Jahjaga: Së shpejti FAK dhe një marrëveshje speciale me NATO-n

420
Forca e Sigurisë së Kosovës për nder të “Ditës së Forcës”, hapi dyert për gjithë qytetarët, të cilët nga afër i vizituan repartet e FSK-së, ku panë jetën dhe punën e ushtarëve të Republikës së Kosovës.
Për nder të ‘Ditës së Forcës”, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga vizitoi kazermën ”Adem Jashari”, të Forcës së Sigurisë, ku tha se shumë shpejt do të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës dhe se Kosova do të hyjë edhe në marrëveshje speciale me NATO-n.
“Tani sa ka përfunduar procesi i rishqyrtimit të sektorit të sigurisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës edhe nga ajo që e pamë sot dhe niveli i gatishmërisë dhe përgatitjes së tyre profesionale, por edhe nga aspekti i pajisjeve të tyre, tregon gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, theksoi Jahjaga.
Ne, vijoi ajo, jemi në proces e sipër të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shumë shpejt Kosova do të hyjë edhe në marrëveshje speciale edhe me NATO-n për transformimin e mëtejshëm të kësaj force.
E para e vendit uroi gjithë qytetarët e Kosovës për “Ditën e Forcës” si dhe vajzat edhe djemtë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për avancimin dhe të arriturat e tyre profesionale.
“Ne së bashku edhe me qytetarët sot patëm rastin që të shohim për së afërmi punën dhe aktivitetet e përditshme me të cilat merret Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shfrytëzoj rastin që së pari t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, gjeneralin dhe ministrin por edhe gjithë këta djem edhe vajza të Forcës së Sigurisë së Kosovës për ditën e tyre, për avancimin dhe profesionalizimin e tyre të vazhdueshme dhe për të gjitha të arriturat që ata kanë pasur deri më tani. Dheështë pikërisht kjo çfarë nevepo shohim sot që na bënë krenar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhepër rrugën e tyre të mëtutjeshme të transformit të mëtutjeshëm në Forcat e Armatosura të Kosovës”, tha ajo.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli tha se FKS është duke u përgatitur dhe është në gjendje gatishmërie që të bëhet transformimi i FSK-së në FAK.
Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, në “Ditën e Forcës”, u shpreh se ky vit FSK-në e ka gjetur shumë më të ngritur, si në kuptimin profesional, ashtu edhe në kuptimin e pajisjeve.
Aktivitetet qendrore u zhvilluan në Kazermën “Adem Jashari’’ në Prishtinë, ku vizitorët patën mundësi të shohin demonstrime, makineri, si dhe aktivitete të ndryshme që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.
Vizitë në këtë kazermë ka bërë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connelli, i cili tha për KosovaPress se Forcat e Sigurisë së Kosovës, japin një shembull të mirë jo vetëm për veten por edhe për të gjithë Kosovën, se nëse ka vullnet, e punë të palodhshme mund të krijohet diçka shumë e vlefshme që do të jetë në funksion të qytetarëve.
Përveç në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, Forca e Sigurisë së Kosovës”, për nder të “Ditës së Forcës” ka hapur dyert e Kazermave të FSK-së edhe në Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin.
Sigal