Jovan BIZHYTI/ Patriotët dhe arsimtarët myzeqarë që lulëzuan Lushnjen

    651
    Sigal

    Veprimtaria patriotike në Myzeqenë e Lushnjes dhe zhvillimet social-ekonomike deri në prag të Luftës së Dytë Botërore

    Myzeqeja në ato vite të mbretërisë Zogiste nuk kishte industri, veç disa mullinj bloje, që punonin me ujë në afërsi të lumenjve e përrenjve

     Në fillimet e shek. XIX-të, treva e Myzeqesë përmendet si një trevë aktive dhe e populluar. Rreth vitit 1835, Myzeqeja e Lushnjes njihet në dokumentet Osmane me Kryengritjen e madhe të Myzeqesë kundër pushtuesve Osman. Në vitin 1840 kjo lëvizje fshatare antiosmane, përfshiu rreth 22 çifligjet e Karatoprakut në zonën e bregdetit midis dy grykëderdhjeve të Semanit dhe Shkumbinit. Kjo lëvizje antiosmane udhëhiqej nga pleqësia e kësaj zone, të cilët realizuan një rezistencë të fuqishme të bujqve myzeqarë kundër sunduesve Osman, duke mos shlyer detyrimet e taksat ndaj pushtetit, madje duke rrahur dhe taksidarët. Stambolli kërkoi dënimin e 5 drejtuesve të Karatoprakut siç ishin: Jorgji Perriu, Mançe Malko, Sul Sinani, Met Roshe dhe një klerik ortodoks me emrin Papa Jorgji.

    Rreth vitit 1850, Lushnja njihej si katund, sigurisht më i madh. Kishte rreth 17 hane, mbi 57 shtëpi me rreth 500 banorë. Në vitin 1870 u njoh si qendër administrative e Myzeqesë. Në vjeshtën e vitit 1878 erdhi në Lushnje dhe në gjithë Myzeqenë, udhëheqësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, për të përçuar vendimet e kësaj Lidhjeje, për organizimin e nëndegëve të saj, si dhe nxitjen për krijimin e çetave me luftëtarë patriot për kundër pushtuesve Osman. Dhe nga fundi i shekullit të XIX-të dhe fillimi i shek. të XX-të, lindën çetat e para me luftëtarë në Myzeqenë e Lushnjes si: Çeta e Karbunarës e drejtuar nga patrioti Taulla Sinani, Çeta e Karatoprakut e drejtuar nga kleriku patriot Ikonom Kozma Dhima, Çeta e Ngurrëz, Bubullimës dhe Kolonjës e drejtuar nga patriotët Jashar Blezencka, Llazar Bozo dhe Hajdar Ngurrëza, si dhe Çeta e Krutje-Fiersheganit e drejtuar nga Lam Shtëmbari dhe Pal Kadillari. Krijimi i këtyre formacioneve me luftëtarë, e zgjeroi më tej luftën kundër pushtuesve Osman. Në këto luftëra u shquan dhe patriot të tjerë si: Jovan Ndreko, Jakov Bozo, Nasi Lepuri, Jorgji Dhamo, Selim Rredhi, Tun Gjergji, Gaq Gradishta, Llambi Pambuku, Hamit Hasko e të tjerë. Në vitin 1912 çetat e luftëtarëve myzeqarë kontribuuan për ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë nga patrioti Ismail Qemal Vlora, të cilin e siguruan për kalimin e tij në Myzeqe dhe mbështetën totalisht shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, ku në këtë ngjarje të madhe kontribuuan dhe 2 firmëtarë nga Myzeqeja e Lushnjes, Nebi Sefa e Qemal Bej Karaosmani. Në 1920, Lushnja u bë e njohur dhe në arenën ndërkombëtare me ngjarjen e madhe të Kongresit Historik të Lushnjes, që me vendimet e tij i tha ndal copëtimit të Shqipërisë. Myzeqeja e Lushnjes në këtë kongres përfaqësohej nga tre delegatë, Ferit Vokopola, Llazar Bozo dhe Sheh Ibrahim Karbunara. Pak muaj më vonë, këtë Kongres e pasoi dhe Kongresi i Arsimit Shqiptar organizuar në qytetin e Lushnjes, që i hapi rrugë një perspektive të mëtejshme zhvillimit për dituri dhe arsim të popullit shqiptarë.

    Në vitin 1935 shumë patriotë të Myzeqesë së Lushnjes, mbështetën totalisht Kryengritjen antizogiste të Fierit, ku në këtë rezistencë u burgosën nga regjimi i Zogut rreth 40 luftëtarë Myzeqarë, midis tyre dhe disa krerë të Lushnjes si: Taulla Sinani, Rahman Ruçi, Llazar Bozo, Hekuran Manoku e të tjerë që u dënuan me vdekje. Nga protestat masive të popullit, dënimi i tyre u kthye në burgime të ndryshme. Hekuran Manoku dhe 9 patriotë të tjerë nga Berati, Skrapari, Fieri dhe Mallakastra u ekzekutuan.

    Regjistrimi zyrtar i popullsisë së Myzeqesë së Lushnjes për herë të parë u bë në vitin 1922, duke përfshirë dhe zonën e komunës së Libofshës që bënte pjesë atëherë në nënprefekturën e Lushnjes, ku nga ky regjistrim rezultuan rreth 28348 banorë. Kurse qyteti i Lushnjes kishte 1678 banorë. Në këtë periudhë kjo nënprefekturë përbëhej nga 134 fshatra të ndara në 3 katundari:  katundaria e qendrës me 70 fshatra, katundaria e Libofshës me 40 fshatra dhe katundaria e Bubullimës me 24 fshatra. Në vitin 1938, popullsia e rrethit arriti në 46420 banorë, pra me një shtesë prej rreth 18000 banorë.

    Gjatë viteve 1924-40 në gjithë territorin e Myzeqesë erdhën rreth 500 familje kosovare, që u vendosën në 30 fshatra, po ashtu erdhën dhe shumë familje nga malësitë e Skraparit e Gramshit, Vllehë, Çamë e tjerë.

    Në fillimet e shek të XX-të, vendin kryesor në ekonomi e zinte bujqësia. Në Myzeqenë e Lushnjes ishin gjithsej 63 çifligje me 15585 ha tokë. Në të gjithë rrethin numëroheshin rreth 227 pronarë tokash, 16 prej të cilëve zotëronin mbi 500 ha tokë secili, 203 pronarë të mesëm që zotëronin 1812 ha tokë dhe 31 kulte fetare me 133 ha, nga të cilat Manastiri i Ardenicës zinte vendin kryesor. Ndërsa fshatarët që ishin vendosur në të ashtuquajtura toka të shtetit, dispononin gjithsej 5640 ha tokë. Ndër pronarët më të mëdhenj të tokave në Myzeqenë e Lushnjes, përmenden Biçakllinjtë e Elbasanit, që kishin pronë 4 fshatra të Çermës. Resulajt në Lushnje, kishin çiflig të tyre Krutjen e Poshtme, Lifaj, Zhymin dhe Fierveizbeun. Familja e Këlcyrëve, kishte çiflig fshatin Rrupaj, familja Meçe, kishte fshatin Fierseman. Prona të mëdha kishin dhe familjet e pasura të Kurtëve në fshatin Ngurrëz, Kasimbeas e Kadipashaj, familja Xhindole kishte prona në Imësht, Eskaj, Kamçisht, kurse Manastiri i Ardenicës kishte prona në Bubullimë, Kolonjë, Halilaj, Libofshë e tjera. Bujqit në këto çifligje të bejlerëve, u jepnin pronarëve 1/3 e prodhimit dhe 1/10 ia jepnin qeverisë. Në ato vite në Myzeqe mbisundonin marrëdhëniet feudale në fshat.

    Fusha e Myzeqesë ishte kryesisht moçalore dhe e pa bonifikuar, ishte me këneta e moçale dhe pjesa më e madhe e tokave në verë zhuritej për ujë se nuk vaditej. Varfëria e fshatarësisë ishte e tejskajshme. Ajo është përjetuar qartë dhe në vargjet e një kënge myzeqare:

    “Më dhe nuse në Myzeqe,

    mortja nëne ku më dhe,

    Shtypja plisa me varre,

    mortja nëne ku më dhe..”

    Prefekti i Beratit në një telegram drejtuar qeverisë më 13 maj 1938 shkruante: “Po na vijnë telegrame alarmante që tregojnë mjerimin e popullit të vobektë, i cili shpesh herë ngryset e gdhihet pa bukë. Kërkon misër….Kjo gjendje është dhe në nënprefekturën e Lushnjes”.

    Myzeqeja në ato vite të mbretërisë Zogiste nuk kishte industri, veç disa mullinj bloje, që punonin me ujë në afërsi të lumenjve e përrenjve si: në Thanë, Çërragë, Kasharaj, Thanasaj e tjera. Më vonë u ngritën mullinj me motor në qytetin e Lushnjes, në Bishqethëm, Bubullimë, Divjakë, Remas, Libofshë. Në qytet mbizotëronte zejtaria, kryesisht bakër e teneqepunues, prodhim rrogozash, punishte druri, këpucarë, rrobaqepës e tjerë. Rreth viteve 1937-38 u ngritë në qytetin e Lushnjes një ofiçinë riparimi mjetesh dhe centrali elektrik i qytetit, që punonte në darkë me orar të reduktuar 4-5 orë. Në këto punishte zejtarie punonin disa dhjetëra punëtorë.

    Shumë prapambetje kishin dhe arsimi, kultura e shëndetësia. Shkolla e parë në Myzeqe u hap në Libofshë në vitin 1908, dhe po në këtë periudhë në gjimnazin grek që ishte në Manastirin e Ardenicës, drejtori patrioti Jani Minga zhvillonte dhe mësimin në gjuhën shqipe. Në vitin 1912 u hapën shkolla shqipe dhe në fshatrat, Këmishtaj, Ngurrëz, Krutje, Bubullimë, Delisufaj, Shegas, Karbunarë, Zharrnec, Divjakë e tjera. Mësuesit e parë përmenden, Ikonom Dhima, Rrap Mërtiri, Anastas Laska, Naun Prifti, Aleks Rista, Prof Dani, Tun Gjergji, Themi Koço Dhima, Maxhit Libohova, Beqir Nova, Jorgaq Semini, Kol Sako, Goni Nushi e të tjerë.

    Në qytetin e Lushnjes shkolla e parë shqipe u hap në 1913, megjithëse mësimi shqip ishte futur dhe më parë. Nën regjimin e Zogut shumë shkolla u mbyllën edhe për mungesë kuadri. Në vitet 1935-39 analfabetizmi në Myzeqe përfshinte rreth 85% të popullsisë. Në 1938 në shkollë shkonin për të mësuar 1 në çdo 46.7 banorë, ose rreth 2 vetë në 100 banorë.

    Në gjendje të mjerueshme ishte dhe shëndeti i popullit. Një plagë e rëndë për myzeqarët ishte sëmundja e malaries, e cila çdo vit bënte kërdinë, sidomos në fshat. Qeveria e Zogut nuk morri asnjë masë për ta luftuar këtë murtajë vdekjeprurëse. Në vitin 1938 nga 650 fëmijë fshatarësh të ekzaminuar në qendrën shëndetësore të Lushnjes, 75.7% e tyre rezultonin të prekur me malarie. Evidente ishin dhe sëmundje të tjera si, tuberkulozi, sifilizi, fruthi, zgjebja e tjera. Vdekjet në Myzeqe ishin nga më të lartat në gjithë Shqipërinë. Gjatë viteve 1936-38, vdekshmëria e popullsisë në këtë trevë arriti 26 vetë për 100 banorë.

    Në këtë gjendje e gjeti popullin e Myzeqesë pragu i Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimi fashist italian në 1939. Populli i Myzeqesë u ngrit i gatshëm për luftë kundër pushtimit fashist. 200 vullnetarë myzeqarë u nisën të organizuar drejt Durrësit, 300 vullnetarë u bashkuan me forcat e Vlorës dhe të Beratit pranë ullishtave të Vlorës, dhe mijëra të tjerë në grykëderdhjen e Semanit e në bregdetin e Divjakës. Por mungesa e armëve dhe rënia e shtetit, i lanë ata si dhe shumë luftëtarë të tjerë të Shqipërisë, të tradhtuar, pasi dhe vet mbreti Zog morri arratinë, duke lënë vendin pa shtet në mëshirën e fatit. Luftëtarët popullorë u kthyen të dëshpëruar, pa mundur dot t’i dilnin për zot mbrojtjes së vendit. Më 8 prill 1939, forcat italiane u dislokuan në qytetin e Lushnjes. Që në ditët e para, okupatori fashist organizoi në qytetin e Lushnjes seksionin e federatës së partisë fashiste me sekretar federal Ali Bej Fugën. Nisi dhe anëtarësimi në partinë fashiste, ku kryesisht u afruan njerëz nga shtresat e bejlerëve, tregtarëve dhe disa intelektual të lëkundur, që u vunë në shërbim të fashizmit. Shtresat e pasura kishin dhe interesa ekonomike për të ruajtur pasuritë e tyre. Po ashtu u anëtarësuan dhe disa arsimtarë e nëpunës të administratës  shtetërore me detyrim për të mbajtur vendet e punës.

    Fashizmi, vëmendjen e përqendroi veçanërisht për të bërë për vete rininë, duke ngritur disa shoqata si, shoqata “Xhovani fashista” me të rinj të moshës mbi 18 vjeç; shoqata “Avanguardista” me moshën 14-18 vjeç dhe shoqata “Balila” me moshën 14 vjeç. Në këto shoqata u përfshinë kryesisht fëmijë të shtresave të pasura dhe njerëz të lëkundur. Këta të rinj i edukonin kryesisht me ide fashiste, i vishnin me rroba karakteristike të uniformës fashiste, i mësonin të nderonin “Alaromana”, u mësonin këngë që i këndonin fashizmit italian, i dërgonin në shërbime paraushtarake, në kampe e në vende pushimi në Itali e tjera.

    Partia fashiste organizoi në Lushnje klubin “Dopo lavoro” për argëtimin e të rinjve me koncerte, vallëzime, lojëra bixhozi, pije energjike e alkoolike, kanconeta dashurie e tjera.

    Fashizmi italian nisi dhe kolonizimin e fushës së Myzeqesë. Fillimisht në komunën e Fiersheganit në katundet Barbullinjë dhe Sejmenëz, u krijua shoqëria bujqësore “Italba”. Kjo shoqëri shpronësoi një pjesë të tokave të fshatarëve, solli disa traktorë e makina bujqësore, si dhe disa bujq italianë për eksperiencë, ndërtoi zyra, depo drithi e tjera. Më pas kjo shoqëri u shtri në 16 fshatra të tjerë të komunës së Fiersheganit dhe në 1940 iu bë dhuratë Duçes për ta administruar si çiflig të tij.

    U krijua dhe shoqëria EBA (Enta Bonifika Albaneze), për të bonifikuar fushat e Myzeqesë, planet e së cilës mbetën në letër dhe nuk u bë asnjë përpjekje. Për qëllime ushtarake u ndërtuan kazerma të ushtrisë dhe në  fushën e Savrës u ndërtua një aerodrom i vogël për avionët ushtarak italian.

    Në këtë periudhë, ndjenjat antifashiste nisën të zgjohen në popullin e Myzeqesë si në tërë Shqipërinë. Lindën shpresa të reja, ide dhe vullnet i pa përkulur për të luftuar deri dhe me armë në dorë për çlirimin e vendit. Dhe kjo lëvizje erdhi duke u zgjeruar deri në luftën legjendare partizane, që solli çlirimin e plotë të Shqipërisë. Nga Myzeqeja e Lushnjes luftuan në formacionet luftarake me armë në dorë 3450 partizanë, përveç qindra të tjerë që u aktivizuan në komandat e vendit në terren. Midis tyre ishin rreth 80 gra e  vajza dhe mbi 200 shtëpi ishin baza lufte. Gjatë luftës NÇL dhanë jetën në betejat luftarake 197 dëshmorë dhe 29 dëshmorë kanë rënë në përpjekje me bandat kriminale pas çlirimit të vendit, që bëjnë gjithsej 226 dëshmorë djem e vajza myzeqare.