Jemi të zhgënjyer nga dëmshpërblimi. Po mashtrohemi prej 25 vitesh!

    451
    Shoqata e trashëgimtarëve të të pushkatuarve politikë, në një letër publike drejtuar Edi Ramës, i shkruajnë se janë të zhgënjyer prej 25 vitesh pasi nuk po u jepen dëmshpërblimet sipas ligjit, ndërkohë i kërkojnë që të ndërhyjë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt. Ja dhe letra publike për kreun e qeverisë:
    ‘Ne, familjarët dhe trashëgimtarët e të pushkatuarve politikë të Shqipërisë, jemi të zhgënjyer, por edhe të indinjuar nga indiferenca e Qeverisë për dëmshpërblimin tonë financiar. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste ne u përbuzëm si “bij të armiqve të popullit”, u keqtrajtuam dhe u stërmunduam në punët më të rënda në miniera, në gurore, në moçalishte e kanalizime. Me keqardhje vërejmë se edhe tani ne jemi të papërfillur e të diferencuar si në kohën e komunizmit. Duket sikur në këtë mënyrë po vihet në provë durimi ynë. Sipas Ligjit nr. 7748, dt. 29.07.1993 “Mbi statusin e ish të dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Regjimit Komunist”, shkalla e persekutimit fillon nga germa “A” që janë të pushkatuarit për motive politike e pastaj kalon tek “B”, që janë ish të burgosurit politikë dhe “C” të internuarit. Por me dëmshpërblimin financiar është filluar nga germa “B”, të burgosurit, duke lënë pas trashëgimtarët e të pushkatuarve politikë, ndërkohë që trajtimi duhej të bëhej paralelisht; sepse edhe Ligji nr. 7831, dt. 12.11.2007, “Mbi dëmshpërblimin e ish të Dënuarve Politikë nga regjimi komunist” nuk e bën një diferencim të tillë. Ne nuk kemi kundërshtim për dëmshpërblimin e ish të burgosurve, por mund të ishte ecur paralelisht. Nuk duhej të bëheshin dallime të tilla “klasore”. Kjo duket se synon edhe përçarjen midis nesh. Por ne jemi në gjendje t’i bashkojmë forcat tona e të dalim përsëri në protesta për të drejtat që na takojnë dhe për zbatimin me drejtësi të ligjeve të miratuara me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë. Kësisoj, mosrealizimi i kërkesave tona, mund të shkaktojë reagime me pasojë çrregullimin e vendit, gjë që nuk do të ishte në interesin e përgjithshëm dhe as të vetë Qeverisë. Këtë e themi si një paralajmërim, veçanërisht për ata që nuk e shohin me sy të mirë shtresën tonë. Ndërkohë edhe qeveria duhet ta ketë parasysh një gjë të tillë dhe të vazhdojë të punojë me drejtësi e pa u ndalur. Shumë trashëgimtarë të pushkatuarve politikë, tanimë janë të moshuar, të sëmurë, me pensione të vogla, me fëmijë të papunë e me një varfëri kronike. Nuk mund të harrohet edhe fakti që shumë nga njerëzit tanë kanë dhënë një kontribut të shquar në luftën nacionalçlirimtare, por më pas u dënuan dhe vuajtën për mendime ndryshe nga ato të regjimit të Enver Hoxhës. Pra, është koha që qeveria të reagojë drejt për këtë shtresë shoqërore të përvuajtur e të dëmtuar rëndë nga diktatura komuniste. Tranzicionin e stërzgjatur “demokratik” po e vuan më shumë kjo shtresë, e cila nuk po arrin të gëzojë asnjë ditë të bardhë. Ajo që ne kërkojmë, nuk është asgjë më shumë sesa zbatimi me drejtësi i ligjeve të hartuara nga vetë Qeveria dhe të miratuara me konsensusin e të gjitha partive nga Kuvendi i Shqipërisë.’
    Shoqata e trashëgimtarëve të të pushkatuarve politikë
    Kryetari/Gjoç Gjoçi
    Sigal