JA SI TË BASHKOHENI ME FAMILJARËT NË ITALI

    373
    Bashkimi familjar në Itali, ja të ardhurat e nevojshme
    Publikohen rregullat e reja për vitin 2018 për të ardhurat minimale të personit që dëshiron të “tërheqë” edhe bashkëshortin/en ose fëmijët
    Një numër i madh shqiptarësh aplikojnë çdo vit për të realizuar bashkimin familjar në Itali. Megjithatë për dorëzimin e dosjes së aplikimit është e nevojshme të plotësohen edhe kushtet minimale ekonomike, që përfshijnë në radhë mundësinë e personit i cili dëshiron të marrë familjen në Itali. Për këtë arsye, qeveria italiane publikon çdo vit nivelet minimale të të ardhurave vjetore, të nevojshme për të nisur procedurat e bashkimit familjar. Nëse njëri nga bashkëshortët jeton në Itali, për të mundësuar bashkimin familjar gjatë 2018 duhet të ketë të ardhura minimale vjetore 8800 euro. Ndërkohë, nivelet e nevojshme të të ardhurave ndryshojnë në varësi të numrit të familjarëve që do t’i bashkohen personit që jeton e punon në shtetin fqinj. Nëse qytetari shqiptar, rezident në Itali, dëshiron të tërheqë të gjithë familjen (deri në 4 persona), atëherë të ardhurat e tij duhet të jenë shumë të më larta, në mënyrë që ai të ketë mundësi të përballojë jetesën e tyre dhe personat e mbërritur rishtas në Itali të mos bëhen “rëndesë” për skemat e mirëmbajtjes sociale të vendit pritës. Në rregullat e reja që po bëhen publike në Itali, bazuar në Tekstin Unik për Emigracionin, i cili bazohet në të dhënat e Institutit Kombëtar për Sigurimin Social (INPS), parashikohet se kush kërkon bashkim familjar të ketë “të ardhura minimale vjetore nga burime të ligjshme jo më të ulëta se çeku social, plus gjysmën e shumës së çekut për çdo familjar që do të sillet në Itali. Çeku social është vendosur në janar të vitit 2018 në shifrën e 5.889 eurove në vit. Sipas rregullores, bëjnë përjashtim fëmijët, për bashkimet e të cilëve nën moshë madhore, kërkohen të ardhura vjetore jo më të ulëta se dyfishi i çekut social. Nga ana tjetër, ligji specifikon se “për përcaktimin e shumës së të ardhurave merren në konsideratë edhe të ardhurat e përgjithshme të familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin”.

    Procedura
    Bazuar në legjislacionin italian, qytetari i huaj i cili ka një leje qëndrimi afatgjatë për në Bashkimin Evropian ose një leje qëndrimi për të paktën një vit, për punë si i punësuar, ose i vetëpunësuar, studim, azil politik, për arsye fetare, për arsye familjare ose mbrojtje plotësuese, mund të aplikojë për bashkim me anëtarët e familjes që jetojnë jashtë vendit (bashkëshorti, fëmijët e mitur, të rritur me invaliditet të plotë, dhe prindërit në ngarkim që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës ose të cilët kanë një moshë mbi 65 vjeç dhe fëmijët që nuk mund të sigurojnë me mirëmbajtjen e tyre). Ambasada italiane e vendit të origjinës lëshon për qytetarin vizën për hyrje për motive familjare, kur Sporteli Unik i Emigracionit pranë prefekturës kompetente ka lëshuar autorizimin zyrtar (nulla osta). Ky dokument është i domosdoshëm për të marrë vizën e hyrjes. Për kërkesën e këtij dokumenti, duhen plotësuar formularët përkatës drejtpërsëdrejti nëpërmjet sitit në internet të Ministrisë së Brendshme (nullaostalavoro.internet.it) këto skeda: Procedura për paraqitjen e kërkesës, modularët përkatës për kërkesën, lejen e qëndrimit për arsye familjare. Kërkesa paraqitet online përmes portalit të Ministrisë së Brendshme. Është e domosdoshme që i interesuari të regjistrohet në rubrikën e rezervuar ku duhet të përpilojë e të nisë online formularin S, “Richiesta di Nulla Osta per Ricongiungimento Familiare” (Kërkesë autorizimi për bashkim familjar), për të krijuar mundësinë për lëshimin e vizave hyrëse për këtë motiv, për anëtarët e familjes nga ana e Konsullatës Italiane kompetente. Në formular shënohen para së gjithash të dhënat personale dhe ato të familjarëve që kërkohet të sillen në Itali. Më pas duhet specifikuar puna dhe të ardhurat e kërkuesit, po të jetë nevoja, edhe ato të familjarëve të tjerë për të dëshmuar që ai është në gjendje të mbajë ekonomikisht ata që dëshiron të sjellë në Itali. Ky është vetëm hapi i parë. Më pas, i interesuari do të thirret në Sportelin Unik për Imigracionin të provincës së rezidencës për të paraqitur dokumentacionin origjinal (për shembull mbi punën e të ardhurat).
    Të ardhurat minimale si kusht për të marrë familjen në Itali gjatë 2018:
    Bashkim me 1 familjar: 8.833,50 euro
    Bashkim me 2 familjarë: 11.778,00 euro
    Bashkim me 3 familjarë: 14.722,50 euro
    Bashkim me 4 familjarë: 17.667,00 euro
    Bashkim me 2 apo më shumë fëmijë të mitur nën 14 vjeç: 11.778,00 euro
    Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.722,50 euro
    Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë të tjerë: 17.667,00 euro
    Sigal