Jorgo Kosta:Plas sherri në Partinë Socialiste të Sarandës

844
Sigal

Flet kreu i PS-së, së Athinës Jorgo Kosta: Do dëbojmë nga Greqia çdo pasues të Adil Çarçanit!

Jorgo Vilson Kosta ka një muaj që qëndron i pezmatuar para Bashkisë së Sarandës. “Atëherë kishte portë të trokisje dhe të dëgjonin, sot ka shumë porta dhe troket, por asnjë nuk të dëgjon”, shprehet ai për “Telegraf”. Kosta ndjehet i zhgënjyer nga pushteti që votoi për lokalitetin, rebelin e Partisë së Punës, ku falë një dëshmie të babait të tij, për një krim të ish-Kryeministrit Çarçani, i shpëtoi burgut. Më tej, ai rrëfen vrasjen e Kryekomunarit të Kardhiqit, Riza Kardhiqi, nga dëshmitë e babait të tij, si shoqërues i ish -komunarit Kardhiqi. Si replikoi me Adil Çarçanin dhe letra për Enver Hoxhën.

 Keni një muaj që ju shohim para bashkisë, si e ke hallin?

Një tallje që vijon me shekuj. Ja dokumentet e firmosura për një kioskë në fshatin Metoq. Këto dokumente janë të firmosura nga Kryetari i Bashkisë Stefan Çipa. Fillova punën dhe Policia Bashkiake ma prishi, një dëm prej 300 eurosh. Kërkoj të drejtën, por kryetari nuk e njeh firmën e tij. Kështu paska qenë nisur jeta ime, por jam kryetar i PS-së, në një lagje të Athinës dhe në takimin që do vijë Kryebashkiaku Çipa, do t’i a them se: “Përse vjen, kur firmos dhe gënjen. Do t’i nis letër edhe Ramës”.

The që: “Kështu paska qenë jeta ime”. Pse?

Po! Kemi një histori të gjatë. Një histori që ka mbetur mister. Vrasja e Riza Kardhiqit, ish- Kryekomunar i zonës. Ky sekret më shpëtoi nga burgu me Adil Çarçanin.

Pse?

Qe viti 1986, në NB-Vurg, kur do të vinte Kryeministri Adil Çarçani. Që në orën 4 të mëngjesit më erdhën servilët e drejtorit Sofo Thomarit. Trokitën në shtëpi dhe më thanë se nuk do flasësh dhe para do të hedhim. Këtë e bënë nga frika.

Pse nga frika?

Po nga frika se më 28 dhjetor 1983 i kam dërguar një telegram Enver Hoxhës, që e mbaj mend edhe sot se kam paguar 252 lekë dhe i shkruaja: “Për punë të brendshme të partisë dhe pushtetit, kërkoj takim direkt, me ju në Tiranë. Nuk pyes për shpenzimet! Më caktoni ditën dhe orën kur më prisni për takim! Me respekt VILSONI.

Çfarë ndodhi më tej?

Më 30 dhjetor më vjen përgjigjja: Telegrami juaj u mor dhe ju dorëzua në dorë personalisht, shokut Enver Hoxha-Behar Hoxha, nënshkrimi. Më pas vjen telegrami tjetër më 02 Janar, 1984: “Preokupimet dhe shqetësimet që keni na i paraqisni me letër!” Enver Hoxha.d.v.

Dhe çfarë bëtë për këtë?

Eh, kjo botë funksionon me frikë! Sa morën vesh, se dihet që merreshin vesh, për kërkesën e udhëheqësit, të gjithë titullarët kryesorë të ekzekutivit dhe partisë u vunë në lëvizje, por unë isha në Gjirokastër tek vjehrri. Më gjetën dhe më thanë që ç’ke ti, na ke neve, pse shqetëson partinë, t’i zgjidhim neve hallet. U thashë se duhej të m’i kishit zgjidhur, tani është vonë. Shkrova një letër të gjatë për udhëheqësin me 21 faqe. Pas disa ditësh ai dërgoi 6 inspektorë të KQ të PPSH-së, që verifikuan kërkesat e mia dhe m’i zgjidhën dhe përveç zgjidhjes lanë edhe detyra.

Pas kësaj, nuk u hakmor baza?

Jo!Sepse ata lanë detyra edhe për më pas, dhe më thanë në sy të tyre që edhe problemi më i vogël, një telegram i thjeshtë dhe pa merak! Asgjë nuk ndodhi. Po kështu qe atëherë. Ndërsa sot firmosin, na lenë të harxhojmë lekët dhe na tallin. Atëherë, kishte derë ku të trokisje, kishte vesh që të dëgjonte dhe zë që të thoshte: Hyr në zyrë! Ja, sot kam vendosur t’i shkruaj Edi Ramës, po kot.

Le të kthehemi tek vizita e Adil Çarçanit, në NB-Vurg! Pse drejtori të pagoi për mos të folur? Ti fole marrëzira për ligjet dhe politikën e kohës dhe pse nuk përfundove si gjithë të tjerët që kishin vepruar si ti? Pse trembej nga ju Adil Çarçani?

E drejtë! Histori e vjetër që mbështjell edhe një mister përbrenda,dhe kam vendosur ta rrëfej për “Telegraf”. Është vrasja e Kryetarit të Komunës së Kardhiqit më 1942-n, Riza Kardhiqit. E pa përfolur nga historia. Por le të mbetet në histori…Po të them më parë, ardhjen e Adil Çarçanit. Erdhi për tufëzimet. Siç thashë, më kishin lajmëruar të mos flisja. Brenda në sallë qe edhe një vajzë 7 vjeçe. E kishin prurë. Adili e pyeti: E hëngre vezën në mëngjes, po qumështin e pive? Po,- u përgjigj vajza. Nuk durova: Turp të keni- maskarenj u thashë. Gënjeni! Kemi tre ditë pa qumësht dhe vezë, se i di të gjitha, se punoj në pulari dhe shpërndaj mishin tek drejtorët. Turp! Shoku Adil tha se do flas komunistja e brigadës…

E ndërpreva…Shoku Kryeministër, si kjo komuniste bëj çdo mëngjes. Le të thotë, a ka punuar në kanale, në korrje e në proceset e brigadës. Kryetari i degës më kërcënoi se do më fuste në burg. I thashë: Vërtetoi dhe po nuk janë të vërteta, burgosmëni dhe vramëni. Më thanë të dilja jashtë. I thashë Adil Çarçanit: Kryeministër, të takohemi pak mënjanë se di diçka që do të rëndojë edhe sot. Më thirri mënjanë dhe i tregova historinë dhe shpëtova.

Çfarë dinit dhe çfarë e shqetësonte Kryeministrin Çarçani?

Një histori e vjetër. Në vitin 1942, kjo ka ndodhur tek ura në të dalë të Prongjisë, tek ura e drunjtë që tani nuk ekziston për shkak të rikonstruksionit të rrugës, 500 metra nga lapidari kur del për në Cepun.

Çfarë ndodhi?

Ne ishim miq të Riza Kardhiqit. Gjyshja ime, Zoica qe pajtuar në shtëpi të tij dhe babai im, në atë kohë i vogël, qe shoqërues i të ndriturit Riza. Atë ditë që ndodhi gjëma, Kryekomunari kthehej me mushkë kaluar dhe babai im, Filipi, mbante kapistrën. Tek ura i qëlluan. Rizai u kumbis për mos t’u ngritur. Babait i folën: Filip, ik se me ty s’kemi gjë! Iku babai dhe njohu Adil Çarçanin dhe vëllain Siri Çarçanin. Babai deri sa vdiq thoshte, ata e vranë kot së koti, atë burrë të rrallë e me virtyte. Menjëherë gjyshja ime e hoqi babanë dhe e dërgoi në Nivicë-Bubar, tek dy motra të martuara, ku dhe vet u martua dhe na bëri neve. Adil Çarçani, sa herë vinte në Sarandë, dërgonte Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme për të marrë babanë, aty rrinin me orë të tëra. Këtë i tregova Adil Çarçanit që shpëtova nga marrëzitë e mia. Apo më saktë, se sa i thashë që jam djali i Filip Kostës, ai nuk e zgjati. Plotësova kërkesat e mia jetike. Më dërguan më pas edhe autorizim për televizor dhe frigorifer. E kështu shpëtova. Po tani do t’i dërgoj letër Edi Ramës, se do na vijë në Athinë, do na prezantojë programin, unë jam Kryetar i Partisë Socialiste të lagjes “Meso Ijia”, Aqitis-Athinë. Të na paraqesë programet për emigracionin dhe t’i japim votën, se nga sa thashë, këtej firmos e këtej na dërgon policinë.