Jorgo Kaçani: Liberalizim të pranimeve në Arkitekturë, konkursi nuk bën një përzgjedhje të saktë të studentëve, për shkak të koh

    465
    Sigal

    INTERVISTË/Akademik Jorgo Kaçani, Rektori i Universitetit Politeknik në Tiranë flet për kuotat e kriteret e pranimeve të studentëve në vitin e parë

    Akademik Jorgo Kaçani, Rektori i Universitetit Politeknik në Tiranë, në një intervistë për “Telegraf”, këmbëngul për një liberalizim të pranimeve të studentëve, pasi koha që u duhet atyre për t’u përgatitur është shumë e shkurtër dhe si rrjedhojë dhe përzgjedhja që u bëhet kandidatëve për studentë nuk është shumë e saktë. Për këtë pritet miratimi në Senat. Gjithashtu në këtë intervistë, Akademik Kaçani, tregon për kuotat në rritje dhe kriteret e pranimit të studentëve, për investimet apo për gjendjen e laboratorëve në Universitetin Politeknik të Tiranës.

    Profesor Kaçani ju jeni shprehur për heqjen e konkursit në degën e Arkitekturës, vazhdon të jeni i këtij mendimi?

    Jo vetëm që jam shprehur, por këmbëngul të hiqet një procedurë e tillë, e cila nuk është se bën një përzgjedhje të saktë të studentëve, për shkak të afatit kohor shumë të shkurtër që zhvillohet dhe për shkak të mënyrës sesi organizohet. Ne do të kemi një rregullore të cilën e kemi përpiluar dhe duhet të shkojë për miratim në Senat. Kjo parashikon që të kemi pranimet në vitin e parë në Arkitekturë dhe pastaj mbi bazën e rezultateve të vitit të parë të kemi një selektim që do të vazhdojë në vitin e dytë, të tretë dhe në Master. Për ata studentë që që nuk do t’i plotësojnë kushtet, ne mendojmë të hapim një profil Dizajn në master dhe bachelor tre vejçar dhe nga ana tjetër, studentëve t’u krijohet mundësia që të transferojnë studimet brenda degëve që ka Universiteti ynë. Pra këta studentë që nuk do të jenë rezultativ, kualitativ për Arkitekturën dhe Urbanistikën mund të vazhdojnë studimet në degët  e inxhinierive.

    Cilat janë degët më të sulmuara në Universitetin tuaj?

    Po e përdor dhe unë këtë fjalë, më të “sulmuara” janë degët e Teknologjisë së Informacionit, degët e Inxhinierisë së Ndërtimit, Arkitekturës, Elektronikës etj. Por unë dua të them këtë, që studentët e Inxhinierisë janë të suksesshëm në procesin e punësimit, ky është një avantazh që ia jep vetë formimi inxhinierik. Diploma jonë njihet edhe jashtë vendit fal implementimit të procesit të Bolonjës, që është me kredite. Transferimi i krediteve bëhet jo vetëm gjatë fazës së studimeve inxhinierike, por edhe pasi kanë përfunduar, bën të mundur njohjen e diplomës jashtë vendit. Diploma njihet në SHBA, në Gjermani, Japoni, Angli, Francë, Itali, Greqi, Rusi, madje edhe në Australi gjen studentë të punësuar me diplomën tonë. Jo më larg se parmbrëmë mora një telefonatë nga SHBA, për të bërë verifikimin e diplomës së një studenti, i cili do të punësohej si inxhinier në Amerikë.

    Cilat janë kriteret për pranimet në Universitetin tuaj megjithë dëshirën tuaj për liberalizimin e pranimit të studentëve në vitin e parë?

    Kriteret e pranimit padyshim që janë. Për sa i përket pranimeve, që do bëhen në Universitetin Politeknik të Tiranës, kriter janë rezultatet e Maturës dhe mbi bazën e preferencave që ka studenti bëhet edhe përzgjedhja në degën që ka aplikuar. Përveç kësaj, ka prioritet edhe kërkesa për rezultate sa më të mira përsa i përket lëndëve shkencore si matematika, kimia dhe fizika. Megjithatë, unë dua të nënvizoj faktin që cilësia e studentëve, të cilët ndjekin Universitetin tonë nga njëri vit në tjetrin ka ardhur në rritje dhe kjo dëshmohet me numrin e pikës së maturës shtetërore, pra në qoftë se para 5 vjetësh një student vinte me 5000 pikë në Teknologjinë e Informacionit, këtë vit kandidati për t’u pranuar student duhet të ketë mbi 6100 pikë, 5900 te Ndërtimi, 5000 te Mekanikja, Elektrike e kështu me radhë. Pra ne kemi jo vetëm rritjen e numrit të studentëve, të paktën gjatë këtyre 5 vjetëve që unë jam Rektor nga 5900 që ka qenë numri i studentëve kemi arritur në 14 mijë, por nga ana tjetër është rritur edhe cilësia.

    A ka ndryshuar raporti meshkuj-femra duke qenë se Universitetit Politeknik në Tiranë është mbajtur gjithmonë si një Universitet mashkullor?

    Ka ndryshuar shumë raporti meshkuj-femra dhe falë ambicies që femrat kanë për të vazhduar degë të tilla si Teknologjia e Informacionit, Inxhinieria Ekonomike, Arkitektura, Ndërtimi, apo dhe degë të reja. ende nuk jemi në balancë, po është rritur goxha raporti në përmirësim në drejtim të femrave që ndjekin Universitetin tonë.

    Kuota më të larta do të thotë që duhen hapësira të reja.

    Është shumë e vërtetë, neve  do të fillojmë shumë shpejt shtesën që do të bëhet pranë Korpusit Qendror dhe do të ketë një sipërfaqe shtesë rreth 8600 metra katror. Pra kjo sipërfaqe bën që në standarde normale të kemi rreth 1200-1300 studentë më shumë, por kjo nuk do të thotë që do kemi rritje të studentëve në këto shifra, por nga ana tjetër do të kemi dhe përmirësim të kushteve të studentëve aktualë që kemi, duke rritur hapësirat që do t’i shtohen Universitetit Politeknik të Tiranës. Me këtë rast do të doja që të falënderoj personalisht Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Sali Berisha për kujdesin e veçantë që ka pasur në drejtim të ndihmesës dhe përkushtimit për përmirësimin e kushteve të studentëve dhe veçanërisht të shtesës që do t’i bëhet Universitetit Politeknik. Jo më vonë se parmbrëmë në orën 10.00 të darkës më është bërë telefonata që është miratuar nga Kryeministri, shtesa që do t’i bëhet Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës.

    Vetë profili i Universitetit tuaj ka shumë nevojë për laboratore, a janë bërë investime në këtë drejtim, po mungesa a ka?

    Unë të falënderoj për pyetjen dhe bën një pyetje jo si gazetare, por si profesioniste inxhinierike. Duhet të kemi parasysh këtë, që në formimet inxhinierike, puna laboratorike zë minimumi 30 % të ngarkesës mësimore, çfarë do të thotë që nëse bën 70% në auditor, 30% do t’i bësh në laboratore, sepse të gjitha lëndët inxhenierike, përveç anëve teorike të tyre  që shprehet në leksione dhe seminare, kanë dhe anën praktike që shprehet ne laboratore, anën praktike që shprehet në praktikat profesionale dhe kanë anën tjetër praktike që shprehet nëpërmjet detyrave dhe projekt-kurseve që zhvillohen në degët inxhinierrike. Asnjëherë s’mund të thuhet që në universitetet inxhinierike, procesi i pajisjeve laboratorike është ezauruar, jo vetëm në Shqipëri që jo e jo, por edhe në vendet më të zhvilluara. Kjo falë faktit që teknologjitë janë në përmirësim, në zhvillim, një teknologji e re padyshim që kërkon dhe një pajisje të re. Për shembull, një kompjuter e ka jetëgjatësinë e vet 3-4 vjet dhe pas kësaj ai del jashtë loje, sepse del një kompjuter tjetër që duhet ta zëvendësojë atë. Pra teknologjia avancon me hapa të tilla galopante të cilat kërkon që kjo teknologji të shoqërohet dhe me pajisje të veta teknologjike, të cilat pasqyrohen në bazën laboratorike. Janë bërë investime në Universitetin Politeknik dhe këto janë pajisje të cilat janë blerë në kuadrin e projekteve që ne kemi pasur me  kreditë nga Banka botërore dhe kemi edhe laboratore të cilat janë ngritur në kuadrin e projekteve që ne kemi, janë ngritur mbi 10-15 laboratorë të rinj, por gjithmonë kërkesat janë në një natyrë të tillë që do të jenë në rritje, por nga ana tjetër është dhe ajo që nevojat e një universiteti asnjëherë nuk janë të ezauruara përsa i përket jo vetëm bazës laboratorike, por edhe përmirësimit të mjediseve që duhet të ketë një universitet.

     Inxhinieritë nëpër botë i japin shumë prioritet praktikës dhe vetë universitetet kanë marrëveshje kryesisht me biznese industriale, si ndodh këtu, po universiteti juaj a ka marrëveshje të tilla?

    Edhe ne në Universitetin Politeknik kemi marrëveshje me ndërmarrje të mëdha prodhuese, psh të marr Teknologjinë e Informacionit, kemi marrëveshje me të gjitha telefonitë që operojnë në tregun shqiptar që studentët të bëjnë praktika mësimore, po kështu kemi dhe për studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilët bëjnë praktika në ndërmarrje. Pra kemi marrëveshje, por duhet të dimë këtë, që niveli i teknologjisë në ndërmarrje të tilla nuk është në ato nivele që mund t’i ketë bota e zhvilluar. Në formimet inxhinierike këto elemente janë të parashikuar për formimin e inxhinierëve.