Javë protestash në Shqipëri. Ja kalendari i tyre

    420
    Sigal

    Bluzat e bardha në protestë kundër testimit. Kuksianët paralajmërojnë protesta, nëse nuk rihapet universiteti i mbyllur nga MAS

     Kjo javë do të mbahet mend si java e protestave, në mbrojtje të interesave qytetare. Testimi i bluzave të bardha i pambështetur në ligj dhe nevoja e qytetarëve të Kukësit për rihapjen e filialit të Universitetit të Tiranës janë dy protestat që do të zhvillohen ditën e sotme. Ndërsa lista zgjatet edhe në ditët në vijim, ndërkohë që protesta popullore ka filluar që të dielën (dje) te Diga e Liqenit Tiranë, kundër ndërtimeve të paligjshme poshtë digës. Të martën do të protestohet kundër barnave të falsifikuara dhe humbjes së jetës në sistemin tonë shëndetësor, të mërkurën protestohet për sigurinë ushqimore dhe kundër koncesionit të parkingjeve në tiranë dhe sërish kundër ndërtimeve të paligjshme te diga e liqenit, ndërsa të enjten do të rrethohet nga protestuesit Bashkia e Tiranës për të ndaluar vendimmarrjen për parkingjet. Ndërsa të premten do të kujtohet 20 shkurti, dita e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver hoxha.

     Protesta e bluzave të bardha kundër paligjshmërisë së testimit të tyre

     Sot, në orën 11.00 te sheshi para Anatomisë, bluzat e bardha të QSUT-së do të shpallin pikat kryesore të protestës së tyre. Për të kundërshtuar testimin, por jo vetëm, bluzat e bardha kanë vendosur që çdo ditë të hëne në orën 11.00 do të organizohen në protesta në mbarë vendin. Sipas tyre, ata testohen çdo ditë me punën që bëjnë dhe është vetë pacienti që vendos se nga kush do e marrë shërbimin. Ndërkohë ministri Beqaj ka vendosur të mos e dëgjojë zërin e tyre, duke këmbëngulur që testimet të fillojnë nga data 28 shkurt, fillimisht nga infermierët e më pas do vijohet me mjekët. Por, mjekët kanë paralajmëruar se në vend të testit do të dorëzojnë CV-të e tyre. Ndërkohë, Kolegji i Mjekëve Kirurgëve Shqiptarë i ka kërkuar publikisht, 4 ditë më parë, ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj t’u tregojë bazën ligjore që përligj pseudotestimet masive të bluzave të bardha. Sipas tyre, “nuk mund të bëhen testime të infermierëve, mjekëve apo profesionistëve të tjerë mjekësorë me urdhëresa verbale!”. Ministri Beqaj gjithmonë i është shmangur kërkesës së vazhdueshme të bluzave të bardha, (urdhrave të këtyre profesioneve dhe sindikatës, që i përfaqësojnë ata), për bazën ligjore ku mbështet testimi i tyre. Bluzat e bardha e kanë kundërshtuar fuqishëm testimin e tyre dhe një nga arsyet, që ata kanë paraqitur, është shkelja e ligjit, pasi profesioni i mjekut apo i infermierit është profesion i rregulluar me ligj. Kolegji i Mjekëve Kirurgëve thekson se Beqaj ka ushtruar presion mbi bluzat e bardha, duke deklaruar publikisht për zhvillimin e testit, ndërsa ende nuk ka nxjerrë asnjë urdhër të shkruar. Kolegji ka bërë me dije në deklaratën e para disa ditëve “se ka filluar presioni psikologjik mbi infermierët për këtë gjë në mbarë vendin nga titullarët e institucioneve shëndetësore në vend. Kjo është e kundraligjshme! Po shkelni ligjet e vendit! Po shkelni të drejtat e njeriut! Po shkelni autonominë e profesionistëve të mjekësisë në vendin tonë”. Ndërkohë mjekët, shprehen se për të përligjur protestën e tyre janë marrë juristët, me qëllim që Beqja, (ose “i izoluari i madh” sipas tyre) mos të ketë asnjë argument kundrejt protestës së bluzave të bardha, ose, siç thonë ata, “uraganit” të tyre.

     Universiteti në Kukës, protesta masive nga banorët nëse nuk rihapet

     Nëse nuk rihapet filiali i Universitetit të Tiranës në Kukës, do të ketë protesta masive nga ana e qytetarëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Një vendim i tillë unanim duket se është marrë nga Këshilli i Qarkut të Kukësit, të cilët i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të kthejë mbrapsht vendimin e saj për mbylljen e këtij filiali. Kryetari i Qarkut Kukës, Ibsen Elezi shprehet se: “Janë një numër i madh studentësh, në 30% kanë qenë jashtë rrethit të Kukësit. Çfarë do të thotë, që ka pasur një emër të mirë, se në kundërt nuk mund të vinë 30% e studentëve nga rrethe të tjera. 70% e studentëve kanë qenë nga Kukësi dhe ka zgjidhur problem për një numër të madh familjesh që nuk kanë mundësi t’i dërgojnë me studime në Tiranë”. Në filialin e Universitetit të Tiranës në Kukës, vijojnë studimet e larta më shumë se 1400 studentë nga Kukës, Hasi e Tropoja në tre degët, ekonomik, infermieri dhe gjuhë e huaj. Ky filial u hap në vitin 2007 me një numër të kufizuar studentësh, por vit pas viti numri i tyre ka ardhur në rritje.

    Vitin e kaluar Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi mbylljen e tij, vendim që duket se nuk do të pranohet lehtë nga banorët e qarkut më të varfër në Shqipëri.

    Kalendari i protestave

    “Kjo javë është shpallur si Java e Protestave. Të gjithë ata që nuk i durojnë dot padrejtësitë, duhet të reagojnë. O sot, o kurrë! Po na nëpërkëmbin!”. Kjo është thirrja e gazetarit Erion Kristo, në faqen sociale, facebook, i cili shton se “ky kalendar është bërë në bashkërendim me qytetarë dhe lëvizje qytetare për të dhënë maksimumin tonë. Bashkohuni të gjithë, se javës tjetër nuk i duhemi më askujt!”.

    Ditën e dielë, 15 shkurt, ora 11, protestë te Diga e Liqenit kundër ndërtimeve të paligjshme poshtë digës.

    Ditën e hënë, 16 shkurt, ora 11, protestë të QSUT-së në përkrahje të mjekëve kundër testimeve dhe tenderimeve.

    Ditën e marte, 17 shkurt, ora 11, protestë kundër ilaçeve të falsifikuara dhe humbjes së jetëve në sistemin shëndetësor.

    Ditën e mërkurë, 18 shkurt, ora 12, protestë në Sheshin “Skënderbe” kundër ushqimeve të skaduara dhe terrorizmit ushqimor.

    Ditën e mërkurë, 18 shkurt, ora 13, protestë te Bashkia Tiranë kundër firmës piramidale të parkingjeve.

    Ditën e mërkurë, 18 shkurt, ora 14, protestë te Piramida me rastin e dorëzimit në Kryeministri të Rezolutës qytetare kundër ndërtimeve të paligjshme te Diga e Liqenit Artificial.

    Ditën e enjte, 19 shkurt, proteste përpara Bashkisë Tiranë. Rrethimi paqësor i bashkisë për të mos lejuar vendimmarrjen për parkingjet.

    Ditën e premte, 20 shkurt, festojmë pa protestuar.