Kaçani dhe Londo heshtin, në mbrojtje të drejtorit të shkollës falsifikator

593
Sigal

Mungesa e transparencës së U.Politeknik, Çabej: Kur interesi publik është i madh, informacioni i kërkuar nuk mohohet

Universiteti Politeknik i Tiranës nën koracën e mbrojtjes së të dhënave personale vazhdon të heshtë, duke u bërë pengesë për zbardhjen e së vërtetës mbi ligjshmërinë e një liste notash të një personi në një funksion publik me impakt të konsiderueshëm në shoqërinë shqiptare. Bëhet fjalë për një drejtor të komanduar të një shkolle të mesme në Vlorë, i cili ka kryer studimet e tij universitare pranë Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik Tiranë. Pas ardhjes në redaksinë e “Telegraf” të një denoncimi që ky person ka falsifikuar listën e notave, gazeta kërkoi, zyrtarisht, nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. Andonaq Londo, një listë notash të personit në fjalë, me qëllim verifikimin e denoncimit të ardhur në redaksi. Edhe pse janë tejkaluar të gjitha afatet e informimit, sipas Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” në Nenin 15, “Afati për marrjen e informacionit” në pikën 1 të saj, ku thuhet se “Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe”, ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ana e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Interesimit nga ana jonë për një përgjigje zyrtare të kërkesës sonë, dekani Londo, fillimisht iu përgjigj duke shtyrë afatet, pasi sekretarja ishte me raport, e sëmurë. Më pas, në ditën e përcaktuar nga vetë ai, nuk iu përgjigj telefonave dhe sms-ve telefonike. Ndërsa ditën e djeshme, interesimit nga ana jonë, iu përgjigj nëpërmjet arsyetimit të juristit të tij duke thënë konkretisht se “Fakulteti i Inxhinierisë mekanike nuk mund ti përgjigjet pozitivisht kërkesës suaj, pra, nuk mund të lëshojë vërtetimin e notave të drejtorit të shkollës së mesme në Vlorë, sepse sipas juristit, kemi të bëjmë me shkelje të të dhënave personale”. Pra, siç mund të kuptohet, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, nëpërmjet justifikimeve të ndryshme, nuk jep mundësi për qasje në informacione që ndihmojnë hulumtimet për falsifikim apo shkelje të tjera ligjore. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme për qasje të dokumentit zyrtar, (listë notash të një ish studenti të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, sot drejtues i një institucioni arsimor), edhe pse garantohet me ligj, sipas nenit 4 të Ligjit të Informimit, ku thuhet se “…autoriteti publik mban parasysh interesin më të mirë të publikut…”, dekani Londo nuk i përgjigjet. Dhe e gjithë kjo bëhet në emër të mbrojtjes së të dhënave…

Çabej: Kur interesi publik është i madh, informacioni i kërkuar nuk mohohet

 Mbrojtja e të dhënave personale, një fushë e re në realitetin shqiptar balancohet me të drejtën e informimit e cila tashmë është kompetencë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në një prononcim për “Telegraf”, porsa i përket rastit tonë konkret, ish Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj Flora Çabej, shprehet se “Kur kemi të bëjmë me një pozicion publik, si dhe me një interes të madh publik, në përgjigjen e institucionit publik të cilit i drejtohemi duhet pasur parasysh edhe e drejta e informimit. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një interes të madh publik, pasi drejtori i institucionit arsimor, që presupozohet se ka falsifikuar një listë notash, po nxjerr në jetë një brez studentësh. Dhe në Ligjin për Informimin (në nenin 4 të tij) janë përcaktuar kategoritë e informacionit të cilat bëhen publike dhe kërkohet të bëhet transparenca për interes publik. Jam taksapagues dhe kërkoj transparencë për funksionin publik i cili ka një impakt të madh, e pikërisht në edukimin e qindra mijëra të rinjve”. Pra, sipas Çabej, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij. Në fund të fundit në Ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale” janë kategorizuar informacionet të cilat kufizojnë të drejtën e informimit, shprehet Çabej, siç janë të dhënat që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësinë në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimet penale, si dhe shëndetin dhe jetën seksuale. Ndërsa, po sipas këtij ligji “të dhënat personale përpunohen për kryerjen e një detyre ligjore me interes publik ose ushtrimin e një kompetence të kontrolluesit ose të një pale të tretë, së cilës i janë përhapur të dhënat”.

Tendenca e Kaçanit dhe Londos në mbrojtje të falsifikatorit

 Mbrapa zvarritjes së të bërit transparencë nga ana e dekanit Andonaq Londo, por dhe të rektorit të Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani, duke mbrojtur në këtë mënyrë një shkelës të ligjit, patjetër që duhet të ketë ndonjë arsye, si objektive qofshin ato, ashtu dhe subjektive. Ndërsa ligjet për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale balancojnë njëra-tjetrën, duke treguar qartë (sidomos juristëve) se në funksionet publike dhe kur interesi publik është i madh, atëherë informacioni i kërkuar nuk mohohet. Zgjedhja e drejtuesve në nivel rektori, apo dekani në Universitetin Politeknik Tiranë për të mbuluar drejtues me diploma dhe nota false në arsimin parauniversitar shqiptar, duke penguar në këtë mënyrë transparencën, do të thotë shumë…

Pyetje publike për Kaçanin dhe London

A mos ndoshta edhe drejtuesit më të lartë të institucioneve të arsimit të lartë publik shqiptar, janë pjesë e fabrikës së diplomave e notave të falsifikuara?

A ka lidhje të dyshimta midis dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë mekanike Andonaq Londo dhe rektorit të Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani?

A ka lidhje me rektorin Jorgaq Kaçani, një i afërm i drejtorit të shkollës së mesme Vlorë?

A është e vërtetë që Jorgaq Kaçani është nga i njëjti fshat me të afërmin e drejtuesit të shkollës së mesme Vlorë?

A është e vërtetë, që i afërmi i mësuesit të shkollës së mesme ka qenë mësuesi i Kaçanit?

A ka ndikuar i afërmi i drejtorit të shkollës së mesme Vlorë te Kaçani, që personi në fjalë të marrë provimet (apo falsifikojë notat)?

 Shënim

“Telegraf” në emër të zbardhjes së të vërtetës do të kërkojë hetimin e këtij rasti nga ana e Prokurorisë dhe Krimit Ekonomik. Dhe më tej, nëse këto hetime provojnë fabrikim të notave të falsifikuara në Universitetin Politeknik, atëherë do të kërkojë nga ministri i Arsimit dhe i Sportit, si dhe Presidentit të Shqipërisë, lirimin nga detyra të Rektorit Kaçani dhe dekanit Londo. Ndërsa do vijohet me bërjen publike të skandalit, emrave konkret dhe aferave korruptive.

 

Ligj nr. 9887, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”

Neni 6

Kriteret ligjore për përpunimin

1. Të dhënat personale përpunohen vetëm:

d) për kryerjen e një detyre ligjore me interes publik ose ushtrimin e një kompetence të kontrolluesit ose të një pale të tretë, së cilës i janë përhapur të dhënat;

Neni 7

Përpunimi i të dhënave sensitive

1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikat 2 dhe 3 të këtij neni, ndalohet përpunimi i të dhënave, që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësinë në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimet penale, si dhe shëndetin dhe jetën seksuale.

Ligj nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

Neni 4

Përgatitja dhe miratimi i programeve të transparencës

2. Në përgatitjen e projektprogramit të transparencës, autoriteti publik mban parasysh interesin më të mirë të publikut dhe sidomos: a) garantimin e njohjes maksimale me informacionin publik; b) vënien në dispozicion pa kërkesë të sa më shumë informacioneve, në mënyrë që të pakësohet nevoja për kërkesa individuale për informacion; c) modelet e miratuara për kategorinë e autoritetit publik nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas nenit 6 të këtij ligji.

Neni 17

Kufizime

2. E drejta e informimit kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm: a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar; b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale; c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor; ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike; d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit; dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor; e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike; ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare. Pavarësisht nga sa parashikohet në paragrafin e parë, të pikës 2, të këtij neni, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij.

Ledjana Saliu