Java e parë e marsit 1991, eksodi masiv drejt perëndimit

    692
    2 korrik 1990, një shuplakë e madhe për diktaturën
    Duhet të vinte 2 korriku i vitit 1990, ku shpërtheu i pari fluks, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, tashmë i njohur si “Fenomeni i Ambasadave në Shqipëri”. Në ambasadat e huaja të akredituara në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, u futën 4975 persona, që ishin nga e gjithë vendi. Ata së bashku i dhanë kështu goditjen vdekjeprurëse sistemit shterpë komunist. Prej tyre 3554 u futën në ambasadën gjermane, 816 në ambasadën italiane, 549 në ambasadën franceze dhe në rezidenca të tjera diplomatike në Tiranë. 3 persona, që u futën në ambasadën kubaneze u nxorën jashtë nga personeli i saj dhe për fat të mirë, ata u rifutën edhe një herë në ambasadën gjermane në Tiranë. Ndonëse, qe një futje spontane e njerëzve në këto ambasada, ata nuk e meritonin fjalën fyese se “janë jashtëqitja e kombit”. Këta emigrantë u quajtën legalë dhe u legalizuan nga vendet ku ata shkuan.

    Me keqësimin e gjendjes politike
    Me keqësimin e gjendjes politike, ekonomike, kriza sociale dhe thellimi i kurbës së krizës së përgjithshme në shumë rrafshe, shpërtheu e para rrymë masive e refugjatëve, ku në mars të vitit 1991 rreth 100.000 persona të dëshpëruar nga sistemi komunist braktisën vendin, kryesisht drejt Greqisë në masën 76 për qind dhe Italisë 24 për qind. Më pas emigrimi ilegal në vitet 1992-1993 e rriti numrin e emigrantëve jashtë Atdheut me 300.000 persona. Në vitet ‘95, numërohet shifra 450.000 persona, duke i shtuar këtu edhe numrin e atyre emigrantëve në vitet 1996, 1997 dhe 1998, çka bën që numri i emigrantëve të rrumbullakojë shifrën 600.000 ose 17 për qind e popullsisë së Shqipërisë jetojnë e punojnë jashtë atdheut. Në vitin 2002-2003 mendohet nga burimet e pavarura në Tiranë, se numri i përgjithshëm i emigrantëve shqiptarë ka arritur në 1.000.000 banorë të shpërndarë 90 për qind në vendet e Evropës Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut dhe Jugut. Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në memorien e shqiptarëve me një fjalë të vetme: Eksodi. Ajo kujtohet si java e largimit masiv të mijëra bashkatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika. Jo vetëm në Durrës, nga ku u nisën dhjetëra anije e motopeshkatore, të tejmbushura me qytetarë të të gjitha moshave, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur dhe megjithëse kanë kaluar 25 vjet shifrat janë kontradiktore. Mediat italiane shkruan në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë.

    “Eksod biblik”
    Një gjë është e sigurt: përkufizimi “eksod biblik” i shkonte mjaft afër të vërtetës, jo për mijëra e mijëra qytetarët që u larguan, por për nga motivet që i shtynë ata të lënë pas dheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit. Njerëzit që iu ngjitën anijeve në marsin e vitit 1991 shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur. Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës. Në korrik të vitit 1990 qindra qytetarë që “vranë frikën” dhe kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore ishin përcjellë nga autoritetet policore të kohës me autobusë nga Tirana drejt portit të Durrësit. Më pas me tragete në Itali, Francë e Gjermani. Durrësi gjatë gjithë muajit shkurt 1991 përjetoi disa tentativa të njerëzve për t’i hapur dyert e portit, përpjekje që shpeshherë nënshtroheshin vetëm nga zinxhirët e tankeve të diktaturës në rrugë. Qyteti bregdetar nuk mund ta harrojë javën e parë të marsit të 25 viteve më parë. Të ardhur nga e gjithë Shqipëria burra e gra të të gjitha moshave guxonin për herë të parë t’i drejtoheshin lirisë së ëndërruar. Pamjet apokaliptike të djemve dhe vajzave që ngjiteshin nga cimat dhe litarët në vaporët e tejmbushur janë në memorien e shqiptarëve edhe pas një çerek shekulli. E po ashtu në gusht 1991, kur shpresat e mijëra shqiptarëve të tjerë që shkuan me anijen “Vlora”, u kyçën në stadiumin e Barit.
    Ekspozita për eksodin e vitit 1991 është një shenjë respekti për veten dhe për historinë tonë.
    Struktura e emigrimit dhe rrjedhja e vijueshme e trurit

    Sipas burimeve të ekspertëve, që kanë hulumtuar dhe analizuar me kujdes këtë fenomen me të gjithë pasojat që burojnë, rezulton se 80% e numrit të emigrantëve janë të elementit mashkull, gjini e cila ka tendencë të rritet në vitet në vijim. Dhe kjo, me sa duket, është e lidhur me vetë kushtet specifike, e tepër të vështira, në të cilat zhvillohet ky lloj emigracioni. Për më shumë rezulton se 70 për qind e këtyre emigrantëve janë të moshës 20-30 vjeç. Pra, sikurse shihet, mosha më e re aktive e popullsisë sonë, është e përfshirë në këtë lloj emigracioni, çka përbën një problem shumë të madh për kushtet e vendlindjes, sepse Shqipërisë i nevojitet kjo moshë e re për rindërtimin e saj. Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, është se mbi 50% e intelektualëve të vendit, nga mosha 24-56 vjeç dhe mbi këto kufij, janë përfshirë në këtë emigracion, që ka tendencë gjithnjë e më shumë të rritet, falë vështirësisë ekonomike, korrupsionit, pasigurisë në vend, mungesës së investimeve vendase dhe të huaja për punësimin e të rinjve dhe të shkolluar në universitetet shqiptare. Tashmë Shqipërisë po i humbet një herë e përgjithmonë kapitali human në përgjithësi, dhe mbi të gjitha po ikën përgjithmonë truri i kualifikuar, që kanë një ose dy grada shkencore të mbrojtura pas viteve 1990 në Shqipëri dhe vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore.
    Sigal