JU RRËFEJ UDHËHEQËSIT QË MJEKOHESHIN NË FRANCË

716
Sigal

Leonard VEIZI

INTERVISTA IV / Flet Doktori i Shkencave Hasan Luçi, ish-oficer i lartë i zbulimit shqiptar

(Vijon nga numri i kaluar)

Ata ia kishin besuar jetën Francës. Nëse kishin një problem shqetësues në shëndetin e tyren, “visto” për të marrë vizën, për të prerë biletën e avionit dhe për t’u akomoduar në Parisin elegant e plotë jetë, ishte e dhënë. Më pas, paratë që derdheshin për llogari të spitalit “Bruse”, kishin të bënin më shumë me një punë burokratike që udhëzohej nga Tirana.

Në rrëfimin e tij ekskluziv për “Telegraf”, Dr, Hasan Luçi, flet për vizitat mjekësore që bënin udhëheqësit e lartë të shtetit Shqiptar, në Francë, vendi që edhe pse i shihte si kundërshtarë politik komunistët, ndoshta nuk arrinte të harronte se në një segment të shkurtër të jetës së saj, eksperimenti fillestar ishte bërë pikërisht aty, në të shumëpërfolurën “Komuna e Parisit”.

Shumica e udhëheqësve shqiptare udhëtonin për t’u vizituar e mjekuar në Francë. Pse kjo preferencë?

Në fakt një gjë e tillë u bënte përshtypje të gjithëve, dhe vendeve të tjera se përse udhëheqësit shqiptarë, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, shkonin për mjekime në Francë. Një gjë e tillë u mundësua në vitet ’60, duke filluar me Manush Myftiun dhe Nexhmije Hoxhën në 1964. Ky vendim i udhëheqjes tonë ishte më realisti për marrëdhëniet e qëndrueshme franko-shqiptare, për rrethin e miqve të Shqipërisë në Francë dhe për cilësitë e mjekësisë franceze si dhe çështjet e gjeostrategjisë të asaj kohe. Franca ka qenë dhe mbetet një vend mikpritës nga të gjitha vendet e botës gjë që nuk është kaq e theksuar dhe kaq pa probleme se në vendet e tjera. Ky është edhe një qëllim strategjik, të themi miqësor, i kolonës miqësore të frankofonisë, madje edhe në kushtet kur anglishtja mori supermacinë.

A ishte i madh kontingjenti i të dërguarve nga Shqipëria për vizita e analiza mjekësore në Paris?

Në në vërtetë, gjatë vitet ’70 u shtuan vizitat mjekësore në Francë. Madje pati vite që këto vizita fillonin në janar dhe mbylleshin në korrik, duke pasur nga një javë pushim, midis njëri-tjetrit. Dhe kjo jave shfrytëzohej që të arrihej të sistemoheshin apartamentet ku strehoheshin këta pacientë, dhe që ishin midis familjeve të ambasadës. Aq të shpeshta ishin këto vizita sa që kishte dhe raste kur personeli i ambasadës shkonte për të fjetur në hotel. Ndërsa në shtëpitë e tyre strehoheshin pacientët të cilët qëndronin zakonisht rreth një muaj, periudhë gjatë së cilës të paktën 20 ditë iu nënshtroheshin analizave të përgjithshme dhe më pas jepej konkluzioni. Këto konsulta bëheshin kryesisht nga miku i madh i shqiptarëve dhe i palestinezëve Pol Miliez, i spitalit “Bruse”.

Pse pikërisht Miliez ishte i besuari i udhëheqjes shqiptare?

Pol Miliez ishte një personalitet i shquar, i majtë, dhe kryetar i shoqatave të miqësisë Francë – Shqipëri dhe Francë – Palestinë. Ky spital ishte një shkollë franceze më vete, dhe e mirënjohur në botë. Profesor Miliezi dhe miqtë e tij të ngushtë ishin dhe mjekët francezë që kuruan gjatë jo vetëm anëtarët e tjerë të udhëheqjes shqiptare, por edhe Enver Hoxhën në Tiranë. Në të vërtetë i vetmi njeri që nuk udhëtoi drejt Parisit për vizitë mjekësore, përveç familjes së tij, ishte Enver Hoxha.

Cilët ishin udhëheqësit komunistë që ia besuan Francën shëndetin e tyre dhe të familjeve?

Në Francë u mjekuan Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Rita Marko, Ramiz Alia, Adil Çarçani, Beqir Balluku, Spiro Koleka, Haki Toska, Shefqet Peçi etj., disa prej të cilëve nga dy tre herë. Problemi i kurimit të familjarëve të udhëheqësve ishte një çështje më vete, dhe hynte në kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë të komisionit përkatës dhe sigurisht fondet për t’u kuruar jashtë shtetit ishin të kufizuar, pra mbetej gjithnjë një problem në diskutim dhe vendosej nga mjekët. Por nga të gjithë këta të vizituar në Paris rreth 95 për qind vinin me probleme shëndetësore. Mbaj mend vetëm dy raste të cilët nuk e justifikuan nevojën e vizitës atje sepse dolën të aftë dhe vuanin nga ndonjë mbipeshë apo nga ndonjë problem stresi. Për këto raste Enver Hoxha reagoi duke i kritikuar.

Përveç Enver Hoxhës, me sa kuptoj ju keni pasur kontakte me të gjithë udhëheqjen e lartë të Partisë së Punës, që kanë ardhur për t’u vizituar?

Për mua qe një fat që njoha udhëheqjen direkt, me përjashtim të Enver Hoxhës të cilin fizikisht e kam takuar kur shoqëroja Moris Torezin në vitin 1960 në Pallatin e Brigadave. Sot, mbas kaq vitesh them se kisha nderim të veçantë jo vetëm për postet që ata mbanin por edhe për marrëdhëniet njerëzore që krijuan me mua, pa komplekse dhe duke diskutuar probleme të marrëdhënieve dypalëshe me Francën, të informacionit diplomatik, politik dhe ekonomik e kulturor. Madje kam diskutuar me ta dhe për marrëdhëniet me vendet ku ne shtrinin aktivitetin dhe marrëdhëniet, ku vend të veçantë zinin dhe marrëdhëniet me vendet Ballkanike fqinje. Këto debate i kam bërë në veçanti me Hysni Kapon, Mehmet Shehun, Adil Çarçanin, Spiro Kolekën e Kadri Hazbiu. Ndërsa me disa të tjerë, që i përmenda ose jo, më mirë të mos i kisha njohur, dhe t’i kujtoja ashtu siç paraqiteshin në postet e tyre, pasi më lanë përshtypje jo vetëm nga ana shoqërore, pavarësisht funksionit tim, por për mos interesim dhe paaftësi në njohjen e çështjeve me interes për vendin.

LIBRI / Pjesë nga vëllimi i Hasan Luçit; “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare”

Zbulimet e huaja komplot kundër Shqipërisë

Shqipëria socialiste ka shpëtuar nga lista komplote të mëdha, që kanë rrezikuar ekzistencën e saj si shtet i pavarur e sovran. Krahas luftës që kanë bërë armiqtë e hapur dhe pseudomiqtë, të cilët kanë organizuar rrjetet e tradhtarëve brenda vendit të lidhur me amerikano – anglezët e satelitët e tyre ose me vendet lindore moderne të çdo ngjyre, zbulimet armike e kanë përfshirë edhe emigracionin reaksionar shqiptar kosovar e çam (si dhe arbëreshët e arvanitasit) antikomunist në planet strategjike e taktike të tyre për të përligjur e justifikuar komplotet e ndërhyrjet nga jashtë pavarësisht se ky kontingjent armik ka ardhur duke u venitur nga lufta e pandërprerë që ka herë PPSH me Enver Hoxhën në krye për shpartallimin e tyre. “Sido që emigracioni reaksionar shqiptar u katandis si mos më keq, siç ka thënë Enver Hoxha, sa herë që ashpërsohej lufta e klasave brenda ose jashtë vendit tonë, ai ngrinte veshët. Imperializmi i bënte inxheksionin e nevojshëm dhe riaktivizohej”. Kështu ka ndodhur që nga çlirimi e, në të gjitha përpjekjet komplotuese, ku emigracioni reaksionar ka qene një pjesëmarrës aktiv nën drejtimin e zbulimeve të huaja perëndimore e lindore. Ky reaksion ka pasur një rol të veçantë e të shumëfishtë, duke kryer veprime aventureske e pritur rastin për të marrë pjesë në kryqëzatat antikomuniste për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri. Zbulimet armike e kanë shfrytëzuar gjerësisht këtë reaksion, duke i bashkërenduar veprimet me armiqtë e brendshëm në Shqipëri në komplotet e vazhdueshme. Veprimtaria komplotuese e armiqve të vendit tonë ka qenë e pandërprerë por në situata të caktuara ajo merrte forma më të mprehta, gjë që dukej nga disa shenja e sinjale karakteristike siç janë “alarmi propagandistik” antishqiptar e antisocialist në përmasa e intensitet të madh, duke rritur fushatën propagandistike subversive nëpërmjet shtypit, radiotelevizionit, botimeve e fletushkave e mjeteve të tjera shpikëse, ku reaksioni shqiptar jashtë mobilizohej nga spiunazhet e huaja sipas roleve të caktuara, buzëqeshjet e sheqerosura me thirrje e propozime për bashkëpunim e liberalizim të marrëdhënieve me botën e jashtme, përfshi SHBA-në, Anglinë, Francën, ish RFGJ etj; shtimi i kontakteve të krerëve kriminelë c reaksionarë me personalitetet shtetërore e të spiunazheve perëndimore e lindore me qëllime antishqiptare etj. Krahas zbatimit të një komploti, spiunazhet e huaja kanë pasur gjithnjë “gurë rezervë” për komplote e veprime të reja kundër vendit tonë e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Kur hapet e ku në rrugë agjenturorë reaksioni shqiptar i brendshëm e i jashtëm ka bashkëvepruar direkt ose tërthorazi në përpunimin e zbatimin e komploteve në rrugët legale e ilegale siç është herë e qartë në vepra të botuara nga të huaj, shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë pas Luftës II Botërore e deri më sot. Krahas përpjekjeve për organizimin e komploteve e kryengritjeve të sipërpërmendura, shërbimet sekrete të huaja kanë hartuar edhe plane të tjera me qëllime komplotuese, ku është parashikuar edhe pjesëmarrja e emigracionit politik shqiptar, por ato kanë mbetur në letër për njërën ose tjetrën arsye sidomos ato pas viteve ’60 pas prishjes së marrëdhënieve me BS dhe kur bllokada Perëndim – Lindje u bë e plotë. Për të siguruar mbështetjen e amerikanëve, jugosllavëve, greke etj, si në planin politik edhe agjenturor sidomos me UDB-në e CIA-n, Hrushovi bëri pazarllëqe me ta në kurriz të Shqipërisë duke përkrahur planet e tyre armiqësore. Kur u hodhën edhe hrushoviainët kundër RPSH, armiqtë e Shqipërisë shtuan përpjekjet se u erdhi dita për të vënë në jetë planet komplotuese nëpërmjet Greqisë, Jugosllavisë, Italisë dhe reaksionin shqiptar jashtë.

PLANI

Organizimi i kryengritjes së vitit 1963

Duke parë se Hrushovi, Titua e tjerë po vinin në jetë planet e tyre kundër RPSH në vitet ’60, me sulmet e hapura e të fshehta, e pse ata krijuan situata të favorshme për armiqtë antisocialistë e antishqiptarë; CIA nxiti UDB-në, që të organizonte grupe të arratisurish dhe kosovare për t’i paraqitur si “forca shqiptare të brendshme kryengritëse për të justifikuar ndërhyrjen nga jashtë me çdo mjet”. Për këto qëllime UDB-a dërgoi në vitet ‘51-‘53 grupe diversantësh me kapobanditët si Qazim Lusha, vëllezërit Derti etj, ajo bëri vrasjen e Hasan Spatës e veprime të tjera agjenturore. Në tërësi veprimtaria e reaksionit shqiptar jashtë u zgjerua tepër. “Abaz Kupi, shkruan ish-zbuluesi anglez D. Smajli, kaloi nga Londra në 1961 gjatë rrugës së kthimit nga ceremonia e vajtimit të mbretit Zog. Unë e takova atë në “Uajt Klub”. Ai nuk kishte ndryshuar shumë dhe u përqafuam me ngrohtësi me njëri-tjetrin”. Në dhjetor A. Këlcyra shkoi në Departamentin e Shtetit amerikan, ku “paraqiti një plan të veprimtarisë të të arratisurve kundër Shqipërisë”, ku llogariste përdorimin e kufirit grek si dhe detin për ndërhyrje dhe kërkoi armatime nga amerikanët. Në këtë kohë S. Kryeziu i shkruante M. Bajraktarit se “A. Këlcyra i tha atij se “duhet të bëjnë një marrëveshje me jugosllavët e Titos”. A. Kupi u bënte thirrje të arratisurve për bashkim se “L. Zogut i është siguruar vendi nga amerikanët dhe anglezët për çlirimin e Shqipërisë” dhe u ftua në Londër nga ministri i aviacionit Xh. Emeri dhe deputet Maklin, D. Smajli, P. Kemp etj. E. Koliqi po tregonte një interesim të madh për të arratisurit e njerëzit e BKI në Jugosllavi dhe, sipas një burimi të kohës, “përpara çuarjes të grupeve diversioniste në Shqipëri do të dërgojnë një të deleguar në Jugosllavi për bisedim me autoritetet për shfrytëzimin e kufirit dhe për kalim të lirë në tokën sllave”. Por në këtë kohë plasi grindje në BKI, sepse Kol Bib Mirakaj u kishte bërë shumë lëshime jugosllavëve, duke u bërë vegël e plotë e UDB-ës, kurse kryesia e BKI pranonte ndihma jugosllave për “çlirimin” e Shqipërisë, por “jo komandën jugosllave”. Atëherë, K. B. Mirakaj u largua nga sekretaria e BKT dhe deklaroi: “Jam gati të bashkëpunoj me çdo shtet, vetëm të luftoj regjimin e Tiranës”. Dhe së bashku me Ago Agaj bënë një deklaratë falënderimi qeverisë jugosllave për ndihmesën e dhënë emigracionit shqiptar.

Emisarët

Në vitet ’60 emisarët e Titos qarkullonin gjithnjë e më tepër në vendet perëndimore, ku takoheshin me shqiptarë si E. Koliqi, Kol Bib Mirakaj etj., për veprimtari të përbashkët në fushën e spiunazhit e të diversionit, propagandës etj kundër RPSH. E. Koliqi, si kreu i BKI, ka bashkëpunuar mjaft me UDB-në kundër RPSH, duke mbajtur lidhje të ngushta direkte me oficerët Dushan Mugosha, Mile Lumomihoviqi, Gjergj Gega etj dhe nëpërmjet Hajrullah Ishmi, Hasan Kaleshi, Hajdar Taipi etj. Në 1961 Ernest Koliqi, me anën e agjentit të tij Sabri Domi, përgatiti një listë të të arratisurve në perëndim, që iu dha UDB-së në lidhje me përgatitjet e tyre për organizimin e përdorimin e tyre kundër RPSH. Po në kuadrin e bashkëpunimit me UDB-nën, I. Vërlaci e E. Koliqi në nëntor – dhjetor 1962 bënë një varg vizitash në Francë, Belgjikë, Austri e RFGJ, ku u takuan me të arratisur e kuadro të UDB-së. Në Paris E. Koliqi shkoi edhe në ambasadën jugosllave dhe bisedoi mbi gjendjen e emigracionit në Francë, Belgjikë etj. Kështu komploti nuk mohohej, por pohohej. Personi kyç për zbatimin e këtij komploti ishte P. Plaku, i cili shëtiste “Kosovën se bashku me Fadil Hoxhën” e thoshte se “se shpejti Kosova do të bëhet me Shqipërinë dhe të dyja së bashku do të bëjnë republikën e 7 të Jugosllavisë”. P. Plaku shkonte edhe në BS, ku flitej se në bisedimet Hrushov – Tito – Mugosha – Plaku në Moskë ishte hartuar plani për përmbysjen e gjendjes në Shqipëri dhe se P. Plaku do të bëhej kryetar qeverie. Pra bashkëpunimi titisto – hrushovian ishte aktiv e i egër.

(vijon)

NESËR DO TË LEXONI

-Mbledhjet që bënin në ambasadë udhëheqësit që vinin për kurim

-Roli i Hysni Kapos në jetën aktive të personelit të ambasadës

-Incidenti i Mehmet Shehut pas audiencës me kryeministrit francez