Juristja Xhensila Gjevori: Procedurat ligjore që zgjidhin problemet mes pronarëve dhe qiramarrësve për lirimin e banesave

    485
    Sigal

    Flet juristja e Entit Kombëtar të Banesave Xhensila Gjevori, për afatet ligjore të pronarëve

     Në procesin e lirimit të banesave normalisht që janë dy palë të përfshira, nga njëra anë pronarët që duhet të marrin shtëpitë e tyre dhe nga ana tjetër janë qiramarrësit që duhet të lirojnë banesat. Pjesa që normalisht është gjendur në një situatë aspak komode është kategoria e personave qiramarrës që kanë jetuar në shtëpitë e pronarëve dhe tani janë gjendur përballë faktit që duhet të dalin nga këto shtëpi. Prej disa muajsh ky proces po vijon normalisht, në lidhje me procedurat ligjore dhe afatet kohore ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Juristja e Entit Kombëtar të Banesave Xhensila Gjevori. Ajo ka sqaruar se, procesi që nga fillimi i depozitimit të kërkesës nga ana e pronarit zgjat dy ditë dhe më pas ato kërkesa i dërgohen gjykatës, për të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit. Gjatë këtij procesi ka pasur edhe raste që qiramarrësit nuk kanë pranuar që të dalin dhe të lirojnë shtëpitë e pronarëve.

    -Zonja Gjevori, si paraqitet situata pranë Entit Kombëtar të Banesave, për procesin e lirimit të banesave të pronarëve?

    -Realisht unë mund të them që në ditët e para kur u vendos që do të zbatohej Akti Normativ për lirimin e banesave të pronarëve ka pasur një numër të madh kërkesash nga pronarët. Këto kërkesa kanë vazhduar të vijnë nga pronarët që duan të marrin banesat e tyre sipas Aktit Normativ. Mund të ju them se në ditët e para kërkesat kanë qenë shumë të larta, ndërsa me kalimin e kohës ato kanë ardhur në rënie. Por gjithsesi mund të themi që ato po vazhdojnë, edhe pse me një fluks më të ulët.

     -Sa është numri i personave që kanë bërë kërkesë në total për të gjitha rrethet e vendit?

    -Po, unë mund të them që deri në datën 25 janar totali i kërkesave të dorëzuara pranë entit Kombëtar të Banesave është 650. Ku Tirana 259 kërkesa, Durrësi ka 274 kërkesa. Vazhdojmë më tej me qytetin e Vlorës edhe kjo ka një numër prej 33 kërkesash, Shkodra ka një numër prej 66 kërkesash, numër ky që është më i lartë se qyteti i Vlorës. Pastaj kemi Elbasanin me katër kërkesa, Gjirokastrën me 6, Korçën me 14 kërkesa, Fierin me 1 kërkesë, dhe Beratin me 24 kërkesa, ndërsa qytetet e tjera si Lezha, Dibra dhe Kukësi, janë me zero kërkesa.

     –A ka pasur procese gjyqësore që nuk kanë arritur që të zbatohen për shkak të kundërshtimit të qiramarrësve që jetojnë në këto shtëpi?

    -Po, ka pasur edhe procese gjyqësore që janë në kundërshtim me veprimet përmbarimore  përmbarimore, ose janë në kundërshtim me titujt ekzekutiv. Numri i tyre arrin deri në 40, por mund të na vijnë dhe kërkesa të tjera që refuzojnë të dalin nga shtëpitë.

     -Sa është numri i urdhrave të ekzekutimit të lëshuara nga gjykatat respektive në tërë vendin?

    – Po, ashtu si edhe numri i urdhrave të ekzekutimit të lëshuara nga gjykatat respektive ka njohur rritje. Numri total i këtyre urdhrave është 345. Ku Tirana është me 132  urdhra, Durrësi ka 149 urdhra. Vazhdojmë më tej me qytetin e Vlorës edhe kjo ka një numër 19 urdhrash, Shkodra ka një numër prej 37 urdhrash. Pastaj kemi Elbasanin me 3 urdhra ët tillë, Gjirokastrën me 1, Korçën me 7 urdhra, Fierin me 1 urdhër, dhe Beratin me 11 urdhra, ndërsa qytetet e tjera si Lezha, Dibra dhe Kukësi, janë me zero urdhra, pasi nuk ka pasur as kërkesa siç e përmenda edhe më lart.

     -Cilat janë procedurat që duhet të ndjekin pronarët e tjerë që nuk e kanë bërë ende kërkesën e tyre?

    -Është pothuajse e qartë procedura që duhet bëjë një pronar për të bërë kërkesën e tij për marrjen e banesës. Ato duhet të bëjnë një kërkesë, dhe ne brenda dy ditëve e dorëzojmë këtë kërkesë në gjykatë. Atje pastaj pritet që të dali shorti dhe del urdhri i ekzekutimit. i tërë ky proces në total do dy javë afat kohor. Numri i qiramarrësve që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve për Tiranën është 1289. Ndërsa i pronarëve nuk është sqaruar akoma, pasi me kalimin e viteve janë liruar disa banesa. U bënë disa vjet, kjo mori nismë që me ndryshimin e sistemit në vendin tonë dhe ata duhet të kishin marrë parasysh që me kalimin e viteve duhet të bënin një përpjekje, pasi janë të regjistruar në bashki si qiramarrës në pronë private. Ato s’kanë bërë asnjë lëvizje, ndoshta edhe me të drejtë, pasi një pjesë e mirë prej tyre kanë qenë qytetarë të thjeshtë dhe papërkrahje për të marrë kredi edhe me kushtet që jep Enti me interes 0 për 30 vjet. Por problemi është që ato nuk plotësojnë kushtet e bankës.

    Çfarë ndodh kur të pastrehët nuk pranojnë të lirojnë banesën

     Duke u mbështetur në aktin normativ, për lirimin e banesave nga banorët që jetojnë në ish-pronë ka disa akte nënligjore që penalizojnë ata që nuk i binden ligjit. Kur lirimi dhe dorëzimi i banesës sipas nenit 1, të këtij akti normativ, nuk ndodh brenda datës 1 nëntor 2012, pronari i pronës ose një përfaqësues ligjor i ngarkuar prej tij, me autorizim të posaçëm, i dërgon Entit Kombëtar të Banesave njoftimin respektiv. Nga ana tjetër, vetë Enti Kombëtar i Banesave, brenda 2 (dy) ditëve pune nga marrja e njoftimit me shkrim, konfirmon, me shkrim, se qytetari/ët i/e pastrehë është/janë në listën e botuar për trajtim me kredi me 0 (zero) për qind interes në vit, për një afat kohor deri në 30 vjet. Ky konfirmim, në kuptim të këtij akti normativ, përbën titull ekzekutiv sipas nenit 510, shkronja “e”, të Kodit të Procedurës Civile dhe Enti Kombëtar i Banesave, brenda 1 (një) dite pune, regjistron kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, në gjykatën ku ndodhet pasuria e paluajtshme, në favor të kreditorit. E gjithë procedura e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, në gjykatë, në emër të kreditorit, kryhet nga punonjës të Entit Kombëtar të Banesave dhe informacioni publikohet në faqen zyrtare të këtij enti. Më pas, Enti Kombëtar i Banesave i dorëzon me procesverbal me shkrim, pronarit të tokës apo përfaqësuesit ligjor të ngarkuar prej tij me autorizim të posaçëm, urdhrin e ekzekutimit. Ndërkohë, nga ana e tij, pronari i pronës ose një përfaqësues i ngarkuar prej tij me autorizim të posaçëm, ka të drejtë t’i drejtohet shërbimit përmbarimor gjyqësor, pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit nga gjykata, që të bëjë lirimin e banesës. Gjykata e Shkallës së Parë nuk mund të kryejë pezullimin e këtij urdhri ekzekutimi.