Jep dorëheqjen Drejtori i Spitalit të Librazhdit

    606
    Drejtori i Spitalit të Librazhdit, Kujtim Albrahimi nuk ka pranuar të largojë me urdhrin e Ilir Beqajt 40 infermierët e këtij institucioni, duke i deklaruar atij se “unë jap dorëheqjen nga detyra dhe ato nuk kam pse t’i flakë në rrugë pa asnjë arsye”. Kjo deklaratë e Drejtorit të Spitalit të Librazhdit ndoshta nuk pritej nga zoti Beqaj, në ndryshim me drejtuesit e spitaleve të rretheve të tjera që i janë bindur verbërisht urdhrit të tij, duke flakur në rrugë dhjetëra qindra punonjës me eksperiencë pune në shëndetësi. Sikur të mos mjaftonte situata skandaloze, e cila nuk përmbush asnjë kriter dhe nevojë të mjekimit dhe vizitave të qytetarëve dhe banorëve të asaj zone, punonjësve të Spitalit të Librazhdit, u duhet të përballen edhe me urdhra absurdë të një ministri. Burimet nga Spitali i Librazhdit i thanë “Telegraf” se, “prej 2-3 vitesh spitali ynë po përballet me mungesën e mjekëve specializantë, largimin e tyre masiv drejt Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit, mungesën e medikamenteve dhe pajisjeve diagnostikuese, medikamenteve për të sëmurë kronikë, kurse tani po përballemi me detyrimin e një ministri që kërkon largimin e infermiereve dhe punonjësve të tjerë, për të futur ndoshta miq dhe militantë të pashkollë”. Por duke u kthyer tek urdhri më i fundit i Ministrisë Shëndetësisë për gjoja “perfeksionimin e strukturave spitalore” dhe largimin e të paktën 40 infermiereve, ku prekeshin kryesisht ato me eksperiencë të gjatë pune, vërtetojmë faktin se kundërshtimi nga drejtori Albrahimi ndoshta ishte i papritur. Kjo, pasi deri para pak kohësh ky drejtor ka patur divergjenca të dukshme me stafin e mjekëve, por duket se ky urdhër i ministrit Beqaj i ka kaluar kufijtë e bindjes dhe gjithçka ka kaluar mes debatesh. Drejtori Albrahimi e di fare mirë që për Spitalin e Librazhdit qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të bëjnë më shumë për rifreskimin e aparaturave, mbushjen e depos së spitalit me medikamentet e nevojshme, duke nisur nga alkooli dhe pambuku dhe duke përfunduar tek serumi dhe antibiotikët. Drejtori Albrahimi e di fare mirë se muajt e fundit është përballur me një fluks të paparë pacientësh dhe raste nga më urgjentet, duke konstatuar hapur fare mungesën e mjeteve dhe pajisjeve spitalore dhe duke i detyruar të sëmurët të nisen natën drejt Elbasanit, Tiranës apo edhe Maqedonisë. Kjo situatë ndoshta e ka detyruar ndërgjegjen e tij, të kundërshtojë me të drejtë urdhrin absurdë të një ministri, që edhe pse e njeh mirë situatën në Spitalin e Librazhdit, edhe pse e di se prej 2-3 vitesh banorët e fshatrave të këtij rrethi shkojnë drejt Strugës për një injeksion për mungesën e Qendrave Shëndetësore, sërish guxon të flakë në rrugë nëna me fëmijë, infermiere me eksperiencë që kanë shpëtuar qindra jetë pacientësh. Shëndetësia “falas” tashmë për banorët e Librazhdit mbetet një mashtrim, kurse për stafin e Spitalit dhe Qendrave Shëndetësore një batutë humoristike, e cila është turp të kujtohet dhe përmendet. Asgjë nuk është bërë për Spitalin e Librazhdit në 2 vjet e gjysmë, asgjë për këtë institucion që e ka detyrë t’i shërbejë mbi 50 mijë banorëve që turren ditën dhe natën drejt Elbasanit apo Strugës për të shpëtuar jetën e familjarëve të tyre, pasi në spitalin e tyre mungon gjithçka. Asgjë nuk ka bërë Ministria e Shëndetësisë për spitalin e atyre mijëra banorëve të fshatrave kufitare që pas 15 dhjetorit i mbulon dëbora dhe u bllokohen për 2-3 muaj rrugët, duke i lënë në mëshirën e fatit, jo vetëm pa qendra shëndetësore dhe mjekë të familjes, por edhe pa shërbim spitalor. Në Librazhd nuk gjen një banor të atyre zonave të pranojnë t’u përmendësh premtimet e qeveritarëve, nuk gjen një banor të pranojë t’u përmendësh shëndetësinë “falas” apo premtime të tjera të ngjashme, pasi të kthejnë krahët dhe largohen të zemëruar. Ky realitet shoqëron prej vitesh Librazhdin, dhe nuk ka si të bindë edhe një drejtor (sado militant) të firmosë dhe zbatojë urdhrat e një ministri, që realitetin e shikon nga xhamat e zyrës së tij luksoze. 

    Ilir Duyrmishi
    Sigal