Ja si e shikon çetën e Sali Butkës Shoqata “Rilindja e Voskopojës 1929”

    1052
    Sigal

    Reagimi i voskopojarëve

     Shoqata “Rilindja e Voskopojës 1929” Korçë, pasi u njoh me përmbajtjen e artikullit të botuar në gazetën “Telegraf”, data 10 Dhjetor 2014 me titullin “Sot 98 vjet nga shpallja e krahinës autonome të Korçës”, të shkruar nga autori z. Vepror Hasani, e ndjen të domosdoshme të reagojë për disa pasaktësi të autorit në shkrimin e mësipërm.

     Ne korçarët (voskopojarë) kemi një veti tjetër pozitive e për të pasur zili (citim i të njëjtit autor, z.Vepror Hasani, në artikullin e datës 19 Nëntor 2014 në gazetën “Telegraf”), me titull “Korçës i kanë vënë zjarrin dhe po digjet, por askush nuk e sheh si digjet ngadalë”, ku thotë se këtu (në Korçë) njerëzit kanë një kujtesë të fortë, ata kurrë nuk harrojnë, ata vetëm mund të “arojnë” , domethënë vetëm gjëra të vogla e pa rëndësi, por edhe këto jo nga herë, por nga një “erë”.

     Pikërisht ne korçarët (ish-voskopojarë) nuk harrojmë që çeta e Sali Butkës ishte thjesht një çetë hajdute që vidhte karvanët e tregtarëve voskopojarë duke iu zënë pritë në rrugën e kthimit të tyre nga Berati, Manastiri apo viset e tjera, ku bënin tregti voskopojarët, duke iu vjedhur mallin, mushkat, si dhe në disa raste duke i pushkatuar tregtarët e pabindur për të dorëzuar mallin. Sot ka ende gjallë nipër e mbesa të tregtarëve voskopojarë që tregojnë historitë që iu kanë ndodhur gjyshërve të tyre tregtarë me çetën hajdute të Sali Butkës.

     Për historinë e Voskopojës, si një qytezë e krijuar rreth viteve 1338 dhe që kulmin e vet e arriti rreth viteve 1750 me 24 Kisha me afreske nga më të bukurat, me Akademi, me Bibliotekë, etj., kanë shkruar shumë autorë të huaj dhe vendas, por që të gjithë pranojnë në shkrimet e tyre se Voskopoja është djegur tre herë: në vitin 1769, në vitin 1789 dhe, së fundmi, në vitin 1916 nga çeta e Sali Butkës.

     Kështu që të shkruash sot (i referohemi z.Vepror Hasani në atë artikullin e datës 10 Dhjetor 2014 të gazetës “Telegraf” ) se Sali Butka u rrëfye fisnik në luftën e Voskopojës se nuk la të trazohej asnjë grua, asnjë fëmijë, por me të plasur dyfeku u lëshoi të lirë udhën e Korçës, si dhe se Sali Butka me çetën e tij zaptoi tërë fshatrat në jugperëndim të Korçës deri në Boboshticë pa bërë dëm asgjëkundi, është jo vetëm gënjeshtër, por është një falsifikim i historisë.

     Jo more zoti Vepror, çeta e Sali Butkës ishte thjesht një çetë hajdute që dogji e plaçkiti Voskopojën për herë të tretë në nëntor 1916 duke e shkretuar përfundimisht atë, pavarësisht se në ndonjë rast nën ndikimin e patriotëve korçarë si Themistokli Gërmenji, etj., ka shfaqur dhe ndjenja patriotike.

     Po të ishte kaq fisnik Sali Butka dhe çeta e tij, atëherë pse (citojmë z.Vepror Hasani në artikullin e datës 10 Dhjetor 2014) “të shtunë në 4 nëntor 1916 përhapja në tërë tregun e Korçës se erdhi Sali Butka, të gjithë tregtarët lanë mallin në shesh e dyqanet e hapura dhe muarë të rendur me të katra lart nga Varoshi (lagje ortodokse)… duke lënë prapa tërë gjënë e mall nga frika e madhe që u kishte hyrë për zemre) të kishin kaq frikë njerëzit nga çeta e Sali Butkës.

     Ato çka thamë më lart për djegien e Voskopojës nga çeta e Sali Butkës janë të dokumentuara me dokumente të kohës. Kështu, ekzistojnë fotografi se si ka qenë Voskopoja (një qytezë e bukur) në vitin 1915, pra, një vit para djegies dhe ja çfarë shkruan koloneli francez Ordion në letrën e datës 18 Janar 1918, dërguar vajzës së tij, Monika në librin “Kishat e Voskopojës”, pra, një vit pas djegies së Voskopojës në nëntor 1916. “Nuk e di dhe nuk gjej një njeri të gjallë në këtë nekropol të pafund (në këtë qytet të madh të shkatërruar, ku nuk dalloj asgjë tjetër veç mbetjeve), i cili mund të më informojë… Në zgjim nxitoj të përshkruaj gërmadhat e shumta të këtij qyteti, i cili ka patur jo më pak se 100 000 banorë në kohën më të begatë të tij. Poshtë qytetit të vdekur dalloj një manastir në gjendje të mirë, San-Padrome,etj…”.

    Vangjush Nikolicari

    Kryetari i Shoqatës “Rilindja e Voskopojës 1929”