“Jemi krenarë për origjinën tonë shqiptare”

    602
    Sigal

     INTERVISTË/ Me Antonio Gramshin (e ri), nipin  e ideologut dhe filozofit italian Antonio Gramshi

    Para disa kohësh Instituti Mesdhetar MEME i drejtuar nga deputeti veteran i së Majtës Italiane, Mario Brunetti së bashku me Shoqatën e Albanologëve “Lisi Arbërit” me president Profesor Alfred Uçin dhe në bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë me rektor Profesor Anastas Angjelin, organizuan konferencën “Dy Rilindjet”, kushtuar 150-vjetorit të Unitetit të Italisë dhe 100-vjetorit të pavarësisë shqiptare. Organizatorët në kuadër të këtij bashkëpunimi sollën në Shqipëri Antonio Gramshin junior (të riun), të birin e Xhuliano Gramshit (djali i dytë i të famshmit Antonio Gramshi), i cili falë mjeshtërisë së tij për të luajtur me dhjetëra instrumentet dha një koncert me muzikë instrumentale në mjediset e Universitetit të Mesdheut të Shqipërisë. Duke qenë i ftuar në këtë veprimtari mu dha mundësia të njihem me nipin e Gramshit të madh, i cili, në dallim nga gjyshi i vet, ishte shtatë lartë, elegant dhe mu duk mjaft gazmor dhe i lumtur që këtu në Shqipëri kishte jo vetëm njohës të shumtë të gjyshit të tij. Gjatë bisedës me të, e pyeta, se në cilën gjuhë dëshironte të bashkëbisedonte me mua, preferoi gjuhën  e nënës së tij me të cilën u rrit në Rusi. E pyeta rreth origjinës së familjes Gramshi dhe fatit të njerëzve të kësaj familjeje  dhe dha përgjigjet e mëposhtme:

    Antonio, si je ndjerë këto ditë në Shqipëri?

    Më kanë drithëruar ca emocione të çuditshme. U dashurova menjëherë me këtë vend të të parëve të mi, është shumë i bukur, me njerëz shumë të afrueshëm, të cilët e njohin gjyshin tonë që nga koha e luftës kundër fashizmit.

    Çfarë dini  ju për origjinën tuaj shqiptare?

    Më shumë se unë për familjen tonë di zoti Mario Brunetti, i cili edhe ka shkruar për të. Por për gjyshin tonë është shkruar shumë. Është një libër i shkruar nga një studiues i madh, Xhuzepe Fiori, që bën fjalë për biografinë e Antonio Gramshit. Kjo është biografia më e njohur në botë. Ajo që më ka tërhequr më shumë vëmendjen ka qenë  vullneti i gjyshit tim që si një person i mbyllur brenda burgut, ai ende vepronte, ende ndihej i gjallë. Por gjithsesi unë di gjërat më kryesore: për shembull unë mund t’ju them se unë quhem Antonio Gramshi junior dhe se: babai im quhej Xhuliano Gramshi; babai i Xhulianos ishte i madhi Antonio Gramshi, gjyshi im; babai i Antonio Gramshit është quajtur Françesko Gramshi (1860-1937); babai i Françeskos është quajtur Xhenaro Gramshi (1812- 1879); babai i Xhenaro Gramshit është quajtur Nikolla Gramshi (1747-1824). Sipas dokumenteve ata janë larguar nga krahina e sotme e Gramshit të Shqipërisë aty nga fundi i shekullit të XVIII-të. Gjyshërit, stërgjyshërit dhe katragjyshërit u kthyen në kristian katolikë dhe u martuan me gra vendase. Madje, Xhenaro Gramshi, që është gjyshi i Antonios së madh u martua me një grua, e cila kishte një trashëgimi dhe ka lënë prona në fshatin Plataçi të provincës të Kastrovillarit. Gjyshi i babait tim, i cili quhej Françesko, ishte një nëpunës i thjeshtë poste dhe kishte shtatë fëmijë. Djali i madh quhej Xhenaro. Siç e shihni në familjen tonë trashëgoheshin emrat. Djali i dytë i Françeskos quhej Antonio, gjyshi im, që u bë i famshëm me nivelin e tij të lartë kulturor dhe që nuk e harroi origjinën e vet shqiptare. Antonio Gramshi lindi dy djem, që nuk i pa kurrë dhe nuk i përkëdheli asnjëherë. Vitet më të bukura të jetës  së tij ai u detyrua që t’i  kalojë në burgun fashist. Ata quheshin Deljo dhe Xhuliano. Ata u lindën, u rritën dhe vdiqën në Moskë. Unë jam i biri Xhulianos. Nëna ime para se të martohej me babain tim ka jetuar ca kohë, në vitet ’50 në Shqipëri dhe ka ndihmuar si specialiste muzike. Martesa e saj me babanë ka qenë një surprizë. Ai e dinte origjinën e vet, mbase ka qenë edhe ndër të rrallët shqiptarë në atë kohë, që ishte shtetas sovjetik. Nëna më ka folur me shumë mall për këtë vend.

    Antonio, unë kam gati për botim një libër biografik për jetën dhe veprën e gjyshit tuaj. Ato që më thatë, besoj se vlejnë për librin, sidomos origjina e largët?

    Patjetër. Unë jo vetëm që kam dëgjuar të flitet shumë për origjinën tonë shqiptare, por kam lexuar librin e Xhuzepe Fiorit, të shkruar enkas për Antonio Gramshin, i cili i mëshon shumë kësaj ane për të nxjerrë karakterin burrëror të Gramshit.

    Sa ndiheni shqiptar, sa italian dhe sa rus?

    Siç ju thashë edhe më lartë, me Shqipërinë rashë në dashuri me njëherë. Vend i bukur dhe njerëz të mrekullueshëm. Pastaj Shqipëria, ky vend i të parëve të mi i përket të kaluarës. Në këtë rast e kaluara është si vera: sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është. Zjarri i dashurisë e ndez edhe më shumë kujtimin e së kaluarës. Sa më larg të jesh aq më shumë dashuria i ngjan erës, që fik zjarret e vogla, por ndez zjarret e mëdha. Edhe për Italinë ndjehem krenar. Është origjina e stërgjysheve tona. Është vendi që i priti të parët e mi; është vend i zhvilluar ekonomikisht dhe me një trashëgimi kulturore brilante. Mos harroni se ka nxjerrë: Verdin, Rosinin, Paganinin, Belinin, Dante Aligerin, Pirandelon e shumë të tjerë. Është atdheu ku punoi  dhe u bë i famshëm gjyshi im, Antonio Gramshi. Trashëgimia politike, filozofike, estetike dhe publicistike e tij është në Itali, pastaj gjetkë. Ndërsa si rus ndjehem në radhë të parë shtetas i këtij vendi, ndjehem jo vetëm në atdheun tim të dashur, por edhe në atdheun e gjyshes time, Julias dhe të  nënës time. Në Rusi ndjehem edhe si muzikant që flas me nota muzikore në të gjithë gjuhët e popujve të tjerë. Ndjehem krenar që u përkas edhe rusëve, edhe italianëve, edhe shqiptarëve…

     _________________________________________________________________________________________________

    KUSH ISHTE ANTONIO GRAMSHI

    Lindur në Alese të Sardenjës më 22 janar 1891. Ka qenë filozof i shquar italian, gazetar, udhëheqës politik dhe teoricien i marksizmit. Ai themeloi dhe udhëhoqi  Partinë Komuniste italiane. Ka lënë pas një trashëgimi krijuese të pasur për problemet e filozofisë, historisë, kulturës. Një nga drejtimet më të rëndësishme të mendimeve filozofike të Gramshit ka qenë teoria e hegjemonisë.  Marksizmin e quan “filozofi të praktikës”. Veçanërisht mbresëlënëse janë artikujt e tij kritik për Makiavelin, Rilindjen, Mbi materializmin historik, për këshillat punëtore të fabrikave dhe uzinave. Është një analizues i paepur për ardhjen e fashizmit në Itali dhe ishte kundër çdo lloj totalitarizmi. Ka shkruar 34 fletore me shkrime të ndryshme politiko-filozofike në vitet e burgimit. I gjithë bagazhi i tij letrar përfshihet në 54 volume. Më interesante janë “Fletoret e Burgut” dhe “Letra nga Burgu”. U dënua me 20 vjet e 4 muaj e 20 ditë burg dhe bëri 11 vjet. Si pasojë e trajtimit çnjerëzor në burg, sëmuret rëndë , si e nxjerrin nga burgu, më 24 prill 1937, tre ditë pas daljes, vdes më 27 prill. E varrosën (në prezencën vetëm të vëllait, Karlo dhe të kunatës, Tatjana) në varrezat monumentale romake të Veranos. Kjo varrezë qe krijuar në shekullin e XIX-të për të varrosur të huajt jo katolikë, të vdekur në Qytetin e përjetshëm, i qeverisur asokohe nga Papët. Ai u varros këtu si i dënuar nga fashizmi, të cilët nuk e dinin se në këtë mënyrë i bënë një “nder” më të madh për të mos u harruar, kurrë. Pas çlirimit të Italisë nga fashistët, me dëshirën e tij dhe të shokëve të vet të idealit, hiri i Gramshit, duke respektuar bindjet e tij ateiste, u rivarros  në varrezat jokatolike të Romës (Testaçno).