Ja si na grabisin “batakçinjtë” e CEZ-it

    421
    Sigal

    CEZ-i abuzivisht i kthen klientët në debitorë, qeveria është bashkëfajtore

     

    Shumë fshatrave të Tiranës, CEZ-i u ka ndërprerë  2 javë energjinë elektrike dhe u bën presion të paguajnë mbifaturim

    Ka më shumë se dy javë, që CEZ-i u ka ndërprerë energjinë elektrike fshatrave të Komunës së Baldushkut, si edhe fshatrave të Komunës së Petrelës. Sipas, CEZ-it, shkaku është ndërprerja e energjisë elektrike, bëhet sepse fshatarët nuk paguajnë faturat. Kjo është vazhdë e praktikave që CEZ-i ndjek me ndërprerjen masive të energjisë elektrike për zona të tëra, siç ka ndodhur në Peshkopi, në Ballsh, në Fushë- Krujë, në Kukës, në Lezhë, Në Shkodër, në Elbasan, në Librazhd, etj.  Çuditërisht, vetëm në Tropojë, në dallim nga e gjithë Shqipëria, nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike, nga ana e CEZ-it,  thua që konsumatorët e energjisë elektrike janë klientë të rregullt, që paguajnë faturat e CEZ-it, apo CEZ-i ka urdhër që të mos krijojë shqetësime banorëve të Tropojës? Në disa raste, shkaku i vërtetë është mospagimi i energjisë elektrike nga disa konsumatorë të veçantë, por CEZ-i, në pamundësi që të kryejë punën e saj, merr masën më ekstreme, ndërprerjen e energjisë elektrike për të gjithë, duke penalizuar kështu, edhe konsumatorët, të cilët janë në rregull me pagesat dhe me ligjin. Ky veprim arbitrar i CEZ-it, duke ndërprerë energjinë elektrike në të gjithë zonën, pa bërë dallim për askënd, është një veprim i kundërligjshëm. Në asnjë kontratë të nënshkruar, qoftë me klientët e vet, qoftë edhe në kontratën e koncensionit që CEZ-i ka me shtetin, nuk parashikohet kurrsesi ndërprerja masive e energjisë elektrike, madje për një periudhë të gjatë kohore, për të gjithë. Edhe pse në të gjitha rastet, qytetarët dhe konsumatorët e energjisë elektrike kanë reaguar me protesta, mirëpo, për çudi, edhe shteti ka heshtur përballë protestave, duke u bërë bashkëfajtore e  shkeljes së ligjit me CEZ-in.  E vërteta e madhe që shpjegon abuzimet e CEZ-it me mbifaturimin dhe arrogancën e tij me ndërprerjen masive të energjisë elektrike me javë e muaj të tërë, është se shteti shqiptar, deri tani, i ka dhënë CEZ-it, të drejtën e monopolizimit të shpërndarjes të energjisë elektrike.

    E vërteta e ndërprerjes së energjisë elektrike

    Zija Kateshi është banor i një fshati në Komunën e Baldushkut dhe na sqaron përse CEZ-ia ka dy javë që u ka ndërprerë energjinë elektrike të 14 fshatrave të Komunës së Baldushkut. Rrëfimi i Zija Kateshit: “U bënë më shumë se dy javë, që CEZ-i pa na paralajmëruar, na ka ndërprerë energjinë elektrike, në të gjitha fshatrat e Komunës së Baldushkut. E vërteta është se, që nga mezi i 2010-s, nuk i kemi paguar dritën CEZ-it. Por jo për fajin tonë. Ne kishim një marrëveshje me kompaninë e energjisë elektrike, KESH-in, OSSH-në, më parë se ta merrte CEZ-i, që punonjësi i tyre, vinte të maste energjinë elektrike që harxhonim ne 1 herë në gjashtë muaj, ose edhe një herë në vit. Dhe tërë sasinë vjetore  të  harxhuar të energjisë elektrike, na e ndanin ta paguanim në gjashtë muaj. Kjo, nga 2007-a, deri në mesin e 2010-s.

    Abuzimi i CEZ-it me mbifaturim të energjisë elektrike

    Zija Kateshi  zbardh edhe abuzivitetin e CEZ-it në mbifaturimin e energjisë elektrike që u bën të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike. Zija Kateshi na sqaron problemin përse protestojë sot fshatarët e Komunës së Baldushkut: “Edhe pse energjinë elektrike që ne konsumonim për një vit, na detyronin ta paguanim për 5-6 muaj, duke na ndarë shumën dhe na detyronin që të paguanim me çmimin më të lartë një sasi të madhe të kë, atë mbi 300 kvv, ne e kishim pranuar në heshtje këtë zgjidhje dhe në muajt e tjerë të vitit, nuk na vinin asnjë kë harxhimi. Kështu, p.sh, unë harxhoj 2.4 kvv energji elektrike në vit, që do të thotë 200 kvv në çdo muaj. Me matjen një herë në vit, ata shumën e 2.400 kvv ma ndanin në gjashtë muaj dhe në këta muaj, 100 kvv, mbi 300 kvv, unë i paguaja më 13 lekë/kvv, nga 8,3 lekë/ kvv për 300 kvv/muaj. Mirëpo sa erdhi CEZ-i, në muajt që ne i kemi të bardhë, na ka dërguar faturë të dytë, duke na shënuar energji elektrike të mbifaturuar, të pakonsumuar dhe na detyron, që ta paguajmë tani. Dhe jo vetëm kjo, por meqë ka kaluar muaji, viti, na i mbifaturon kilovatët, që na shton, në ato muaj të viteve, 2007-2010, edhe me kamatën e vonesës. CEZ-i, me këtë mashtrim, po na kthen në debitorë të detyruar.

    Terrorizmi i CEZ-it, për të vjelë lekët e mbifaturimit

    Zija Kateshi, vazhdon të zbulojë skemën e abuzimit të CEZ-it, në dëm të fshatarëve të komunës së Baldushkut. “Pikërisht, këto kilovatë që CEZ-i, na i ka mbifaturuar padrejtësisht, që nga 2007-a, për muajt që KESH-i dhe OSSH-ja na kishin lënë të bardha, ne nuk mund të pranojmë të paguajmë. Dhe sot CEZ-i për këto kilovatë që na ka mbingarkuar, na bën terror, duke na ndërprerë energjinë elektrike për më shumë se dy javë. CEZ-i na bën këto terrorizma, për të na detyruar, që ne t’i paguajmë aq sa na mbifaturon CEZ-i, duke paguar edhe kamatat e vonesës, kur ne i kemi të paguara faturat që në 2007, 2008, 2009, 2010. Ne nuk kemi kundërshtim, që të paguajmë energjinë elektrike që harxhojmë, por të paguajmë atë që konsumojmë faktikisht. Nuk mund të pranojmë mbifaturimet dhe kamatat e vonesës, që CEZ-i na mbifaturon.

    Bashkëfajësia qeveritare në abuzimin e CEZ-it

    Fshatarët, të cilët janë pa energji elektrike për më shumë se 2 javë,  i janë drejtuar edhe organeve të qeverisë për abuzimet që u bën CEZ-i, duke u mbifaturuar kvv, në vitet e shkuara, për muajt që ata i kanë paguar faktikisht. Zija Koteshi, na pohon, fshatarët kanë kërkuar ndihmën e qeverisë, për të zgjidhë hallin e tyre nga abuzimi i CEZ-it, i janë drejtuar edhe organeve gjyqësore, mirëpo përgjigje kanë marrë…heshtjen qeveritare. Nuk mund të heshtë shteti, kur banorët e 14 fshatrave ankohen se CEZ-i, si e vetmja kompani monopoliste e shpërndarjes të energjisë elektrike në Shqipëri, në mënyrë të njëanshme, arbitrare u ndërpret zonave të tëra të popullatës energjinë elektrike, në vazhdimësi javore e mujore. Nuk mund të tregojnë indiferentizëm ligjor, edhe organet e akuzës e gjyqësore, ndaj arrogancës të CEZ-it në dëm të mijëra banorëve. Kur, ndërkohë, shteti dërgon policinë dhe kjo përdor dhunë, ndaj protestuesve, në rastet kur qytetarët protestojnë kundër CEZ-it. Për shtetin, është më e ligjshme, që të mbrojë godinat e CEZ-it nga protestuesit e pambetur pa energji elektrike, apo duhet të mbrojë qytetarët shqiptarë nga abuzimet e terrorizmi i CEZ-it? Njëanshmëria qeveritare, në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe në favor të interesave abuzive të CEZ-it, mund të dëshmojnë vetëm një fakt. Bashkëfajësinë qeveritare. Shkaku? Ndoshta, hamendjet mund të të çojnë të lidhjet e interesave ekonomike që ndokush nga zyrtarët qeveritarë kanë me interesat ekonomike të CEZ-it. Nëse gabojmë në hamendjen që shprehim, le të shpjegojnë qeveritarët përse legalizojnë abuzimin e CEZ-it me mbifaturim të kilovatëve, ndaj qytetarëve shqiptarë? Përse shteti ligjor- nëse akoma  ky shtet quhet ligjor- lejon “terrorizmin” e CEZ-it mbi popullsinë shqiptare, duke i ndërprerë njëanshmërisht, pa vendime gjyqësore, energjinë elektrike me javë e muaj të tërë?

    ___________________________________________________________________________________

    REAGIMI I DEPUTETIT TË ZONËS, XHEMAL QEFALIA

    – Zoti Qefalia, ju jeni njohur me gjendjen e ndërprerjes së energjisë elektrike në Komunën e Baldushkut?

    – Jam njohur, por kjo gjendje alarmuese është edhe në Komunën e Petrelës, në fshatin Hekal. Jam shumë i shqetësuar, për mbifaturimet që u bën CEZ-i, sikurse protestojnë fshatarët. Të kemi parasysh, edhe gjendjen e vështirë ekonomike, e megjithatë, CEZ-i po ua rëndon edhe më.

    – Cila do të jetë  ndihmesa juaj, në zgjidhjen e shqetësimeve që ngrenë fshatarët kundër CEZ-it?

    – Më takon, si deputeti i zonës, që të ofroj ndihmesë juridike falas të gjithë fshatarëve që dëshirojnë të denoncojnë juridikisht abuzimet e CEZ-it në mbifaturimin e energjisë elektrike. Jo vetëm kaq. Unë, do të ngre problemin edhe në Parlament, sepse shikoj që ligji po abuzohet nga CEZ-i, me ndërprerjen masive të energjisë elektrike, për një kohë të gjatë. CEZ-i nuk bën ballafaqim me fshatarët për kilovatët e matësve që janë mbifaturuar, e kjo tregon që CEZ-i abuzon në dëm të fshatarëve.

    – Po heshtjen e qeverisë, ndaj protestave të qytetarëve ndaj abuzimeve të CEZ-it, ju si do ta gjykonit?

    – Është e vërtetë që shteti bën sehir në këtë abuzim të CEZ-it ndaj qytetarëve shqiptarë. Pa heshtjen dhe mbështetjen e qeverisë, nuk do të guxonte një ditë CEZ-i të abuzonte kështu. Të mos e politizojmë shqetësimin e qytetarëve dhe abuzimin e CEZ-it. Unë jam që qytetarët të paguajnë kilovatët që harxhojnë, por kurrsesi nuk duhet të lejojmë që CEZ-i të spekulojë dhe të vjedhë qytetarët shqiptarë me mbifaturimet.