Kabil Bushati/ Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lules së Majit”

    775
    Sigal

    Në mbrëmjet e vallëzimit që organizonim,  kur ishim në gjimnaz, në aureolën e tangove që interpretonte orkestra ishte pa diskutim “Lulja e Majit”. Ne shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të ëmbël, që kur e dëgjon mund të themi pa hezitim se ajo shkrin akujt e zemrës më të ftohtë në botë dhe e bën të përjetojë valë të ngrohta. Kjo këngë magjike u bë himn i mbrëmjeve të vallëzimit dhe koncerteve të asaj kohe.  Kënga kishte marre skenat dhe kishte marre zemrat e shkodranëve. Po ku kishte lindur kjo këngë lapidare. Kishte lindur në tokën e dashurisë, aty në Pjacën e Shkodrës. Atë e kishte kompozuar Pjerin Ashiku, i cili jetonte në Pjacë dhe dilte përnatë aty tek dyqani i valutës, duke përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Në këtë Pjacë kanë lindur mijëra këngë nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë. Si përherë në krah të tij qëndronin dy aktorë brilantë të humorit shkodran Tano Banushi dhe Bik Pepa. Madje, Tanon e kërcënonin shpesh se do ta përjashtonin nga partia se rrinte pasdrekeve me Pjerin Ashikun, i cili nxirrte barsoleta kundër partisë, si e vetmja mënyrë kundërvënieje ndaj padrejtësisë që i bënte diktatura. Po kush ishte ky njeri që nxori këtë këngë perlë, e cila i ka rezistuar kohës për gjysmë shekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar? A ka kompozuar këngë të tjera apo është mjaftuar me një?  Nga vinte dhe çfarë konservatori kish kryer, të Romës apo të Vjenës, të Parisit të Berlinit?

                  Pjerin Ashiku u lind në qytetin e Shkodrës me 10 tetor 1926 në një familje të vjetër dhe me tradita shkodrane. Familja e Pashko Ashikut (baba i Pjerinit) bënë pjesë në ato familje që e kanë kultivuar kulturën në Shkodër. Për katër breza, kjo familje ka mbajtur farmaci moderne në mes të Shkodrës, duke i shërbyer bashkëqytetarëve me ilaçe qysh në shekullin e XVIII-të. Falë kësaj dinastie, Shkodra përdorte ilaçe të prodhuara në Itali, Gjermani, Austri e Francë, kur Tirana ziente akoma gjethe mëllage e hithrash për sëmundjet e stomakut e të mëlçisë. Babai i Pjerinit ishte doktor farmacist i diplomuar në Romë që në vitin 1903. Ndërsa nëna, Teresa ishte me prejardhje ruse e lindur në kryeqytetin e Rusisë, Petërburg. Nëna Tereza ishte e motra e konsullit rus të akredituar në Shkodër. Nuk e teprojmë po të themi se, kjo dinasti ishte e një rangu për nga kultura me familjet europiane. Ndaj prindërit ishin të interesuar për edukimin e fëmijëve kryesisht me kulturë europiane.

              Që në moshë të njomë, akoma pa i mbushur 7 vjet, bie në sy të prindërve se shijet e Pjerinit anonin nga muzika dhe kënga. Kjo ra në sy edhe të Ndrekë Kaçulinit, i cili kishte në “Piacë” dyqanin kryesor të kinkalerisë. Nuk vonoi dhe Ndreka, duke qenë vetë muzikant, t’i dhuronte Pjerinit të vogël një kitarë dhe një fizarmonikë, të parën që kishte ardhur në Shkodër. E ku mbahej Pjerini tashmë duke bërë muzikë  me shokë më  të rritur se vetja. Që në moshën adoleshente aktivizohet me  Ndrek Kaçulinin në  orkestrën muzikore. Duke parë se ishte talent në muzikë, prindërit e fusin me marrë mësime muzike në violinë tek Pader Martin Gjoni. Shkollën e mesme e kreu pranë Kolegjit Saverian, ku u dallua si talent i lindur shumë premtues në fushat e muzikës, kantos dhe aktrimit. Pjerini ishte një instrumentist  i talentuar në kitarë, fizarmonikë, instrumente, të cilat gjatë gjithë jetës do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore. Çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi italo-gjerman e gjeti Pjerinin maturant të sapodiplomuar. Aktivizohet në melodramat Juda Makabe, Basifondi. Ishte mik i kompozitorit të madh Prekë Jakovës, Zef Zorbës dhe më vonë i basit Lukë Kaçaj dhe kompozitorit Zef Lekaj. I vjen koha të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak,  por edhe aty i buzëqesh fati dhe e kalon pranë Korit të Ushtrisë. Aty duan ta mbajnë përherë, por se kujt i kujtohet prejardhja e tij “borgjeze” dhe e largojnë. Kthehet ne Shkodër.

             Për nevoja ekonomike ndërpret tërë aktivitetet muzikore dhe kërkon punë. E caktojnë punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Pas pak kohësh drejton grupin e estradës të kësaj ndërmarrjeje dhe fiton Çmimin e Parë. Në këtë grup amator këndohen edhe këngë që kishte filluar të kompozonte Pjerini, të cilat bien në sy të opinionit të at’herëshëm për ëmbëlsinë e tyre. Me krijimin e Estradës së Shkodrës caktohet me orkestrën e saj. Aty shquhet për shoqërimin muzikor të parodive dhe intermexove. Gjatë kohës që qëndroi në estradë, bie në sy një hop cilësor dhe promovimi i talenteve të reja si Zyliha Miloti, Tonin Tërshana e Besnik Çinari etj., të cilët vite më pas u bënë këngëtarë dhe aktorë estrade të njohur në gjithë Shqipërinë.

            Por nuk qe e thënë që të vazhdonte gjatë në estradën e qytetit. E largojnë prej estradës dhe e caktojnë axhustator në Parkun e Automjeteve. Kjo ishte një goditje e rëndë për Pjerinin. Nga estrada profesioniste dërgohej në një ndërmarrje si axhustator. Në vend të fizarmonikës a kitarës do të merrte në duar tornon. Por edhe aty, ai nuk dorëzohet, por krijon një grup amator estrade që konkurroi denjësisht në shumë takime kombëtare dhe mori çmime te para. Shtojmë këtu se, i tërë libreti dhe muzika ishin krijimtari e Pjerin Ashikut. Kjo ka qenë periudha më kulminante e Pjerinit në drejtim të krijimtarisë tij muzikore. Këtu spikati talenti i tij dhe kultura e tij e gjerë. Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të paharrueshme që këndohen edhe sot, mbështetur kryesisht në motive popullore shkodrane.

                Pjerinin, falë humorit të tij, e njihnin të gjithë në Shkodër e më gjerë, përsëri punonte në Parkun Automobilistik, tashmë edhe i rritur në “përgjegjësi”, si dizenjator, dhe njëherazi ishte libretist, kompozitor dhe fizarmonist i përkryer, pra, ishte zemra e estradës së ndërmarrjes së asaj kohe. Në këtë periudhë lindën këngët prestigjioze “Trotuari i qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Ermira”, “Miri i vogël”, “Kukulla”, “Valbona” etj., etj.. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve spikati talenti i tij edhe si piktor.

              Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashiku përfshinë 140 këngë, e shumë parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës këngët e tij janë kënduar me sukses në Dekadat e Majit si p.sh këngët “Një zog i vogël” dhe “Ermira”, por ajo që e nevrikoste gjithmonë Pjerinin ishte fakti se, asnjëherë nuk dilte emri i tij si kompozitor. Kjo fshehje e emrit  të tij nga ana e pushtetit e mërziste dhe e therte në zemër. Në këtë periudhë, pranohet në Festivalin e Këngës në RTV, por është për t’u shënuar  transformimi që pëson kënga e “Kukullës” të cilës i shndërrohet emri dhe titullohet “Vashat”. Le që i ndryshohet titulli, por i bëhen transformime rrënjësore dhe skartohet qysh në natën e parë të festivalit. Më vonë kënga e “Kukullës” këndohet nga këngëtarja e mirë njohur Justina Alija në “100 vjet muzikë”, këngë të cilën e kishte kënduar në Festivalin e Fëmijëve qysh në vitin 1964. Një transformim të skajshëm pësoi edhe kënga “Ermira”, të cilës ju vu emri “Bija ime” dhe nuk iu përmend fare autori. Kënga “Miri i vogël” pëson një skandal edhe më të madh, duke ju ndërruar titulli dhe duke u kthyer  “Besmiri i vogël”, duke ia kushtuar nipit të Enver Hoxhës. Gjithnjë, pa u pyetur dhe përmendur autori, sepse diktatorët  kishin nevojë edhe për këngë që të kushtoheshin nipave të tyre, ku pyesnin ata për autorët..

                 Në kohën e demokracisë kënga “Një zog i vogël”, me tekst të shkrimtarit të mirënjohur shkodran Fadil Kraja dhe me muzikë të kompozitorit  Pjerin Ashiku përvetësohet me paturpësinë më të madhe nga një këngëtar korçar, madje arrin të quajë veten edhe  kantautor në Radio-Televizionin Shqiptar në vitin 1999. Si e thamë edhe në fillim të shkrimit, Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lules së Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe shqiptare.

                         Të befason fakti që edhe kësaj kënge i janë bërë tokë krijuese dhe të tjera vise si: Korça, Ulqini e Kosova. Sepse tek e fundit, kudo ka të dashuruar dhe të brengosur nga dashuria. Kudo ka një lule maji dhe për çdo njeri do kishte një këngë apo serenatë. Por nuk ka kudo kompozitorë si Pjerin Ashiku, ata nuk lindin kund tjetër veçse në Shkodër. Në vitet e demokracisë këtë këngë e këndon Ermira Babaliu dhe e paraqet si pa gjë të keqe si këngë korçare (serenatë), duke i ndryshuar edhe linjën muzikore dhe duke i ndërruar pa përgjegjësi tekstin. Për këtë Pjerini i drejtohet me një letër drejtorit të RTSH-së, por nuk mori asnjëherë përgjigje. Shteti po i kundërvihej me heshtje, duke i lënë të tjerët të bënin çfarë të donin me këngët e tija. Historia e përvetësimit të kësaj kënge vazhdon dhe sot e kësaj dite. Po t’i pyesësh korçarët të thonë: “gjene mirë “Lulka e majit”  është një serenatë pe Korçe”,  po t’i pyesësh kosovarët të thonë: “heu, hala se ke marre vesh o shqipe se asht kajkë gjakovare e k’ndueme prej Isës (Ismet Pejës)” e kështu me radhë. Secili tenton t’i  vejë myhyrin e vet, gjithsecili kërkon ta “hipotekojë” dhe  ta shpallë pronë të veten. Kjo “luftë” dixhitale vazhdon prej vitesh sikur të kishte filluar dje. Mos harroni se kjo këngë e Pjerin Ashikut mban të shënuar vitin 1954. Gjithsesi, kënga ka udhëtuar në kohë dhe hapësirën mbarëshqiptare, duke u bërë një “Vals i Danubit” shqiptar, nëse hungarezët kanë një vals famoz siç është ‘Valsi i Danubit” edhe shkodranët  kanë një tango monumentale siç është “Lulja e Majit” ose “Tangoja e Bunës”. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe të shoqërojnë gjatë gjithë “Piacës Pedonale” të qytetit të Shkodrës si hije të ëmbla.

                                                     Por ti je vyshke e më s’ke erë

                                                     Lulet e tua për mua s’kanë më vlerë,

                                                     Nuk je ti lulja e bukur e ditës së majit

                                                     Por je lulja e këngës sime të vajit…

                   Kur e dëgjon ajo provokon me të njëjtën magji, edhe me vibrimet e më të akulltës zemër që mund të ekzistojë në botë.          Kompozitori Pjerin Ashiku kurrë nuk pati asnjë sadisfaksion moral apo trajtim ekonomik. Më 21 shtator 1995, Pjerin Ashiku mbylli sytë përgjithnjë. Bashkëshortja me djalin e vajzën kanë emigruar në SHBA. Mark Bregu, shoku i tij, i ka kushtuar këto vargje në një gazetë lokale:

                                               Sytë me lot mbushen prej vajit

                                                           Vajtojn’ Zanat e Veleçikut

                                                           Kur kujton “Lulen e Majit”’,

                                                           Kangën perl’ t’Pjerin Ashikut.

                                                           Muzikant e humorist

                                                           Që e deshti Shkodra mbarë,

                                                           Si piktor e si artist,

                                                           Shpirt e zemër qytetar.