Ja si u favorizuan nga dekania Rakacolli, studentët nga “Zoja e Këshillit të Mirë”

    590
    Sigal

    Të tjera fakte mbi paligjshmërinë e konkursit të specializimeve të mjekësisë. Për dy ditë, protesta e fuqishme e konkurruesve

    Të tjera fakte konkrete dalin në pah përsa i përket parregullsisë së procesit të konkursit të specializimeve të mjekësisë. Manovrimi me mesataren e ponderuar, si dhe regjistrimi e favorizimi i më tepër se 200 studentëve nga universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” përbëjnë të tjera shkelje flagrante të rregullores për specializimet e mjekësisë dhe ligjit për konfliktin e interesit.

    1. Kandidatë për specializantë të mjekësisë ankohen se është përdorur mesatarja e ponderuar, edhe për ata, të cilët nuk kanë mbaruar shkollimin e tyre gjatë kohës kur është aplikuar sistemi me kredite, një tjetër shkelje ligjore që është bërë, me qëllim disfavorizimin e disave dhe favorizimin e disa të tjerëve. Kështu, një qytetare nga Durrësi është shprehur për “Telegraf” se edhe pse djali i saj nuk e ka arritur sistemin me kredite, atij i është bërë mesatarja e ponderuar me qëllim uljen e mesatares dhe të pikëve. Madje, sipas saj, shumë të tjerë janë djegur nga ky fakt dhe nuk janë shpallur fitues, se edhe pse mund ta kishin mesataren aritmetike 7,5 dhe sipas rregullores ishte kandidat potencial, duke u llogaritur mesatare të ponderuar janë skualifikuar. Ndërsa ndryshe ka ndodhur me llogaritjen e mesatareve të kandidatëve nga “Zoja e Këshillit të Mirë”.
    1. Më shumë se 200 kandidatë për specializime të mjekësisë nga universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” janë favorizuar nga dekania e Fakultetit të Mjekësisë, prof. Mira Rakacolli, e cila ka punuar pedagoge në këtë universitet. Dekania Rakacolli është në konflikt të pastër interesi, duke favorizuar studentët e saj, madje duke i regjistruar të parët dhe duke rrezikuar qindra të tjerë nga Universiteti publik i Mjekësisë. Të kujtojmë këtu problemin e gjuhës së huaj, ku studentët e “Zojës së Këshillit të Mirë” u favorizuan mjaft për shkak të zhvillimit të shkollimit të tyre në gjuhë të huaj, ndërsa studentët e mjekësisë në publik, për pak sa nuk u skualifikuan, sepse nuk u quhej gjuha e huaj e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Vetëm protesta e fuqishme dhe e vendosur e kandidatëve, solli ndryshime në rregulloren e specializimeve të mjekësisë. Gjithashtu, zonja nga Durrësi, prindi i një prej kandidatëve për specializantë, shprehet se është shumë e qartë, pas gjithë këtyre parregullsive të vërtetuara, se specializimet e mjekësisë janë hapur për interesa të caktuara nga persona të caktuar, ndërsa popullit të thjeshtë i përplaset dera në fytyrë. “Nuk kemi ku të kërkojmë të drejtën, ndërsa askush nuk përgjigjet për shkeljet e bëra. Kjo është një çmenduri! Janë këta që po nxjerrin mjekë të paaftë, duke manipuluar konkurset dhe janë po këta që kërkojnë sot testimin e mjekëve” shprehet ajo.Qytetarja nga Durrësi tregon se favorizimi i studentëve të universitetit privat, në vend që tu jepet prioritet studentëve të publikut, është bërë në llogaritjen e mesatares së ponderuara, duke i shumëzuar me një koeficient 1, 25 dhe duke rritur në këtë mënyrë deri në 25 % pikët e tyre. “Zonja dekane, duhet të dalë dhe të mbajë përgjegjësi për shkeljet e bëra. Duhet rikthyer procesi i konkurrimit të specializantëve të mjekësisë. Në të kundërt, të mbyllet Fakulteti i Mjekësisë. Si ka mundësi që 41 kandidatë që nuk kishin marrë kartonin e Urdhrit të Mjekut u regjistruan, kurse ne popullit të thjeshtë na i kërkuan deri më një të gjitha dokumentet, në të kundërt skualifikoheshim”, shprehet prindi i kandidatit për specializant nga Durrësi. “Shkelësit duhet të dalin para drejtësisë! Burgu nuk duhet të ekzistojë vetëm për popullin!” përfundon denoncimin e saj pranë redaksisë, qytetarja nga Durrësi.

     Ndërkohë, edhe pse ka filluar regjistrimi zyrtar i fituesve të specializantëve të mjekësisë, procesi i parregullt i konkursit ka shtuar paditë nëpër gjykata. Këto dy ditë pritet të krijohet Komisioni i protestave të kandidatëve për specializantë të mjekësisë, e cili do të organizojë protesta të fuqishme, fillimisht para Fakultetit të Mjekësisë, e më pas para Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë dhe në rast se kërkesat e tyre nuk gjejnë zgjidhje, protesta do të instalohet para Kryeministrisë. Protesta e kandidatëve për specializantë të mjekësisë do të vijojë, në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre, deri në dorëheqjen e dekanes së komanduar të fakultetit të Mjekësisë, rektorit të komanduar të Universitetit të Mjekësisë, Ministrit të Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit.

    Shkeljet e rregullores, e kthejnë në “nul” konkursin e specializimeve

     Do të mjaftonte shkelja flagrante e rregullores për regjistrimin e kandidatëve për specializantë të mjekësisë, që i gjithë procesi të quhet “nul”. Mjafton shkelja e rregullores, duke regjistruar 41 kandidatë specializantë të mjekësisë, të cilët rezultojnë dhe fitues, që të vihet në pikëpyetje i gjithë procesi i konkurrimit. Mjafton kjo shkelje që dekania dhe rektori i komanduar i Mjekësisë të japin dorëheqjen. Mjafton numri i madh i kandidatëve me maksimalen e pikëve që t’i vihet pikëpyetje gjithë procesit. Se, siç do të thoshte një profesor i shquar i arsimit shqiptar: “Edhe unë nuk do të merrja dot 700 pikët maksimale, po të futesha në këtë testim”, duke shprehur habi dhe njëkohësisht duke hedhur dyshimin e tij se diçka nuk shkon në gjithë këtë proces. I gjithë ky proces ka “mëkatarët” e vet, porse thuhet se pikënisja e problemeve dhe “mëkatari/ja” kryesor/e është mirë i/e mbrojtur në një nga dikasteret kryesore shtetërore që merret me organizimin e këtij konkursi.