozitat e nenit 14/2 të ligjit objekt gjykimi janë në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe të shtetit të së drejtës”.