Jepni pronat e fituara me gjyq familjes së Lasgush Poradecit!

    448
    Sigal

    Letër publike Edi Ramës

    Para disa ditësh gazeta ”Telegraf” ka botuar një intervistë me bijën e poetit të madh Lasgush Poradeci, znj. Marie Poradeci, për mos zbatimin e vendimit për dhënien e pronës së familjes së tyre në Pogradec, pas një sorollatje 20 vjeçare dhe të fituar me vendim gjykate. Pas kësaj interviste në redaksinë e gazetës kanë ardhur shumë letra që kërkojnë zbatimin e këtij vendimi, aq më tepër kur bëhet fjalë për pronat e poetit kombëtar. Një ndër këto letra është dhe kjo e ardhur nga Kryesia e Shoqatës ”Krahina Jonë” (Dukat Tragjas Radhimë) e cila kërkon ekzekutimin e vendimit konform Kodit të Procedurës Penale, dhe të merren masat përkatëse për të gjithë ata që kanë penguar ekzekutimin e vendimit të gjykatës.

    LETER PUBLIKE DREJTUAR KRYEMINISTRIT ZOTIT EDI RAMA

    23.01.2015

    I nderuar zoti Kryeministër !

    Ndjejmë detyrim qytetar të reagojmë ndaj shkrimit të botuar në gazetën ”Telegraf” datë 20 .01.2015 sipas të cilës, Ministria e Drejtësisë për disa vjet ka mbajtur qëndrim negativ për të zbatuar vendimin e formës së prerë të gjykatës, një vendim që i ka kthyer pronën familjes se poetit të mirënjohur Lasgush Poradeci. Kur një vendim gjykate i formës së prerë nuk ekzekutohet, drejtësia nuk funksionon, shteti ligjor nuk ekziston. Me siguri janë interesat e ndonjë deputeti apo pushtetari që pengojnë ekzekutimin. Kërkojmë prej jush si Kryeministër i vendit, që të ndërhyni për të analizuar rastin dhe konform Kodit të Procedurës Penale, të merren masat përkatëse për të gjithë ata që kanë penguar ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe kështu ankesat e kësaj natyre të futen në rrugën e zgjidhjes, ashtu siç kërkon dhe Strasburgu. Në Ministrinë e Drejtësisë nuk mund të punojnë njerëz që pengojnë me vite ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë, se ato vendime nuk diskutohen por ekzekutohen. Ky veprim nga ana juaj, do të jetë një paralajmërim për çdo nëpunës që pengon ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës.

    Me besim në veprimet tuaja efektive.

    Me respekt.

    Për Kryesinë e Shoqatës

    ”Krahina Jonë” (Dukat Tragjas Radhimë)

    Kryetari

    Av. Axhem Ymeri