Ja si zhduken çdo vit 5.8 milionë dollarë TVSH të aboneve

    384
    Duket, sikur letrat e llogarive financiare të shoqërive të transportit të shërbimit urban në Tiranë, janë “në rregull” në aspektin e bilancit dhe deklarimit të të ardhurave që ato sigurojnë dhe në raport me detyrimet që duhet të shlyejnë në shtet. Dhe në fakt, sipas investgimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, rezulton se këto letra bilancesh “qepen” sikur janë “në rregull” nga “esnafët” e zyrave financiare dhe ekspertët financiar që bëjnë këto balance kontabël. Por brenda këtyre letrave të llogarive të shoqërive të transportit urban, mungon një “copë letër” që duhet të jetë, por që nuk është e nuk pasqyrohet në këto dosje të aktivitetit financiar. E kemi fjalën për taksën 20% TVSH të “mallit dhe shërbimit që realizojnë këto shoqëri transporti. Kjo taksë detyrim TVSH nuk ekziston fare në llogaritë, në blerjet, hyrje-daljet e mallrave produkteve, në veprimet bankare dhe në bilancet vjetore që ata hartojnë, pasqyrojnë e deklarojnë dhe që sipas tyre, duhet të shlyejnë edhe detyrimet fiskale që kanë ndaj shtetit. Këto shoqëri transporti urban që kanë fituar monopolin e linjave dhe e përdorin këtë biznes edhe me pisllëk, çmime të larta biletash e aboneje, por edhe me sjellje brutale të punonjësve fatorino, shoferë e dispeçerë, shesin gjatë shërbimit bileta e abone, të cilat në fakt janë “letër me vlerë”, janë mall që kanë një çmim, një kosto, një llogari që prodhojnë të ardhura financiare. 

    Gjatë shërbimit, këto shoqëri përdorin edhe karburant të belrë, pagesa në servise për shërbime makinash, për blerje gomash e pjesësh ët tjera, përdorin edhe paga. Por nuk përdorin taksë TVSH. Nuk e kanë pasqyruar këtë detyrim financiar ligjor e shtetëror kur e kishin biletën 30 lekë dhe kur kishin abonenë 1200 lekë. Por nuk po e pasqyrojnë as tani që e kanë bërë biletën 40 lekë dhe abonenë 1600 lekë. As shteti nuk u kërkon ta pasqyrojnë këtë detyrim fiskal. Ndoshta, sipas burimeve tona, lejohen me “mirëkuptim” të bëhen letrat me “dyer të mbyllura”, siç bëheshin me rimbursimin e ilaçeve, të rrugëve, të librave shkollorë, të skrapit etj. Dhe gjersa nuk arkëtohen në buxhetin e shtetit, përfundojnë me letra fiktive në duart që firmosin e vulosin dosjet! Ajo që dihet e nuk zbatohet sipas ligjit është fakti, që transporti i shërbimit urban në Tiranë krijon një vlerë financiare me emërtimin “TVSH” në masën 5.8 milionë dollarë në vit, të cilat “zhduken”! Ku arkëtohen? Ku dhe si rimbursohen? Mbi ç’bazë volumi “lënde të parë” bileta e abone të prodhuara e të hedhura në treg, i bën shteti dhe shoqëritë private, llogaritë e kësaj taksa me vlerë 20% vlerë e shtuar mbi çdo qindarkë?
     
    A e ka mbledhur këtë vlerë bashkia, tatimet, ministria e financiave, mbasi nuk është se biletat e abonetë prodhohen në “print” në zyrat e “efendikojve” të linjave urbane, por me sa dimë, ato prodhohen në shtypshkronja të autorizuara e të mbajtura nën kontroll nga bashkia Tiranë dhe nga Ministria e Financave dhe ajo e Transportit. Ato janë institucionet kontraktuese dhe autorizuese të lejes për prodhim dhe hedhje në treg të biletave e aboneve. A ka shtypshkronja libër me pasqyrë TVSH-je të prodhimit “bileta e abone”? A lëshon shtypshkronja faturë tatimore shitje malli dhe a merr faturë të tillë për “blerje malli” prej shoqërive të transportit urban? Po tatimet, a e kanë regjistrin elektronik të produktit që nxjerrin e hedhin në treg palët? P a e di Ministria e Financave, se sa bileta e abone prodhohen në muaj, sa tërhiqen nga shoqëritë e transportit urban, sa hidhen realisht në treg, sa shiten dhe sa rezultojnë mbetje të pa shitura, të kthyera me inventar me prezencë institucionet kontraktuese e kontrolluese të shtetit?
    Sigal