Jetmira Kozmai: “Në situata përmbytjesh, kemi platformë specifike për kontrollin dhe sigurinë ushqimore”

693
AKU e Shkodrës, prej dy vitesh ka dalë nga “reanimacioni” dhe është futur në aktivitet normal, çdo ditë është në punë konkrete në terren, në çdo zonë ku ka tregje, prodhim dhe konsumatorë, qysh në ditët e para të drejtimit, unë si drejtuese i bëra “terapi intensive” organizimit të strukturës, angazhimit të burimeve njerëzore, bashkëveprimit brenda stafit, specifikimit të detyrave e përgjegjësive, duke e nisur nga vetja
Tashmë ne punojmë në mjedise të reja, të kompletuara me çdo element funksional bashkëkohor, kushte për të cilat dua të përshëndes posaçërisht Ministrin e Bujqësisë e Ushqimit, drejtuesin e zot, kërkues, tolerant, modern, aktiv e bashkëpunues, Prof. Edmond Panariti 
Po ju njohim me një “lajm” të veçantë, që ka si “autorësi dhe burim” Drejtorinë Rajonale të Kontrollit Ushqimor (AKU) të Qarkut Shkodër: Situata e përmbytjeve që kanë ndodhur e po vazhdojnë të ndodhin prej reshjeve të shiut në disa zona të vendit, kanë vënë në lëvizje aktive e efiçente edhe stafin e shërbimit shtetëror rajonal të Autoritetit të Kontrollit Ushqimor (AKU) të Qarkut Shkodër, qark në të cilin siç dihet, këtë vit nuk ka pasur përmbytje prej reshjeve. Ky është “lajmi”. Këtë fakt e mësuam gjatë një bisede që zhvilluam dy ditë më parë në Shkodër, me drejtoren e AKU të këtij qarku, zonjën Jetmira Kozmai. Është një “lajm”, që mendojmë se duhet përshëndetur e duhet futur si model pune në krejt AKU-në e Shqipërisë, sidomos nga degët rajonale të AKU-ve në zonat ku ndodhin përmbytje. Pse? Drejtorja e AKU-Qarku Shkodër, që prej krijimit të AKU, për herë të parë e të vetme në shkallë vendi, këtë vit e ka bërë AKU që drejton, pjesë të monitorim-menaxhimit të problemeve që mund të krijohen në situata përmbytjesh nga reshjet e shiut, duke përcaktuar e duke zënë pozicionin e vet të veprimit në këto raste, si shërbim në mbrojtje të konsumatorit. Siç dihet, këtë vit Shkodra, Lezha, Fieri, Durrësi, Lushnja etj., janë (për)mbytur. Në asnjë vit, as AKU e Shkodrës dhe asnjë degë tjetër AKU-je në Shqipëri, nuk ka qenë pjesë e shtabit të emergjencave, por as nuk ka “lëvizur nga kolltuku” për t’u bërë vetë pjesë e këtyre situatave. Ndërsa këtë vit, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor të Qarkut Shkodër, pa asnjë “urdhër nga lart”, pa asnjë “ftesë” nga institucionet lokale, por me ideim dhe inciativë të drejtores Jetmira Kozmai, krahas shërbimit rutinë është strukturuar edhe si “shërbim i gatshëm” për të qenë pjesë vepruese e problematikës ushqimore, që mund të krijohet në raste përmbytjesh, me synimin për të përmbushur detyrën si mbrojtëse e sigurisë ushqimore të popullatës edhe në këtë raste, ku ushqimi është sektori më i rrezikuar nga ndotjet dhe epidemitë. Lidhur me këtë ide, konceptim e qëndrim të ri, biseduam dy ditë më parë me drejtoren e AKU të Qarkut Shkodër, zonjën Jetmira Kozmai… 
Zonja Kozmai, jeni ideatore dhe praktikuese e një modeli të ri, duke futur një “shërbim të veçantë” kontrolli për sigurinë ushqimore në raste përmbytjesh, si ju lindi ideja?
– Ne jemi Autoritet Kontrolli Ushqimor (AKU) dhe detyrë e mision të vetëm, kemi kontrollin mbi çdo produkt ushqimor që prodhohet e tregtohet, me synim garantimin e sigurisë së shëndetit dhe jetës së popullatës. Në raste përmbytjesh, sektori që preket më tepër e që në mënyrë të pashmangshme përbën rrezik potencial për jetën dhe shëndetin e popullatës, dihet që është ushqimi. Familjet kanë depozita ushqimesh ditore e stinore, të cilat në raste përmbytjesh infektohen. Tregjet janë plotë me produkte, të cilët kur përmbyten dëmtohen masivisht. Fermerët kanë bagëti, shpendë, prodhime ushqimore në fusha, në punishte, në stabilimente prodhimi e magazina. Në këto raste, këtë drejtim duhet të monitorojmë ne si AKU. Ndaj dhe ideova e së bashku me stafin, vendosëm të bëhemi e të jemi prezent me shërbimin tonë pranë ushqimit të familjarëve, pranë konsumatorit, pranë prodhuesit, pranë tregtarëve, me qëllim që të vrojtojmë gjendjen fizike dhe sigurinë e produkteve në raste kur ka përmbytje, të cilat shkaktojnë infektimin e ushqimeve. Ka përmbytje prodhimesh bujqësore, bagëtish, lëndësh të para ushqimore, qendrash përpunimi, prodhimi e magazinimi produktesh ushqimore dhe ky realitet ka ndodhur e duhet thënë, se është nënvlerësuar, është lënë në “dorë” të popullatës për të bërë seleksionimin e produkteve apo bagëtive të përmbytura të infektuara, ose janë bërë vetëm disa kujtesa shabllone me thirrjen “Kujdes, nga ushqimet e infektuara”! Tashmë, AKU do të zbatoj një platformë ndryshe…
Po tani, çfarë “praktikë ndryshe”, sjell në këtë drejtim ideja, strategjia dhe platforma juaj si AKU?
– Këtë situatë, ne menduam ta monitorojmë duke ndërtuar një strategji me platformë konkrete, të detajuar e bashkëpunuese brenda stafit tonë dhe si ndërveprim me institucionet e tjera, por sidomos me konsumatorin, me prodhuesin, me tregun e mbi të gjithë me banorët që preken nga përmbytjet nga ushqimet ditore që kanë “në tavolinë” e deri dhe tek rezervat stinore që mbajnë nëpër banesa. “Praktikë ndryshe” në strategjinë tonë është kjo: Ne si AKU, në raste përmbytjesh krijojmë ekipe kontrolli specifike të përditshme, të cilët vrojtojnë çdo produkt dhe marrin masa për të mbrojtur popullatën në zona dhe konsumatorin në treg nga produktet që nuk duhet të përdoren. E po kështu, mbajmë nën mbikëqyrje të fortë tregjet, linjat prodhuese, bagëtitë dhe shpendët që përmbyten, me qëllim që çdo produkt i dëmtuar si siguri, të mos përdoret për konsum. Këtë synim, kemi menduar ta arrijmë në bashkëveprim me institucionet ligj-zbatuese në qark, të cilave tashmë u kemi dërguar platformën tonë të re si AKU për veprim në raste përmbytjesh dhe ato na kanë mirëpritur e na kanë shprehur mbështetje institucionale. 
A ka lidhje profesioni juaj si mjeke, me faktin që prej mëse 2 vitesh, AKU e Shkodrës ka dalë nga “reanimacioni” si shërbim publik?
– Fakt është që AKU e Shkodrës, prej dy vitesh ka dalë nga “reanimacioni” dhe është futur në aktivitet normal, çdo ditë është në punë konkrete në terren, në çdo zonë ku ka tregje, prodhim dhe konsumatorë. Mendoj se e vetmja lidhje që ka profesioni im si mjeke, me nxjerrjen e shërbimit të AKU nga “reanimacioni” ku dergjej e mbahej me “serume” deri në tetor 2013 është dëshira, vullneti, motivimi dhe përpjekja ime, që unë çdo gjë që marrë përsipër dua ta “shëroj” e ta shpëtoj, tra rikthej në jetë e në punë. Këtë kam bërë edhe me AKU. Qysh në ditët e para të drejtimit, i bëra “terapi intensive” organizimit të strukturës, angazhimit të burimeve njerëzore, bashkëveprimit brenda stafit, specifikimit të detyrave e përgjegjësive, duke e nisur nga vetja. Këtë e kam arritur me gjithë ekipin tim që drejtoj, të cilit i jam mirënjohës për mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë. Tashmë AKU, punon në mjedise të reja, të kompletuar me çdo element funksional bashkëkohor, kushte për të cilat dua të përshëndes posaçërisht Ministrin e Bujqësisë e Ushqimit, drejtuesin e zot, kërkues, tolerant, modern, aktiv e bashkëpunues, Prof. Edmond Panariti 
———————————————
Një bilanc nga punët e AKU, me të cilat mbylli vitin 2015
Në Qarkun Shkodër, ushtrojnë aktivitetin e tyre 1591 subjekte që prodhojnë, përpunojnë, magazinojnë, shpërndajnë dhe tregtojnë produkte ushqimore, produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore, të cilat ndryshe nga 2 vite më parë, tashmë ofrohen për konsumatorin me një siguri ushqimore të mirë, të garantuar. Gjatë këtij viti, janë realizuar rreth 2104 inspektime, nga të cilat 1719 për Sektorët e Inspektimit të Ushqimit me Origjinë Shtazore dhe Origjinë Jo Shtazore dhe 385 Inspektime nga Sektori i Inspektimit të Mbrojtjes së Bimëve dhe inputeve Bujqësore. E rëndësishme për këtë vit ka qenë jo vetëm rritja e numrit të inspektimeve por përmirësimi i cilësisë së inspektimeve në zbatim të legjislacionit në fuqi sipas sektorëve përkatës, gjë që është reflektuar në rritjen e Sigurisë Ushqimore si dhe përmirësimin e cilësisë së inputeve Bujqësore. Krahas së rritjes së cilësisë së Sigurisë Ushqimore janë konstatuar edhe raste që janë shkelur kërkesat ligjore dhe për këtë shkelësit e ligjit janë ndëshkuar sipas Legjislacioneve në fuqi dhe konkretisht janë dhënë dënime administrative si: 15 gjoba me vlerë totale 560000 lekë, 78 paralajmërime, 5 raste, bllokim aktiviteti 1655 kg produkte ushqimore, 989 kokrra vezë të asgjësuara. Ajo që vlen të theksohet është ndërgjegjësimi i vetë subjekteve si dhe impenjimi i stafit të AKU-Qarku Shkodër, për vjeljen e të ardhurave nga gjobat e vendosura. Një shprehje e qartë e garancisë së produkteve ushqimore, të hedhura në treg kanë qenë dhe analizat laboratorike që kryhen. Në total janë kryer 935 analiza laboratorike në Laboratorin Rajonal të AKU Shkodër, në ISUV, në ESHF dhe në QTTB Fushë-Krujë, të cilat kanë rezultuar brenda standardeve. Në zbatim të Urdhrave të ardhura nga AKU e Qarkut Tiranë, janë kryer kontrolle të përbashkëta, të cilët kanë pasur mjaft rezultat. Gjithashtu janë kryer monitorime të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU) që zhvillojnë aktivitetin e tyre në prodhimin dhe përpunimin e produkteve të miellit PMB, MMSHB etj, me referim dhe zbatim të legjislacionit në fuqi.
———————-
Ja 10 drejtimet kryesore të platformës për vitin 2016
1. Informacion i plotë, për burimet e furnizimit të distributorëve të produkteve me shumicë (importe-prodhim vendas)
2. Informacion i plotë për tregun e produkteve ushqimore për fëmijë të moshave 0-6 vjeç
3. Informacion i plotë për burimet e furnizimit të tregjeve me produkte direkt nga qendrat e grumbullimit dhe pikat prodhuese stinore
4. Informacion i plotë, lidhur me kontrollin e industrisë prodhuese e përpunuese agro-ushqimore në vend, në gjithë procesin deri në prodhimin dhe hedhjen në treg të produktit
5. Kontrolli në njësit tregtare me shumicë e pakicë, për afatet e skadencave të publikuara në etiketa
6. Kontrolli i produkteve të hapura (të pa ambalazhuara) të tregut fshatar dhe tregut zonal javor (pazaret)
7. Profilizimi i tregjeve ushqimore, sipas llojeve ose grup llojeve të produkteve
8. Informacion i plotë, mbi tregun e importit kufi e doganë, lidhur me kohën e prodhimit, cilësisë, sigurisë, jetëgjatësisë dhe ligjshmërisë dokumentare të produkteve ushqimore që futen në tregun shkodran e shqiptar.
9. Kontrolli e ushqimeve të pa përpunuara, me origjinë shtazore
10. Sensibilizimi i popullatës, në lidhje me kontrollin cilësisë së ushqimeve dhe denoncimi i abuzimeve në AKU e në institucione të tjerë qendror e lokal
Sigal