Ja si ua merr lekët Ujësjellësi qytetarëve, edhe kur s’kanë kontrata

    398
    Sigal

    Dërgohen ankesa të shumta pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar për abuzimet e Ujësjellësit 

     Uji është një problem tjetër krahas energjisë elektrike që i shqetëson qytetarët çdo ditë dhe në çdo stinë të vitit në Shqipëri. Ndonëse jemi një vend me rezerva ujore për të pasur zili, qytetarët shqiptarë vuajnë çdo ditë mungesën e ujit për shkak të drejtuesve të paaftë për menaxhimin e Ujësjellësit. Fatura të larta, uji i pakonsumueshëm, mungesë për orë dhe ditë të tëra të ujit në shtëpitë e qytetarëve. Ankesa të natyrave të tilla mbërrijnë çdo ditë në zyrat e Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar. Por kjo problematikë nuk është vetëm në kryeqytet, këtë problem kanë edhe zonat e Fierit, ku janë të përfshirë edhe disa  fshatra si: Sheq, Topojë, Apolloni, ish- ferma NB. Me dhjetëra janë ankesat e konsumatorëve që nuk kanë matës për të përcaktuar sasinë e ujit dhe shpenzimet. Sipas ankesave të qytetarëve që vijnë në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar ka vite të tëra që kërkohet nga ujësjellësi  që t’ju pajisen me matës, kjo nuk është bërë. Në Fier ka mbi 7-8 vjet pritje dhe as një reagim nga kompanitë.

    Metodat e ujësjellësit për të vjedhur qytetarët

    Edhe kur nuk ke kontratë ndodh që në Shqipëri duhet të paguash faturat aforfe të ujit. Një rast i tillë është bërë publik për “Telegraf” nga Evangji Prifti. Ai tregon se ka qenë i larguar në Greqi, prej 10 vitesh dhe e ka pasur të mbyllur kontratën me ujësjellësin për këtë periudhe. Këtë ai e vërteton edhe më dokumente që kontrata e tij ka qenë e mbyllur. “Unë nuk kam jetuar këtu dhe e kam pas mbyllur kontratën me ujësjellësin. Në muajin tetor u ktheva dhe shkova për të hapur kontratën me ujësjellësin dhe më thanë që kisha për të paguar 30 mijë lekë të reja, pasi për kohën që nuk isha më kishin vënë fatura aforfe me nga 4 mijë lekë në muaj”, tregon zoti Prifti. Ndërkohë që, shprehet se nuk i lidhin kontratën pa paguar paratë.

    Probleme me orarin

    Janë shtuar ankesat e qytetarëve për ujin e pijshëm të rrjetit jo vetëm për sasinë, por ajo me e rëndësishme për cilësinë e tij. Të shumtë janë konsumatorët që edhe nuk e përdorin për larje, sepse është me erë të keqe. Sipas Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar janë rreth 1215  ankesa për 6 muaj që kanë ardhur pranë kësaj shoqate me gjithë përpjekjet informuese që janë bërë në drejtim të UKT dhe të sektorëve të pushtetit lokal asnjë masë përmirësimi të gjendjes nuk është marrë. Qytetarët e kryeqytetit shprehen të irrituar me shërbimet që ofron ujësjellësi. Në prononcime për “Telegraf” ata janë shprehur: “Kemi shumë probleme me ujin, ka raste nuk na vjen fare në shtëpi uji. Plus që paguajmë fatura shumë të larta në një kohë kur nuk na vjen uji”.

    Zonat më problematike për mungesën e ujit:

    1.Tek Vaskat pas “Misto Mames” banorët u janë drejtuar puseve të vjetra për ujë.

    Rrugë të tjera në Njësinë numër. 6 në Kombinat janë: “F. Bardhi”, “H. Stërmilli” 30  min ujë në ditë. Rr,  “Shaban Bardhoshi”, “Hamdi Cenoymeri”, Rruga e Qelqit me dëmtime të tubacioneve të ujit prej disa ditësh. Tregu i Kombinatit i fruta- perimeve vetëm 30 min ujë, Unaza e Re pranë fabrikës së Miellit, prapa Kombinatit. Ushqimor dhe Furrë së bukës ka raste që ka vetëm 5 minuta ujë në ditë ose ka dhe raste kur uji nuk është fare i pranishëm me ditë të tëra. Një rrugë tjetër problematike është dhe Rruga “Llazi Miho” tek vaskat pjesa e Selitës së Vogël, po ashtu zona Prapa “Misto Mames” është pa ujë.