Ja si zbatohet teoria e Mao Ce Dunit në Berat

1660
Sigal

Vlerat muzeale po zëvendësohen me bagëtitë e fshatarëve të zhvendosur në lagjet e ndryshme të qytetit në UNESCO

Vitet e tranzicionit u shoqëruan edhe më lëvizjet galopante të njerëzve, ku shumë familje të zonave rurale për një jetë më të mirë vërshuan drejt qytetit.  Por nga e gjithë kjo të bie në sy fakti se transferimi ka gjënë gjithëpërfshirës, çka do të thotë se me vete familjarët kanë marr edhe bagëtitë (lopën, mushkën, pulat, qenin etj.,) me idenë për të mos humbur traditat e fshatit. Këto familje blenë banesat nëpër lagje të ndryshme të qytetit, por me preferencë të madhe periferinë. Ata ndërtuan edhe vetë shtëpi në vendet, ku gjetur toka të lira. Më të populluara janë lagjet “30 Vjetori”, “ Kala”, “Vakafë” dhe periferitë e lagjes “28 Nëntori”. Madje familjet që erdhën nga fshatrat kryen dhe masakra në lagjet e “Kalas” duke prerë pishtat për të ndërtuar banesat e tyre. Po të vështrosh në orët e para të mëngjesit këto lagje dhe periferitë, ato i ngjajnë një “fshati socialistë”, me bagëti, mushka dhe pula.

Po shkatërrohen lulishtet dhe ndotet ambienti

Familjet që janë strehuar në këto lagje kanë tufa bagëtish dhe tufa qenësh, të cilët kanë pushtuar rrugët e qytetit. Me këto veprime të kujtohen teoria e Mao Ce Dunit që “Fshati rrethon qytetin”, një shprehje  kjo që ka gjetur terren në qytetin e Beratit. Bagëtit dhe kafshë të tjera që vijnë vërdallë nëpër rrugët e qytetit kanë befasuar jo vetëm qytetarët e Beratit, por dhe të huajtë që vijnë për të vizituar këtë qytet. Po të futesh nëpër lagjet, “Kala”, “30 Vjetor” apo “28 Nëntor”, do të përballesh me tufa bagëtish dhe qenë që shoqërojnë bagëtitë dhe në fund do të shohësh çobanin. Këto kafshë përveç shkatërrimit të lulishteve apo gjelbërimit të këtyre lagjeve, ndotin dhe ambientet e qytetit. Shumë turistë kur vijnë për të vizituar qytetin e UNESCO-s, atyre ju takon që të takohen dhe me bagëtitë e shumta që ndodhen nëpër lagjet muzeale.

Ankesat

Këta persona që kanë ardhur në qytet, kanë zaptuar të gjitha sheshet e lagjes “30 Vjetori” dhe “Vakëf”, ku kanë ndërtuar dhe kasollet e bagëtive. Shumë qytetarë të befasuar nga këto veprime kanë bërë ankesat e tyre në bashki dhe polici, por nuk është marrë asnjë masa. Kjo ka bërë që dhe numri i qenve të shtohet në këto lagje dhe në orët e para të mëngjesit është tmerr të kalosh në rrugë. Sipas banorëve të lagjes “30 Vjetori”, bëhet e ditur se këto familje kanë strehuar bagëtitë edhe nëpër gërmadhat e ndërtesave të ish – reparteve ushtarake, të cilat u shkatërruan në vitet 1997. “Ne kërkojmë nga bashkia që të ndërhyje nëpërmjet Policisë Bashkiake që të frenohen këto veprime”, thanë disa qytetar të indinjuar nga ky fenomen. Qyteti i Beratit është një qytet me vlera muzeale dhe kulturore, prandaj këto veprime nuk i shkojnë për shtatë. Berati ka vlerat e veta dhe si i tillë ai është një thesar jo vetëm për Shqipërinë, por dhe më gjerë.