Janë të pamjaftueshme fondet për përmbushjen e projekteve në Njësinë numër 2

504
Sigal

Intervista/ Flet kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 2 Elez Gjoza, për problemet dhe mbajtjen e premtimeve

Realizimi i projekteve të premtuara banorëve të njësisë numër 2, duket paksa i vështirë për disa arsye. Këtë fakt e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” kryetari i Njësisë Bashkiake numër 2 Elez Gjoza. Sipas tij, në këtë zonë po bëhen investime, por përsëri është e vështirë që të realizohen të gjitha premtimet për shkak se 50% e kësaj zonë është zonë informale.

-Zoti Gjoza, sa po realizohen premtimet e bëra për banorët e Njësisë numër 2 në kryeqytet?

-Njësia Bashkiake numër dy në kryeqytet ka shumë rrugë problematike dhe është shumë e vështirë për rregullimin e saj, pasi 50 % e kësaj njësie përbëhet nga zona informale. Megjithë dëshirën e mirë të kryetarit të Bashkisë zotit Lulzim Basha, nuk është arritur ajo që ne kërkojmë dhe ajo që ne kemi premtuar në fushatën elektorale. Edhe pse njësia numër dy ka qenë prioritare për bashkinë e madhe, e thashë që është e vështirë. Në këtë njësi janë rikonstruktuar rreth 18 rrugë, por edhe megjithë numrin e shumtë të rikonstruksioneve që janë bërë, përsëri ne kemi shumë mangësi dhe shumë kërkesa që nuk na janë plotësuar. Edhe kryetari i Bashkisë tha që zona ka një problematikë të thellë dhe duhet studiuar shumë thellë, pasi është një zonjë që e ka gjysmën e saj informale. Normalisht që është në ndërtim, por janë bërë ndërhyrje dhe nga ujësjellësi dhe kjo ka bërë që edh ato pak rrugë që kanë qenë disi të mirëmbajtura janë prishur dhe nuk janë riasfaltuara. Me insistimin tonë ne kemi marrë mbështetjen e bashkisë që deri në 6- mujorin e parë të vitit 2013 këto blloqe të zonave informale do të shihen me përparësi dhe në ‘to do të ndërhyhet.

-Përse është e vështirë që të realizohen premtimet e bëra, a i keni fondet e mjaftueshme?

-Ne realisht jemi një bum investimesh në këtë zonë, dhe dua të them që disa projekte tashmë kanë filluar. Ne aktualisht kemi rrugën “Gramoz Pashko”, e cila ka filluar dhe mendojmë që ta mbyllim brenda afatit. Po ashtu po mundohemi që të zbusim dhe problemet me komunitetin dhe po mundohemi që të shkaktojmë sa më pak dëme. Po ashtu kemi edhe rrugën “Bajram Allaraj”, e cila edhe kjo po bëhet me parametra europian. Një projekt tjetër shumë i rëndësishëm është edhe rruga “Petro Nini Luarasi”, e cila mund të quhet pa frikë edhe bulevardi i kësaj njësie, pasi është një zonë mjaft problematike. Ka mbaruar tenderimi dhe fondi marrë presim që të fillojë së shpejti, pasi është kthyer në një gangrenë për këtë njësi. Po ashtu në këtë zonë do të ndërtohen edhe dy shkolla një 9- vjeçare dhe një e mesme.

-Një problem jo i vogël për këtë njësi janë tregjet, realisht çfarë po bëhet për këtë çështje?

-Po në këtë njësi janë dy tregje të rëndësishme, njëri është tregu elektrik dhe tjetri është Pazari i vjetër, i cili është edhe “kërthiza e kryeqytetit” nëse do e quanim në gjuhën popullore. Aty do të bëhet një treg i nivelit bashkëkohor, do të jetë një treg i mbuluar më parking etj. Pra siç e thash kemi një bum investimesh në këtë zonë, por e them që përsëri janë të pamjaftueshme, pasi kjo zonë ka qenë e harruar për 11 vjet nga pushteti vendor i bashkisë. Pra kjo zonë do një ndërhyrje të thellë, dhe 50 % është zonë informale.

-Duke qenë se kjo zonë 50% është informale, a keni pasur probleme kryesisht në ndërtimin e rrugëve dhe a është studiuar mirë infrastruktura?

-Po kemi pasur herë pas herë probleme, por kemi biseduar me komunitetin dhe jemi munduar që të mos ngushtojmë rrugën dhe të ruajmë gjerësinë që është. Po ashtu jemi munduar që të mos dëmtojmë dhe banesat e shtëpive, kemi prekur muret rrethuese, por kemi gjetur rrugën e mesme.

-Çfarë po bëhet me skemën e ndihmës sociale për këtë njësi, sa familje përfitojnë?

-Po e kemi shumë kërkesa në fakt, por pranimet për tu trajtuar me ndihmë janë të vogla. Janë të vogla pasi edhe sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave janë përjashtuar nga skema personat që kanë ardhur në Tiranë pas vitit 1991. Ne dimë që është e vështirë, por nuk mund t’i pranojmë këto familje që kanë ardhur pas këtij viti.